Sociale 13 May 2026, 13:52 Nga VNA

Alarm nga inspektimet, mbetjet spitalore ruheshin në tualete dhe korridore

Ndaje në Whatsapp
Alarm nga inspektimet, mbetjet spitalore ruheshin në tualete dhe korridore

Mbetje spitalore të grumbulluara në korridore dhe tualete, pavijone që nuk plotësojnë standardet bazë të higjienës, mungesë ujit të rrjedhshëm dhe klinika që operojnë me dokumentacion të paplotë.

Kjo është panorama që del nga kontrollet e kryera gjatë vitit 2025 në spitale, qendra shëndetësore dhe klinika dentare në vend, ku inspektorët kanë evidentuar probleme që prekin drejtpërdrejt sigurinë dhe kushtet e trajtimit të pacientëve.

Të dhënat e marra nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor tregojnë se gjatë vitit 2025 u kryen mijëra inspektime në institucionet publike dhe private të kujdesit shëndetësor, ku ndër problematikat më të forta rezulton menaxhimi i mbetjeve spitalore. Në disa raste, mbetjet e rrezikshme ruheshin në ambiente të papërshtatshme, në korridore apo tualete, madje në të njëjtën hapësirë me mbetjet urbane dhe pajisjet e pastrimit.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 u kryen 4.993 inspektime shëndetësore, nga të cilat 4.882 ishin inspektime dhe 111 ri inspektime. Nga kontrollet janë vendosur 13 gjoba, 11 vendime të ndërmjetme për masa urgjente dhe 296 paralajmërime.

Një nga gjetjet më të forta lidhet me mënyrën e trajtimit të mbetjeve spitalore. ISHSH evidenton se në disa raste grumbullimi i mbetjeve kryhej “në kundërshtim me kriteret e përcaktuara”, në ambiente të papërshtatshme, korridore dhe tualete, madje në të njëjtën hapësirë ku depozitoheshin edhe mbetjet urbane apo setet e pastrimit. Raporti evidenton gjithashtu mungesë infrastrukture për transportimin dhe magazinimin e mbetjeve të rrezikshme brenda territorit të spitaleve.

Një tjetër konstatim lidhej me mungesën e trajnimit të personelin që merrej me trajtimin e mbetjeve spitalore, si dhe mungesë të pajisjeve mbrojtëse. Në disa institucione nuk respektohej procedura për ndarjen në burim dhe etiketimin e mbetjeve spitalore.

Problematikat nuk kufizohen vetëm te mbetjet. Raporti përmend mangësi në pavijone dhe shërbime urgjence, ku në disa raste nuk respektohej sipërfaqja minimale për pacientët sipas standardeve të përcaktuara. Po ashtu, recepsionet dhe ambientet e triazhimit në urgjenca rezultonin vetëm pjesërisht në përputhje me standardet higjieno sanitare.

ISHSH evidenton gjithashtu mungesa në dokumentacion, protokolle dhe rregullore të brendshme funksionimi në disa spitale dhe klinika. Në subjektet e kujdesit shëndetësor parësor janë konstatuar mungesë e ujit të rrjedhshëm, amortizim i rrjetit elektrik, lagështirë, mungesë pajisjesh mjekësore dhe mungesë kontratash për evadimin e mbetjeve spitalore./Monitor

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme