Sociale 30 Mars 2026, 15:01 Nga VNA

AADF fut në "kthetra" edhe arsimin: Provimet e shtetit dhe Matura i kalojnë një agjencie "hibride"

Ndaje në Whatsapp

AADF fut në "kthetra" edhe arsimin: Provimet e shtetit dhe Matura

Pas Butrintit dhe qendrave historike, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) po shtrin influencën e tij në zemrën e sistemit arsimor shqiptar. Një projektligj i ri i depozituar në Kuvend parashikon shkrirjen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA), një strukturë që de jure quhet shtetërore, por de facto mban "vulën" dhe kontrollin e AADF-së.

Në relacionin shpjegues që shoqëron nismën, qeveria shqiptare bën një autokritikë të paprecedentë, duke pranuar se sistemi aktual është i mbytur në burokraci dhe paaftësi. Dokumenti zyrtar thotë shprehimisht:

"Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)..."

Kjo fjali është "çelësi" që vërteton se shteti shqiptar nuk ka pasur as vizionin dhe as kapacitetin për të reformuar veten, duke ia deleguar këtë detyrë një fondacioni privat. Relacioni pranon se proceset e njohjes së diplomave janë kthyer në makth për studentët dhe se vlerësimi i provimeve deri më sot ka pasur mungesë totale rigorozi dhe standardesh.

Risia më alarmante për kritikët është përbërja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së re. Sipas projektligjit, ky bord nuk do të ketë vetëm zyrtarë shtetërorë, por edhe "përfaqësues të partnerëve strategjikë/donatorëve".

Kjo do të thotë se AADF, si partneri kryesor që ka financuar ekspertizën e Cambridge Assessment, do të ketë një karrige në tavolinën ku vendoset për:

1.      Tezat e Maturës Shtetërore: Fati i mijëra maturantëve çdo vit.

2.      Provimet e Shtetit: Licencimi i mjekëve, infermierëve dhe mësuesve.

3.      Tarifat: Sa do të paguajë çdo shqiptar për të marrë një vërtetim apo për të dhënë një provim.

AKSHA nuk do të funksionojë si një zyrë shteti, por si një korporatë. Ajo do të ketë vetëfinancim, që do të thotë se do të jetojë nga paratë që do t'u vjelë studentëve dhe profesionistëve përmes tarifave.

Më tej akoma, stafi i kësaj agjencie del nga "kthetrat" e ligjit për nëpunësin civil. Punësimet do të bëhen me Kod Pune, duke i dhënë drejtorit ekzekutiv – i cili do të jetë nën presionin e bordit ku bën pjesë AADF – fuqi absolute për të vendosur paga dhe emërime, larg syrit të kontrollit klasik të shtetit.

Me kalimin e shërbimeve drejt një formati tërësisht digjital të financuar dhe monitoruar nga partnerët e huaj, pyetja që lind është: Ku do të përfundojnë të dhënat sensitive të mijëra nxënësve dhe profesionistëve shqiptarë? A është ky një modernizim i nevojshëm, apo një dorëzim i sovranitetit arsimor në këmbim të disa laptopëve dhe serverëve të dhuruar?

Ndërsa qeveria mburret me standardin "Cambridge", mbetet për t'u parë nëse ky "rebranding" do të zhdukë vërtet skandalet e rrjedhjes së tezave, apo thjesht do të zhvendosë kontrollin e tyre nga zyrat e shtetit drejt zyrave të një fondacioni që po merr në dorë çdo segment kyç të jetës publike në Shqipëri.

Qeveria pranon: Sistemi aktual është "peng" i burokracisë

Për herë të parë, në dokumentin zyrtar, qeveria pranon se struktura aktuale e QSHA-së ka dështuar në disa pika kyçe:

Vonesat "vdekjeprurëse" për studentët: Relacioni pranon se procesi i njohjes së diplomave zgjat pafundësisht, duke dëmtuar studentët, sidomos ata ndërkombëtarë, për shkak të barrierave burokratike.
Gabimet në provime: Dokumenti nxjerr zbuluar skandalet e vjetra ku vlerësimi automatik dështonte sepse administratorët jepnin fletë përgjigjesh të gabuara apo variante që nuk përputheshin.
Mungesa e standardit: Pranohet se pyetjet e Maturës Shtetërore dhe provimeve të licencave profesionale nuk kanë pasur një kontroll rigoroz shkencor (psikometrik), duke vënë në dyshim vërtetësinë e meritokracisë.

Video

Qielli bëhet i kuq i ndezur në Australinë Perëndimore përpara ciklonit tropikal Narelle.

Edhe më ha edhe më djeg…

Banorët e Rrjollit dhe të Durrësit protestë para Parlamentit teksa pritet të nisë seanca parlamentare.

Berisha fillon procesin e hapjes së Partisë Demokratike.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme