
Kushtrim Kokalla i bashkakuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, ka filluar dhënien e mbrojtes më datë 27.03.2026.
Kokalla që njëherë konsiderohet si familjar i Murselit, akuzohet së bashku me Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt më 29.11.2023, e cila fillimisht ishte raportuar si grabitje me një person të vdekur.
Kokalla ka filluar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të tij, Ndrec Dodaj, ku i akuzuari ka thënë se nuk ka qenë personi që i ka takuar të akuzuarin si dorasi, Granit Plava dhe Naim Murslein për kryerjen e veprës penale.
“Unë nuk e kam taku as Granitin as nuk kam bo kurrfarë marrëveshje. Nuk kom pas lidhje me i taku Naimin me Granitin”- tha Kokalla.
Kokalla duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij tha se ka hyrë në borxh prej 25 mijë euro për Naim Murselin dhe Naim Murseli e ka mbajtur afër për këtë arsye.
“Arsyeja ka qenë sa me më mbajt afër, për shkak se më herët kom marrë kredi prej 25 mijë euro që mi ka kërkuar Naimi”- tha Kokalla.
Kokalla ka thënë se janë takuar me Naimin dhe Granitin në një pompë të derivateve e cila nuk ka zgjatur shumë minuta. Sipas tij biseda ka qenë normale, jo diçka e veçantë, me pyetje çka bon, me çka merresh dhe të tjera.
“Naimi ka insitu me ardhë me mua, jena taku te pompa e derivateve aty ku Graniti ka qenë t`u më prit”- tha Kokalla.
Sipas Kokallës, nuk mund të thotë që Naim Murseli dhe Granit Plava nuk njihen mes vete pasi janë bashkëfshatarë.
“Nuk muj me thanë që nuk njihen bashkë, se këta janë bashkëfshatarë”– tha tutje Kokalla.
I akuzuari ka thënë pas takimit në pompën e derivateve, kanë shkuar në shtëpi dhe më pas Murseli i ka shkruar që të ja kërkoj numrin kontaktues të Granit Plavës dhe ja kishte përcjellë.
“Më duhet të potencoj se pas, se pasi kam shku në shtëpi dhe Graniti në të vetën, mua më ka shkru Naimi në whatsupp dhe e ka kërkuar numrin kontaktues të Granitit”- tha Kokalla.
Sipas Kokallës pas takimit të parë ka pasur edhe takim të dytë, i cili ishte mbajtur pas 5-6 ditësh në një pompë të derivateve afër udhëkryqit Klinë- Gjakovë-Pejë. Kokalla tha se e ka pyetur Granitin se pse na ka thirrur Naim Murseli në takim, gjatë rrugës në veturë për tek pompa e derivateve. Sipas të akuzuarit, Murseli ka qenë duke pritur në pompë dhe qëndrimi ka zgjatur 20 minuta jo më gjatë dhe se në prani të Kokallës nuk ishte biseduar asgjë konkrete mes Granit Plavës dhe Naim Murselit për vrasjen e Lirionda Ademajt.
“Kur kemi shkuar me Granitin, është që mua mi ka jep 300 euro për pagesë të kredisë pasi unë kisha mrrë kredi për Naimin. Dhe një shumë prej 500 euro ja ka dhënë Granitit, mua nuk më kujtohet diçka përpara dhe ja ka bo Granitit merri kanqu. Absolut nuk është biseduar asgjë konkrete rreth rastit (të vrasjes)”- tha Kokalla.
Kokalla ka thënë se në ditën kritike kur është vrarë Liridona Ademaj është takuar me Naim Murselin dhe i ka folur për problemet që i ka me bashkëshorten e tij.
Rreth deklaratës të dhënë në Polici se kinse Naim Murseli i ka thënë Kokallës “Sot Kryhet kjo punë”, sipas Kokallës nuk e di nëse është e vërtetë se a ka aludu në vrasjen e gruas së tij. Sipas tij nuk e di nëse është e saktë ajo deklaratë që ja ka thënë Naimi Murseli. Sipas Kushtrim Kokallës biseda ka qenë shumë më e gjatë por nuk janë futur të gjitha ato që i ka deklaruar në polici duke thënë se janë futur në procesverbal pjesë që janë në favor të hetuesisë.
Sipas Kokallës në ditën kritike nuk ka qenë në dijeni për lëvizjet e Naim Murselit dhe Granit Plavës.
Murseli dhënien e mbrojtjes e ka filluar dhe vazhduar më 11.02.2026, kurse më 26.03.2026 e ka përfunduar versionin e tij. Kurse Granit Plava kishte përfunduar dhënien e mbrojtes rreht këtij rasti po më 26.03.2026.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Fatime Dërmaku (kryetare e trupit gjykues), Gent Beka dhe Alban Ajvazi (anëtarë).
Në këtë rast i akuzuar është Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, i cili nga Prokuroria konsiderohet si dorasi.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Më 31.01.2025 Naim Murseli nuk e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse, Kushtrim Kokalla nuk kishte pranuar të deklarohet pa u këshilluar me avokatin e tij, Ndrecë Dodajn.
Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë konsiderohet që është personi i cili ka shtënë me armë për ta vrarë Ademajn, kishte deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla janë personat të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
I akuzuar në këtë rast është edhe Tom Dodaj, i cili akuzohej që shiti armën me të cilën u krye vrasja e Liridona Ademajt. Ky i fundit në shqyrtim fillestar më 31.01.2025 kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.
Dodaj nga Gjykata e Prishtinës për këtë vepër penale është dënuar me 5 vjet dënim me burgim dhe me 5,000 euro dënim me gjobë. Në gjykatën e Apelit më 10.12.2025, është mbajtur seanca ndaj Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj.
Më 14.01.2026, Gjykata e Apelit ia kishte ka ulur dënimin nga 5, në 3 vjet burg, Tomë Dodajt, për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj.Kurse edhe dënimi me gjobë, nga 5 mijë euro është ulur në 3 mijë euro.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq. Kjo e fundit madje në një konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.
Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.
Këtë plan dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.
Gjithmonë sipas dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blenë një armë të tipit “Zastava”, me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
E, në të njëjtën ditë dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin ku paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar që e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të vrasjes së rëndë.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E, për të gjithë këtë rast Plava do të kompensohej me një shumë prej 30,000 eurosh
Sipas dosjes së Prokurorisë Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Granit Plavës, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.
Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.
I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, familjar i Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.
Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E, i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen./Kallxo.com/






















