Real Madrid është futur në garë për transferimin e mbrojtësit të Interit, Alessandro Bastoni, i cili po ndiqet prej muajsh nga klubet më të mëdha të Europës.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, përmes “CalcioMercato”, lojtari italian vlerësohet rreth 70 milionë euro nga Interi, një shifër që nuk përbën problem për gjigantët spanjollë, të cilët pritet të ndërmarrin një merkato të fuqishme verore.
Raportohet se trajneri i ardhshëm i Real Madridit, Jose Mourinho, është një admirues i madh i Bastonit dhe e sheh atë si një nga prioritetet kryesore për rindërtimin e repartit defensiv në “Santiago Bernabeu”.
“Los Blancos” pritet të bëjnë ndryshime të mëdha në mbrojtje, pasi disa emra të rëndësishëm mund të largohen si lojtarë të lirë në fund të sezonit, duke hapur hapësira për afrime të reja.
Derisa më herët Barcelona shihej si favorite për transferimin e Bastonit, situata ka ndryshuar. Trajneri Hansi Flick thuhet se ka shfaqur dyshime për profilin e mbrojtësit, duke bërë që katalanasit të tërhiqen gradualisht nga gara.
Pavarësisht interesimit të madh nga Real Madridi, Bastoni mbetet i fokusuar te Interi, ku është një nga lojtarët kyç të skuadrës.
Megjithatë, me hyrjen serioze të madrilenëve në negociata, merkatoja e verës pritet të sjellë një nga sagat më të bujshme në Serie A dhe La Liga.






















