Real Madrid ka bërë lëvizjen e parë për të testuar mundësinë e transferimit të Rodri nga Manchester City gjatë merkatos së verës.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, përmes Radio MARCA, mesfushori spanjoll është shfaqur si një nga objektivat kryesorë të “Los Blancos”, ndërsa klubi madrilen po përgatitet për një fazë të re rindërtimi nën drejtimin e trajnerit të ardhshëm, Jose Mourinho.
Raporti thekson se madrilenët synojnë të përforcojnë mesfushën, sidomos në një moment kur largimi i Dani Ceballos duket i mundshëm dhe e ardhmja e Eduardo Camavinga mbetet ende e paqartë.
Rodri, i cili ka kontratë me Manchester City deri në vitin 2027, vlerësohet shumë në Valdebebas për eksperiencën, lidershipin dhe nivelin e tij të lartë në futbollin europian. Sipas raportimeve, Real Madridi ka nisur kontaktet fillestare për të kuptuar më qartë mundësinë e rikthimit të ish-mesfushorit të Atletico Madrid në kryeqytetin spanjoll.
Megjithatë, i njëjti raport shton se aktualisht lojtari duket më pranë vazhdimit të aventurës me Manchester City sesa një transferimi në “Santiago Bernabeu”.
Po ashtu, bëhet e ditur se Rodri kishte qenë pranë rinovimit të kontratës me kampionët e Premier League, por largimi i mundshëm i Pep Guardiola ka ngadalësuar përkohësisht negociatat.






















