
Air Albania, operatori kombëtar i fluturimeve ajrore, po shfaq probleme të mëdha ditët e fundit. Sipas faqes zyrtare të Tirana International Airport, gjatë ditës së sotme, 8 dhjetor, Air Albania nuk ka kryer asnjë fluturim.
Edhe për datën 9 dhjetor, në faqen e TIA nuk ka asnjë fluturim të planifikuar me Air Albania.
Agjencitë e udhëtimit thanë për Monitor se nga e shtuna operatori ajror nuk ka bërë fluturime. Pasagjerët që kishin udhëtime ndërkontinentale tranzit përmes Stambollit janë drejtuar përmes Aeroportit të Prishtinës ose atij të Podgoricës.
Për datën 9 dhjetor, ndonëse në faqen e TIA nuk shfaqet asnjë fluturim i programuar nga Air Albania, agjencitë thanë se në sistem vazhdojnë të figurojnë fluturimet.
Edhe në faqen e Air Albania është e mundur të blesh biletë drejt Stambollit nga e marta në mbrëmje.
Ndonëse në faqe ka shumë destinacione, kompania prej kohësh operonte vetëm me linjat e Stambollit dhe Milanos, por tashmë drejt Milanos nuk ka më asnjë fluturim. I vetmi destinacion ku Air Albania po vazhdon te shesë bileta është Stambolli. Agjencitë e udhëtimit thanë se kompania ka njoftuar se të martën do të rifillojnë fluturimet dhe në sistem udhëtimet rezultojnë aktive.
Problemet me operatorit kanë filluar pasi Turkish Airlines ka njoftuar se ka vendosur të shesë gjithë pjesën e saj prej 49% në Air Albania. Agjencitë e udhëtimit thanë se deri të shtunën ato mund të prisnin bileta përmes Turkish Airlines (për udhëtimet tranzit), ndërsa biletat nga Tirana në Stamboll priten nga vetë nga Air Albania. Nga e shtuna, kur dhe ndaluan fluturimet e Air Albania, agjencitë nuk mund të prisnin më me Turkish.
Shitja
Në mes të muajit nëntor, në një njoftim të publikuar në Platformën Turke të Transparencës Publike (KAP), Turkish Airlines deklaron: “Bordi ynë ka vendosur të shesë të gjithë pjesëmarrjen në Air Albania SHPK, në të cilën kompania jonë zotëron 49%. Zhvillime të rëndësishme do të ndajmë së shpejti me investitorët.”
Air Albania u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018 si një partneritet publik-privat mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Linja ajrore kishte si aksioner kryesor kompaninë turke Turkish Airlines (49,12%) dhe aksionet e mbetura i ndajnë ndërmarrja shtetërore shqiptare Albcontrol (~10 %) dhe një kompani private shqiptare MDN Investment (~41 %).
Fluturimi i parë i rregullt u bë më 14 shtator 2018, në linjën Tiranë–Stamboll.
Në vitin 2023 “Air Albania”, arriti të ishte ishte operatori i dytë më i madh në vend, me 7% të tregut. Por, në vitin 2024 zbriti në vend të tretë, me një peshë prej 3.4% sipas numrit të pasagjerëve.
Konkurrenca e “Wizz Air” dhe “Ryanair” ka ndikuar në aktivitetin e këtij operatori në destinacionet përveç Stambollit.
Kompania nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, për të arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekë në vitin 2023.
Në vitin 2024, të ardhurat janë rreth 4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga Tatimet. Kompania ka rezultuar historikisht me humbje të larta, duke e kthyer atë sot në një shoqëri praktikisht të falimentuar./Monitor.al/






















