Sociale 16 Prill 2026, 11:45 Nga VNA

Arsimi i të rriturve në Shqipëri: Vetëm 1.6% pjesëmarrje, larg objektivit prej 47% të BE-së

Ndaje në Whatsapp
Arsimi i të rriturve në Shqipëri: Vetëm 1.6%

Shqipëria po dështon angazhimet e saj për të rritur aftësitë arsimore në moshat e rritura 25-64 vjeç. Në vitin 2024 vetëm 1.6% e kësaj grup-moshe morën pjesë në programe trajnimi dhe aftësimi, shumë larg objektivit të Bashkimit Evropian prej 47% për vitin 2025.

Kjo ecuri në arsimin e të rriturve në vendin tonë u dha në raportin e fundit të Fondacionit Evropian të Trajnimit (ETF) për vitin 2026.

Raporti evidentoi një seri mangësish që pengojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor. Edhe pse kuadri strategjik është pasuruar me dokumente si Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2023–2030, zbatimi i tyre ndeshet me pengesa të shumta. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një ligj të dedikuar për arsimin e të rriturve, çka çon në një fragmentim të përgjegjësive mes ministrive dhe institucioneve, duke krijuar vonesa në koordinimin e politikave kombëtare, vuri në dukje ETF.

Një nga pikat më kritike mbetet shkalla ekstreme e ulët e pjesëmarrjes së të rriturve në proceset mësimore, ku shifra prej 1.6% tregon për një distancë alarmante nga mesatarja dhe objektivat e Bashkimit Evropian.

Sipas raportit, kjo mospjesëmarrje vjen nga mungesa e një kulture të mirëfilltë për mësimin gjatë gjithë jetës, por edhe nga barrierat financiare dhe koha e kufizuar e individëve në moshë pune. Po kaq shqetësuese janë edhe aftësive digjitale, pasi mbi 50% e popullsisë së rritur nuk zotëron njohuritë minimale teknologjike, një mangësi që e bën forcën e punës të papërgatitur për sfidat e ekonomisë moderne dhe automatizimin e proceseve.

Sistemi i arsimit profesional, ndonëse në qendër të reformave, vuan nga një shpërndarje e pabarabartë gjeografike, ku qendrat e trajnimit janë të përqendruara thuajse tërësisht në Tiranë dhe Durrës. Ky organizim sipas ETF -së lë jashtë vëmendjes zonat rurale dhe qytetet e vogla, ku papunësia është shpesh më e lartë dhe mundësitë për riaftësim janë pothuajse jo-ekzistente.

Për më tepër, infrastruktura aktuale e trajnimeve është e vjetruar dhe nuk u përgjigjet kërkesave specifike të industrive në rritje, si energjia e gjelbër apo shërbimet e avancuara të TI-së, duke krijuar një hendek të madh mes asaj që ofrohet dhe asaj që kërkon tregu.

Në aspektin financiar, sistemi është i paqëndrueshëm dhe i varur në masë të madhe nga financimet e huaja dhe projektet e donatorëve, pa pasur një linjë buxhetore të konsoliduar shtetërore që garanton vazhdimësinë.

ETF referon se Bashkitë, megjithëse kanë përgjegjësi për arsimin në nivel lokal, rrallëherë nuk akordojnë fonde specifike për arsimin e të rriturve, duke e lënë këtë sektor në periferi të prioriteteve lokale. Gjithashtu ka shumë mangësi për certifikimin e aftësive të fituara në rrugë informale, çka penalizon punëtorët me përvojë që të mos kenë diploma.

Emigracioni i vazhdueshëm i moshave të reja dhe plakja progresive e popullsisë, krijojnë një presion të dyfishtë për mësimin gjatë gjithë jetës. Nga njëra anë ikja e trurit dhe nga ana tjetër nevoja për të mbajtur në punë moshat e vjetra përmes riaftësimit.

Megjithatë, programet aktuale nuk janë të adaptuara për nevojat specifike të të moshuarve apo grupeve të margjinalizuara, të cilët përballen me barriera shtesë në akses. ETF vë në dukje se, sistemi i monitorimit dhe vlerësimit të cilësisë është gjithashtu i dobët, me të dhëna të fragmentuara që nuk lejojnë një analizë të mirëfilltë të impaktit të trajnimeve në punësim.

Sipas ETF-së mungesa e stimujve fiskalë për bizneset që investojnë në trajnimin e punonjësve të tyre është një tjetër mangësi që dekurajon sektorin privat të bëhet pjesë aktive e zgjidhjes.

Pa një ndërhyrje radikale që përfshin unifikimin e bazës ligjore, rritjen e investimeve publike, digjitalizimin e kurrikulave dhe shtrirjen e shërbimeve të orientimit në karrierë në çdo bashki, Shqipëria rrezikon të mbetet me një forcë pune të pakualifikuar, thekson analiza e ETF. Kjo jo vetëm që ngadalëson rritjen ekonomike, por vë në pikëpyetje edhe aftësinë e vendit për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, të cilat bazohen pikërisht te dija dhe aftësitë./Monitor

Video

Ja si janë shkrumbuar apartamentet e Arlis Ndërtim të Armand Lilos pranë Farmacisë 10 në Tiranë. Pallati 12-katësh u dogj plotësisht nga zjarri që ra në një market në kat të parë.

Deputeti Saimir Korreshi i kërkon ministres së shëndetësisë jod dhe pambuk për spitalin e Lushnjes…

Për të dytën herë Reni Ashiku, njeriu i besuar i Frida Krifcës paraqitet në SPAK. Ai është pyetur lidhur me abuzimet me fondet e BE-së për bujqësinë. Më herët është pyetur edhe vetë ish-ministrja Krifca.

Nisin punimet në seancën plenare, një minut heshtje për Eliot Engel

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme