Real Madridi vijon të mbetet klubi më i vlefshëm i futbollit në botë, sipas renditjes më të fundit të publikuar nga Forbes, pavarësisht mungesës së trofeve të rëndësishëm në sezonet e fundit.
Klubi madrilen nuk është ndikuar nga rezultatet sportive, pasi performanca financiare ka vazhduar me rritje të fortë. Edhe pa triumf në La Liga apo Champions League, Real Madridi kryeson listën e 30 klubeve më të vlefshme në botë.
Gjatë sezonit 2024–25, “Los Blancos” kanë gjeneruar të ardhura rekord prej 1.27 miliardë dollarësh (rreth 1.089 miliardë euro), duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me vitin e kaluar, kur klubi kishte vendosur një tjetër rekord historik.
Sipas Forbes, kjo shifër tejkalon edhe 1.23 miliardë dollarët e regjistruar nga Dallas Coëboys në NFL, duke u bërë një nga nivelet më të larta të të ardhurave të raportuara ndonjëherë për një ekip sportiv.
Pavarësisht mungesës në finalen e Champions League, Real Madridi renditet për të pestin vit radhazi në krye të listës dhe për të dhjetën herë në 13 vitet e fundit.
Vlera aktuale e klubit vlerësohet në 9.5 miliardë dollarë, rreth 2 miliardë më shumë se Barcelona që mban vendin e dytë. Ndërkohë, Barcelona mbetet i vetmi klub tjetër futbolli që ka kaluar shifrën e 1 miliard dollarëve të ardhura në sezon.
Në renditjen globale, klubet spanjolle dominohen nga Real Madridi dhe Barcelona, ndërsa La Liga përfaqësohet edhe nga Atletico Madrid. Kampionati spanjoll mbetet pas Premier League, e cila ka 11 klube në top 30, ndërsa MLS ka 7 dhe Serie A 4 klube.






















