Sociale 28 Dhjetor 2025, 13:01 Nga VNA

Artizani Gjelosh Alia, gjysmë shekulli me lahutën shqiptare

Ndaje në Whatsapp

Artizani Gjelosh Alia, gjysmë shekulli me lahutën shqiptare

Lahuta shqiptare është bërë pasuri botërore e UNESCO-s, pasi është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale për mbrojtje urgjente.

Lahuta është vegël muzikore e përbërë nga një kasë druri, e mbuluar përsipër me lëkurë e me bisht të gjatë, që ka vetëm një fill ose vetëm një tel dhe që i bien me hark të përkulur për të përcjellë këngët.

Ky instrument i traditës shqiptare ka qenë ndër shekuj pjesë e ceremonive, festave dhe traditave në zonat veriore të Shqipërisë, në Kosovë dhe në disa zona ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.

Në Shqipëri, mjeshtrit e prodhimit të lahutës janë të paktë, ku njëri prej tyre është edhe 70-vjeçari Gjelosh Alia, që prej disa dekadash punon në punishten e tij në Tiranë.

Ish-mësuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, përveç profesionit të tij si mësues ka punuar edhe si artizan, duke prodhuar për gjysmëshekulli vegla muzikore popullore, si lahutën, çiftelinë, sharkinë dhe laurinë.

Lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së artizanit shqiptar

Për Anadolu, Alia tregon se për 50 vjet merret me prodhimin e veglave muzikore popullore, përfshirë edhe lahutën dhe thekson se lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij.

"Nga pasioni, dëshira, kam filluar me çiftelinë, por edhe me lahutën. Këtë(zanat) jam munduar ta mbaj gjallë vazhdimisht. E kam pas në qendër të vëmendjes gjithmonë dhe jam ndier shumë mirë, sidomos kohëve të fundit që dola në pension. Jam i kënaqur që punoj, i prodhoj, luaj me to dhe janë bërë pjesë e jetës time", shprehet ai.

Artizani shqiptar tregon se lahuta futet tek instrumentet kordofone, me tela, por ka veçoritë dhe karakteristika të veçanta, ndryshe nga kordofonet e tjera, nga çiftelia dhe shkarkia, duke filluar që nga zgjedhja e drurit.

"Lahuta është një himn që e ka shoqëruar popullin shqiptar brez pas brezi"

Alia tregon se për prodhimin e lahutës preferon të përdorë së pari drurin e manit, pastaj arrën dhe qershinë, duke i konsideruar më të mirët për prodhimin e kësaj vegle muzikore popullore.

"Karakteristikë është dekoracioni që është koka e dhisë, është një simbolizim i qëndresës dhe i forcës. Për mua lahuta është një himn që e ka shoqëruar popullin tonë(shqiptar) brez pas brezi dhe e ka frymëzuar. Zëri(tingulli) lahutës të frymëzon shumë, ai vjen nga thellësia e zemrës", shprehet ai.

Teksa mban një qeleshe në kokë, Alia vazhdon punën në punishten e tij për të prodhuar vegla muzikore sipas metodës tradicionale, ndërsa ai ka në punim e sipër edhe disa lahuta.

"Ka 50 vjet që merrem me prodhimin e veglave muzikore popullore, por lahuta për mua është e veçantë, sepse ajo të bën direkt për vete. Lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës time. Gjatë jetës time kam prodhuar qindra lahuta, tani së fundmi kam në dorë disa prej tyre", tregon Alia.

Lahuta në UNESCO

Më 9 dhjetor 2025, autoritetet shqiptare konfirmuan se lahuta shqiptare është bërë pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, për mbrojtje urgjente.

Zyrtarizimi i kësaj nisme të Shqipërisë është konsideruar si një nga sukseset më domethënëse për identitetin kulturor shqiptar.

Institucionet shqiptare kanë konfirmuar se arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, duke u përfshirë në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e vlerëson lahutën si një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar dhe sipas këtij institucioni u përfshi në UNESCO, pas një procesi të gjatë kërkimor, të udhëhequr nga një grup studiuesish të njohur shqiptarë.

Për Shqipërinë, përfshirja e lahutës në këtë listë ndërkombëtare jo vetëm e ngre këtë traditë në vëmendjen globale, por edhe thekson nevojën për ruajtjen e saj të menjëhershme, "për të siguruar vazhdimësinë e një simboli të rrallë të identitetit shqiptar"./TrtWorld/

Video

Reshjet e mëdha të shiut dhe valët e detit në rritje përmbytën tendat e banorëve të Gazës që janë zhvendosur në zonën Al-Mawasi të Khan Younis. Kjo situatë i shtohet vuajtjeve të palestinezëve që jetojnë në tenda të vogla dhe streha të tejmbushura ku mungojnë kushtet bazike të jetesës.

Sipas Edi Ramës ne jemi 700 tenxheret mediatike që ziejmë çorbën e Mirlinda Karçanajt… Po Mirlinda ç’gjellë ka ngrohur në zyrën e Ergys Agasit?

Skiatorët në Siçili kanë kapur pamje spektakolare nga shpërthimi i vullkanit Etna, i cili ka hedhur në atmosferë sasi të mëdha hiri dhe tymi. Pas aktivitetit vullkanik, Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vulkanologjisë ka lëshuar një paralajmërim të kuq për aeroplanët, niveli më i lartë i alarmit për aviacionin. Megjithatë, autoritetet lokale njoftuan se fluturimet do të vazhdojnë normalisht në aeroportin e afërt, për sa kohë reshjet e hirit nuk intensifikohen. Etna është vullkani më i madh dhe më i lartë në Evropë dhe një ndër më aktivët në botë, me shpërthime të shpeshta gjatë vitit, gjë që e bën një nga vullkanet më të monitoruara globalisht.

Një protestë pro Palestinës e zhvilluar në Berlin është shoqëruar me tensione, pasi policia ka ndërhyrë për të shpërndarë qytetarët që ishin mbledhur para bashkisë së lagjes Neukölln. Përmes thirrjeve dhe sloganeve, protestuesit shprehën mbështetjen e tyre për Gazën. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, disa prej tyre u shoqëruan në komisariat.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme