Sociale 28 August 2025, 12:12 Nga VNA

Degradimi i Rilindjes në Dibër rëndon mbi xhepat e qytetarëve

Ndaje në Whatsapp
Degradimi i Rilindjes në Dibër rëndon mbi xhepat e

Pak vite pas projektit të Rilindjes Urbane, bulevardi në qendër të Peshkopisë po rikonstruktohet nga e para për shkak të degradimit të shpejtë të punimeve, që sipas banorëve të zonës u bënë në funksion të fushatës elektorale.

“Bulevardi u degradua totalisht, nuk kishte rrugë tjetër,” thotë një specialist i zyrës së Urbanistikës në Dibër për të justifikuar ribërjen nga e para të bulevardit “Elez Isufi” në qendër të qytetit të Peshkopisë.

“Ndërhyrja ishte e detyruar,” shton ai, ndërsa kërkon të mos citohet me emër.

Bulevardi “Elez Isufi” – një pedonale rreth 700 metra në qendër të Peshkopisë, ishte dikur një rrugë e rrethuar nga aroma e blirit. Ai iu nënshtrua projektit të Rilindjes Urbane në prag të zgjedhjeve lokale të pjesshme të vitit 2016, por punimet degraduan që në dimrin e parë, pasi pllakat u çanë nga ngricat dhe krijuan gropa përgjatë gjithë bulevardit.

Bulevardi është një prej pesë projekteve që qarku i Dibrës fitoi në kuadër të Rilindjes Urbane me një vlerë totale prej 4.1 milionë eurosh. Më vete, rikonstruksioni i bulevardit kushtoi 105 milionë lekë [848 mijë euro].

Por pavarësisht vlerës së shpenzuar, bashkia e Dibrës u detyrua të kërkojë një fond të dytë prej 182 milionë lekësh [1.8 milionë euro] për të rindërtuar bulevardin.

Punimet kanë filluar në shtator të vitit 2024 dhe pritet të përfundojnë brenda një viti nën mbikëqyrjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Në bashkinë e Dibrës besojnë se projekti do të jetë këtë herë i suksesshëm, pasi “pllakat janë marrë nga Korça”, një qytet i ngjashëm sa i përket kushteve atmosferike me Dibrën dhe do të kenë rezistencë ndaj ngricave.

Por banorët e Peshkopisë janë dyshues.

“Projekti i parë i ndërtimit të bulevardit ishte një projekt shkatërrimi,” i tha BIRN Qazim Zebi, banor i Peshkopisë.

Sipas tij, projekti u ndërrrua në mes të punimeve, duke eliminuar ndërtimin e një shatërvani, ndërkohë që krasitja e pemëve të blirit solli mungesën e hijeve dhe të aromës aq të këndshme që vlerësohej nga qytetarët.

Fiqiri Doda, një tjetër banor i Peshkopisë, e vë theksin te shpërdorimi i parave publike përmes punimeve jocilësore.

“Sheshet që ndërtohen duhet të kenë një jetëgjatësi mesatare të paktën 30-50 vjeçare dhe jo të shkatërrohen plotësisht vetëm për 7-8 vjet pas ndërtimit si ky i joni,” thotë Doda me zhgënjim.

“Ka nisur ky projekti i ri… Të them të drejtën, pak për të mos thënë fare, besoj se do ketë sukses. Do përfundojë si i pari,” shtoi ai.

Dilaver Shehu i lidh investimet e viteve të fundit me fushatat elektorale dhe kjo shpjegon sipas tij edhe cilësinë e dobët të punimeve.

“Shikoni me kujdes, këto janë projekte financohen gjatë fushatave elektorale të zgjedhjeve parlamentare apo lokale, thjesht dhe vetëm për të joshur elektoratin, por edhe për përfitime financiare,” tha Shehu, dyshues edhe për projektin e ri.

Investimet për qëllime elektorale janë një fenomen i tejzagjatur i Shqipërisë së tranzicionit, që shoqërohet me shpërdorim të fondeve publike, cilësi të ulët të punimeve dhe cenim të besimit të qytetarëve.

Edhe përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, asfalti elektoral u shfaq në bashkitë e Matit dhe Dibrës për të ndikuar votën e qytetarëve.

Haki Hoxha nga Peshkopia nuk beson se punimet e reja në bulevardin “Elez Isufi” do të kenë një fat të ndryshëm për shkak të kësaj arsyeje.

“Shkurt, edhe projekti i dytë do të përfundojë si i pari,” i tha ai BIRN, ndërsa shtoi: “këto janë investime në prag të fushatave zgjedhore që favorizojnë forcat politike gjatë zgjedhjeve”.

Reporter.al 

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme