Sociale 10 Maj 2026, 09:56 Nga VNA

Arbëreshët e Siçilisë synojnë turizmin shqiptar me festa dhe tradita shekullore

Ndaje në Whatsapp
Arbëreshët e Siçilisë synojnë turizmin shqiptar me

Qytezat arbëreshe pranë Palermos, në Itali, kanë shtuar numrin e veprimtarive gjatë gjithë vitit, në përpjekje për të tërhequr sa më shumë turistë, kryesisht shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova.

Autoritetet lokale janë mbështetur edhe nga banorët vendas, të cilët, krahas hapjes së vendeve të reja të punës, po rikthejnë traditat e paraardhësve të tyre, të vendosur në gadishullin italik 5-6 shekuj më parë.

Banorët dhe drejtuesit e pesë qytezave arbëreshe në perëndim të Siçilisë mendojnë se vendosja e dy linjave ajrore “low cost” nga Tirana dhe Prishtina drejt Palermos do të mundësonte udhëtime të drejtpërdrejta.

Roberto Ferrara, një aktivist italian në mbështetje të çështjes shqiptare, tha për BIRN se linja aktuale ajrore nga Tirana të lidh vetëm me Catanian, rreth tri orë larg Palermos dhe qytezave arbëreshe pranë tij.

“Unë udhëtoj disa herë në vit drejt Tiranës dhe më shumë kohë kërkon rruga me makinë nga Palermo drejt aeroportit të Catanias,” shtoi Roberto, i cili merr pjesë rregullisht në festat e organizuara nga “Hora Arbëreshe” në Piana degli Albanesi.

Qyteza me 6.200 banorë, rreth 25 kilometra larg kryeqendrës së Siçilisë, tashmë ka krijuar një emër të mirë për mikpritjen dhe për festat me karakter patriotik e fetar që organizon gjatë vitit.

“Vitet e fundit, numri i vizitorëve në Piana është rritur ndjeshëm. Rreth 400 turistë, kryesisht nga Italia, Shqipëria dhe Kosova, iu bashkuan në prill festës së Shën Gjergjit, shenjti mbrojtës i qytezës,” tha për BIRN kryebashkiaku i Piana-s, Rosario Peta.

Sipas tij, turistët shqiptarë kanë treguar interes të madh për të vizituar monumentin e Skënderbeut, i vendosur në sheshin kryesor dy vjet më parë.

Kryebashkiaku Peta, njëkohësisht anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, tha se ky këshill e ka mbështetur kërkesën publike për linja ajrore nga Tirana dhe Prishtina drejt Palermos, çka sipas tij do t’i japë një impuls të ri turizmit drejt qytezave arbëreshe.

Arbëreshët janë pasardhësit e shqiptarëve që u vendosën në Italinë e Jugut mes shekujve XV dhe XVI, kryesisht pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pushtimit osman të trojeve shqiptare.

Të përqendruar kryesisht në Siçili, Kalabri dhe rajone të tjera të jugut italian, ata kanë ruajtur për më shumë se pesë shekuj gjuhën arbëreshe, ritin bizantin, kostumet tradicionale dhe zakonet kulturore shqiptare.

Komunitetet arbëreshe konsiderohen sot një urë e rëndësishme kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa shumë prej qytezave të tyre janë kthyer në destinacione turistike për vizitorët e interesuar pas historisë dhe trashëgimisë shqiptare.

Dhimitër Stefa, një këngëtar nga Durrësi, tha për BIRN se ka marrë pjesë në një nga festat lokale, “ku bashkë me kolegë të tjerë nga Shqipëria u mrekulluam nga organizimi dhe kostumet karakteristike të grave dhe vajzave vendase”.

Veli Berisha, një inxhinier kosovar në Bernë të Zvicrës, vazhdon të shkojë shpesh në Piana degli Albanesi, njësoj si në periudhën kur ishin mbledhur fonde për realizimin e monumentit të Skënderbeut nga skulptori Gëzim Muriqi.

“Ne e ndiejmë veten si në shtëpi,” tha për BIRN Berisha, një nga drejtuesit e “Horës së Skënderbeut”, duke theksuar se një linjë ajrore nga Prishtina do t’i shërbente njohjes së ndërsjellë mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Njësoj si 43-vjeçari kosovar, edhe Giorgio Cuccia, aktivist për promovimin e qytezës arbëreshe, tha për BIRN se gjatë vitit në sheshet dhe teatrin e Piana-s janë programuar 6-7 festa me pjesëmarrje të gjerë. Njëra prej tyre, si festë e përvitshme, i kushtohet ditës së themelimit të qytezës, më 30 gusht 1488.

Thuajse në të njëjtën periudhë u formuan edhe qytezat e tjera arbëreshe në pjesën perëndimore të Siçilisë: Santa Cristina Gela, Contessa Entellina, Mezzojuso dhe Palazzo Adriano.

Së bashku me arbëreshët që jetojnë në Palermo, numri i përgjithshëm i arbëreshëve në këtë zonë i kalon 30 mijë banorët.

Palazzo Adriano ka fituar famë edhe për shkak të xhirimeve të filmit Nuovo Cinema Paradiso nga regjisori Giuseppe Tornatore.

Edhe në këtë qytezë vizitat e turistëve janë të shpeshta, ndërsa kalendari i festave në sheshin e madh të qytetit mbetet i pasur gjatë gjithë vitit,” përfundoi Giaccomo Cuccia, kryetar i klubit “Skënderbeu”./BIRN

Video

Panik dhe alarm në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion Airbus A321 i kompanisë Lufthansa me 177 pasagjerë dhe 7 persona të ekuipazhit u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një problemi teknik. Sipas mediave greke, problemi teknik u konstatua gjatë fluturimit, ndërsa rreth orës 18:35 piloti kërkoi kthim emergjent në aeroportin “Eleftherios Venizelos”. Ulja u realizua pa probleme, megjithatë menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e evakuimit emergjent. Stjuardesat hapën dyert e avionit, aktivizuan rrëshqitëset fryrëse të emergjencës dhe u kërkuan pasagjerëve të largoheshin sa më shpejt nga kabina siç pasqyrohet edhe në një video që po bën xhirron e mediave greke. Sipas autoriteteve greke, si ekuipazhi ashtu edhe të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë evakuimit pati dy lëndime të lehta.

Një video e jashtëzakonshme e publikuar nga NASA tregon momentet kur astronautët e misionit Artemis II eksperimentojnë me një pikë uji brenda kapsulës Orion, duke shfrytëzuar kushtet e mikrogravitetit gjatë udhëtimit historik rreth Hënës. Në videon e publikuar, një pikë uji shihet duke formuar një sferë pothuajse perfekte që noton lirshëm në kabinë. Astronauti Jeremy Hansen, për herë të parë në hapësirë, shihet duke vëzhguar sferën transparente, ku reflektimi i tij shfaqet i përmbysur për shkak të thyerjes së dritës. Më pas ai e manipulon me kujdes sferën e ujit përmes një kashte, duke e lënë sërish të notojë në mikrogravitet. NASA shpjegon se ky fenomen ndodh për shkak të mungesës së gravitetit, ku forcat e tensionit sipërfaqësor bëjnë që uji të marrë formën më të qëndrueshme, atë të një sfere.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Gaziantep, ku një 31-vjeçar dhe një grua morën peng një shofer taksie nën kërcënimin e armës dhe tentuan të arratiseshin nga policia. Gjatë ndjekjes, autori hapi zjarr ndaj policisë nga brenda taksisë, ndërsa shoferi 58-vjeçar shfrytëzoi momentin për t’i marrë armën dhe për ta çarmatosur. Menjëherë më pas, policia ndërhyri dhe arrestoi dy autorët. Shoferi mbeti i plagosur lehtë në gisht, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Lamine Yamal ishte në qendër të festimeve të FC Barcelona pas fitimit të titullit në La Liga. Gjatë paradës me autobus të hapur, talenti 18-vjeçar valëviti një flamur palestinez, një gjest që mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Po ashtu, Yamal u shfaq me një bluzë me mbishkrimin “Falënderoj Zotin që nuk jam Madridista”, duke shtuar rivalitetin sportiv me Real Madrid CF pas triumfit të Barcelonës në El Clasico. Me këtë sukses, Yamal ka arritur të fitojë tre tituj kampionë në La Liga në moshën 18-vjeçare, një rekord në historinë e Barcelonës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme