Sociale 20 Nëntor 2025, 12:12 Nga VNA

Anijet tregtare braktisin flamurin shqiptar

Ndaje në Whatsapp

Anijet tregtare braktisin flamurin shqiptar

Në portet shqiptare ankorojnë gjithnjë e më pak anije tregtare që valëvisin flamurin kuqezi.

Megjithëse numri i mjeteve detare me pronarë shqiptarë është jo i vogël, ata preferojnë t’i regjistrojnë anijet e tyre në porte të tjerë të Evropës apo të botës.

“Aktualisht, rreth 40 anije të tonazheve deri në 6 mijë ton janë në pronësi të shtetasve shqiptarë,” tha për BIRN inxhinieri mekanik Albert Garori, ndërsa shtoi se vetëm shtatë prej tyre janë të regjistruara në Regjistrin Detar Shqiptar.

Specialistët e sektorit shprehen se pas braktisjes së flamurit kombëtar qëndrojnë kryesisht tarifat më të ulëta të regjistrimit në portet alternative, por jo vetëm.

Në ketë vendim, ndikojnë edhe kushtet teknike të anijeve, çka i ka detyruar institucionet ndërkombëtare detare t’i rendisin mjetet lundruese shqiptare në listën e zezë.

Sipas katalogut “Detarët”, të shkruar nga historianët Valter Bedini dhe Luan Shabani, pas procesit të privatizimit të Flotës Detare në vitin 1998, në Regjistrin Detar Shqiptar listoheshin 57 anije. Në vitin 2012, numri i tyre kishte zbritur në 15.

Regjistri Detar Shqiptar funksionon si autoriteti zyrtar që certifikon dhe mban nën flamurin shqiptar anijet tregtare, peshkarexhat dhe mjetet e tjera lundruese, duke kërkuar për to dokumentacion të plotë pronësie, certifikime teknike dhe inspektime të detyrueshme të sigurisë.

Regjistrimi kryhet pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare, ku verifikohen klasifikimi i anijes, gjendja teknike dhe përputhshmëria me konventat ndërkombëtare, të cilat janë hartuar dhe mbikëqyren nga Organizata Botërore Detare, IMO.

IMO ka hartuar një sërë konventash që synojnë dy qëllime kryesore: rritjen e sigurisë së lundrimit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Për të rritur sigurinë e lundrimit dhe mbrojtjen e mjedisit, anijet problematike – të listës së zezë, i nënshtrohen kontrollit ndërkombëtar çdo gjashtë muaj, ndërsa ato të listave gri dhe të bardhë kontrollohen shumë më rrallë, çdo 18 apo 36 muaj.

“IMO – agjenci e OKB-së, e ka renditur vendin tonë në listën e zezë për shkak të rrezikut që paraqesin gjatë lundrimit anijet tona,” u shpreh për BIRN inxhinieri Met Ypi, i cili ka punuar gjatë në anijet e flotës dhe në drejtimin e institucioneve detare të vendit. “Ndryshimi i flamurit bëhet në të gjithë botën, kryesisht për motive ekonomike,” shtoi ai.

Inxhinier Met Ypi është shumë kritik ndaj punës së Regjistrit Detar, jo vetëm për numrin e kufizuar të anijeve shqiptare që mbajnë flamurin kombëtar, por edhe për mungesën e plotë të anijeve të huaja që mund të regjistroheshin në Regjistrin Detar.

Për t’iu shmangur kontrolleve të shpeshta, drejtuesit e anijeve shqiptare kryejnë veprimtaritë ekonomike kryesisht në brigjet e Afrikës Veriore, ku kontrollet periodike nuk janë serioze.

“Ato kryejnë lundrime tranzit dhe vijnë shumë rrallë në Durrës; madje edhe personelin e ndërrojnë në portet e Mesdheut Jugor,” tha inxhinier Ypi.

Në rënie nuk është vetëm numri i anijeve që mbajnë flamurin shqiptar, por edhe ai i marinarëve.

“Numri i detarëve shqiptarë të certifikuar është në rënie, pasi kapitenët dhe ekuipazhet plotësohen lehtësisht me marinarë të huaj, të cilët paguhen më pak,” tha inxhinier Albert Garori.

Ai shton se mbyllja e kantierit detar ka ndikuar negativisht në mundësinë e riparimit të anijeve në Durrës, duke rritur shpenzimet që janë më të larta në portet e tjera.

Garori vlerëson se institucionet e detarisë në vend janë thuajse inekzistente përballë shqetësimeve.

“Fatkeqësisht, te ne nuk bëhen kontrolle të detajuara dhe nuk vendosen detyra për kushtet e jetesës së detarëve apo sigurinë lundrimore”, theksoi ai.

Mosha mbi 20-vjeçare dhe gjendja teknike e anijeve përbën një tjetër shqetësim për sigurinë e lundrimit.

“Pronarët e anijeve zakonisht zgjedhin vetë flamurin e mjeteve të tyre lundruese, por institucionet detare shqiptare, të paktën, duhet të ofrojnë alternativën e regjistrimit në porte të njohura për certifikimin dinjitoz të të gjitha anijeve tona,” përfundoi inxhinier Met Ypi./BIRN/

Video

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Pse vetëm Rama do bëjë aeroporte?

Unë jam Ambrozia Meta që t’i gërric nervat…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme