Sociale 25 Shkurt 2026, 19:51 Nga VNA

“Diella” vijon punën, por beteja ligjore me Bishën vijon

Ndaje në Whatsapp

Më 11 shtator 2025, aktorja shqiptare Anila Bisha, e ulur me familjen përballë televizorit, po ndiqte prezantimin e kabinetit të ri qeveritar nga Kryeministri Edi Rama. Vetëm pak minuta më vonë, e pa veten të emëruar ministre. Jo si një politikane prej mishi e gjaku, por si një avatar. "Diella”, të cilën Rama e prezantoi si ministren e parë virtuale në botë, kishte fytyrën dhe zërin e Bishës.

Për qeverinë, ky ishte një demonstrim i inovacionit teknologjik. Për Bishën, me një karrierë 40-vjeçare në teatër dhe film, një situatë e panjohur." Në fillim qesha me familjen”- i tha ajo DW-së. "Nuk i kuptova pasojat që do të vinin më pas.”

Vetëm pesë muaj pas emërimit të "Diellës” si simbol i modernitetit digjital, çështja përfundoi në gjykatë. Bisha pretendon se nuk ishte informuar që avatari, i cili ishte prodhuar për të shërbyer në portalin qeveritar e-Albania, do të merrte rol ministror.

Sipas avokatit të saj, Aranit Roshi, kontrata ishte e kufizuar në objekt dhe qëllim. "Ishte një objekt ekskluziv, një qëllim i përcaktuar qartë. Imazhi dhe zëri i saj nuk mund të përdoreshin për asnjë produkt tjetër” - u shpreh ai.

Qeveria i ka hedhur poshtë pretendimet duke deklaruar se padia "nuk ka bazë” dhe se është gjykata ajo që do të vendosë.

“Diella” vijon punën, por beteja ligjore me Bishën vijon

Gjykata rrëzon kërkesën për pezullim

Ndërkohë Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi të hënën (23.02) kërkesën për sigurimin e padisë të aktores Anila Bisha.

Në padinë kundër AKSHI-t dhe Këshillit të Ministrave, ajo kërkonte pezullimin e "Diellës” deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, si edhe 1 milion euro dëmshpërblim moral. Me këtë vendim, masa e përkohshme nuk u pranua. "Diella” vijon të mbetet në funksion, por gjykimi i çështjes në instancën e parë do të vazhdojë.

Mbrojtje e të dhënave personale

Ekspertët ligjorë thonë se mosmarrëveshja nuk ka në thelb të drejtën e autorit, por mbrojtjen e të dhënave personale. "Thelbi i çështjes është shkelja e të dhënave personale”- thotë Elton Pepo, pedagog i asociuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Sipas tij legjislacioni shqiptar e konsideron imazhin dhe zërin si të dhëna personale dhe çdo përdorim i tyre duhet të jetë i kufizuar në kohë dhe në qëllim, sipas marrëveshjes kontraktuale. "Çdo përdorim përtej afatit apo qëllimit të rënë dakord në kontratë përbën shkelje,” shpjegon ai per DW.

Në padi janë përfshirë Këshilli i Ministrave, AKSHI, kompania private që prodhoi avatarin dhe Kryeministri Edi Rama. Bisha argumenton se përdorimi i imazhit dhe zërit të saj në një rol politik ka tejkaluar kufijtë e kontratës dhe ka cenuar identitetin e saj profesional dhe personal.

Sipas Mark Markut, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, raste të tilla përbëjnë një formë "dyfishimi identiteti”.

"Së bashku me imazhin, nuk shet edhe personalitetin tënd” - thotë ai për DW, duke nënvizuar se dhënia e të drejtës për përdorimin e portretit për një qëllim të caktuar nuk do të thotë transferim i bindjeve, vlerave apo rolit politik. "Askush nuk ka të drejtë të marrë identitetin e dikujt dhe ta përdorë përtej asaj që është rënë dakord.”

Sipas tij ekziston një dallim thelbësor mes një asistenti digjital dhe një ministri: i pari përgjigjet brenda parametrave teknikë; i dyti flet në emër të shtetit.

Inovacion nën hetim

Kur prezantoi "Diellën” si Ministre të Inteligjencës Artificiale, Kryeministri Edi Rama premtoi një epokë të re ku "prokurimet publike do të jenë 100% të pakorruptueshme dhe çdo fond publik 100% transparent”.

Në praktikë, avatari nuk është një projekt i izoluar, por pjesë e sistemit shtetëror të qeverisjes digjitale, i administruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Pikërisht ky institucion menaxhon infrastrukturën digjitale të shtetit, përfshirë portalin e-Albania, ku "Diella” u implementua fillimisht, databazat shtetërore, sistemet IT dhe proceset e prokurimit. Në dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit vendosi masa sigurie ndaj zyrtarëve të lartë të AKSHI-t, në kuadër të një hetimi të SPAK për korrupsion të dyshuar dhe parregullsi në tendera që lidhen me infrastrukturën digjitale dhe kontratat e shërbimeve.

Perceptimi publik ka rëndësi

Hetimi ndaj AKSHI-t është juridikisht i ndarë nga padia e ngritur nga Bisha për përdorimin e imazhit të saj. Megjithatë, siç argumenton studiuesi i medias Mark Marku, perceptimi publik ka rëndësi. "Nëse akuzat ndaj AKSHI-t provohen, kjo cenon rëndë besueshmërinë e një procesi që u prezantua si mënyrë për të shmangur korrupsionin dhe për të eliminuar subjektivitetin njerëzor - atë që unë e quaj ‘homo corruptus' në ndarjen e parave publike.”

Paralelisht me hetimet ndaj ish-drejtuesve të AKSHI-t, socialistët në Komisionin e Ligjeve vendosën me votat e tyre, më 16 shkurt, të ndryshojnë ligjin për qeverisjen elektronike. Kjo i hap rrugë agjencisë të krijojë ose të bashkëpunojë me shoqëri aksionare ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve. Socialistët e cilësuan këtë si "korporatizim fleksibël financiar” pa cenuar kontrollin publik. Ndërsa opozita e kundërshtoi, duke argumentuar se ndryshimet vijnë në një moment kur AKSHI është nën hetim nga SPAK për tendera të dyshuar dhe duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe garën./DW

Video

Sot, Emina Çunmulaj dhe disa vullnetarë kanë shpërndarë pako ushqimore për familjet në nevojë. Në fshatin Drisht takuan një gjyshe me shpirt të madh, një nga ato zemra të pasura me mirësi që të prekin thellë. Shkojnë për të dhuruar pako me ushqime, por janë pikërisht këto familje që u falin zemrën dhe bukën që kanë përgatitur për vete. Nënat shqiptare – shembull i dashurisë, sakrificës dhe bujarisë.

Në një video të publikuar nga Edi Rama në rrjetin X shihet një rrugë fshati në Portugali, e dëmtuar nga moti i keq, me asfalt të çarë dhe pjesë të rrëshqitura anash. Pamjet kryeministir i shoqëron me një koment ironik, duke e përdorur rastin si krahasim për situatën në Shqipëri dhe për të relativizuar shembjen e aksit Korçë–Tiranë.

VNA ka siguruar videon e një të moshuari në korridoret e QSUT që paguan për kujdesin bazë. Jo sepse i kërkohet hapur, por sepse e di si funksionon realiteti. Dhe per fat të keq ky realitet vrastar nuk përputhet me propagandën.

Rruga e re Palasë–Dhërmi është mbuluar nga balta dhe inertet e kamionëve të kantiereve private që operojnë në zonë, pasi nuk po respektohet detyrimi për pastrimin e gomave para daljes në rrugë publike. Situata krijon rrezik për aksidente, dëmton infrastrukturën dhe ndot mjedisin, ndërsa autoritetet përgjegjëse vendore dhe shtetërore nuk po reagojnë, pavarësisht se bëhet fjalë për një investim të ri me vlerë 1.5 miliardë lekë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme