
Gjykata e Prishtinës ka shpallur fajtorë Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në rrugën “Dalip Alshiqi”, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Gjyqtarja Fatime Dermaku e ka dënuar të akuzuarin Naim Murseli me burgim të përjetshëm, pasi u gjet fajtor për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Granit Plavës iu shqiptua dënimi me burgim të përjetshëm; i njëjti u gjet fajtor nga Gjykata për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.
Kurse Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim për veprën penale “ndihmë në vrasje të rëndë”.
Aktakuza
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, Naim Murseli ka qenë personi që i ka premtuar 30 mijë euro shpërblim Granit Plavës, i cili akuzohet se ka shkrepur armën me të cilën u vra Liridona Ademaj. Kushtrim Kokalla, sipas prokurorisë, kishte rolin që t’i vinte në kontakt Plavën me Murselin.
Seanca fillestare për këtë rast është mbajtur më 31 janar 2025. Gjatë këtij procesi gjyqësor janë mbajtur një sërë seancash, ku janë dëgjuar dëshmitarë dhe janë paraqitur një numër i madh provash materiale.
Të akuzuarit Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Naim Murseli, në seancën e datës 17.04.2026, kishin deklaruar se nuk dëshironin të merrnin pjesë në shpalljen e aktgjykimit.
Në seancën e datës 17.04.2026, nga palët në procedurë, janë dhënë fjalët përfundimtare.
Aktakuza në këtë rast është përfaqësuar nga prokurorja Javorka Perlinçeviq.
Më 31.01.2025, Naim Murseli nuk e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse Kushtrim Kokalla nuk kishte pranuar të deklarohej pa u këshilluar me avokatin e tij, Ndrecë Dodaj.
Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë konsiderohet si personi që ka shtënë me armë për ta vrarë Ademajn, kishte deklaruar se dëshironte të mbrohej në heshtje.
I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Tom Dodaj, i cili akuzohej se kishte shitur armën me të cilën u krye vrasja e Liridona Ademajt. Ky i fundit, në shqyrtimin fillestar më 31.01.2025, kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë nga Prokuroria.
Dodaj, nga Gjykata e Prishtinës për këtë vepër penale, është dënuar me 5 vjet burgim dhe me 5,000 euro gjobë. Në Gjykatën e Apelit, më 10.12.2025, është mbajtur seanca ndaj Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj.
Më 14.01.2026, Gjykata e Apelit ia kishte ulur dënimin nga 5 në 3 vjet burg Tomë Dodajt për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj. Po ashtu, edhe dënimi me gjobë, nga 5 mijë euro, është ulur në 3 mijë euro.
KALLXO.com ka arritur të sigurojë aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq. Kjo e fundit, madje, në një konferencë të thirrur nga kryeprokurori Zejnullah Gashi, kishte deklaruar se vonesa e aktakuzës ka ardhur si pasojë e disa dokumenteve dhe kërkesave që janë kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndronte pas vrasjes.
Prokurorja e rastit kishte përshkruar se Naim Murseli kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e tij ndaj bashkëshortes.
Gjithmonë sipas aktakuzës, pas datës 25.06.2022, ishte paguar një policë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, në vlerë prej 3 milionë krona suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitonte dobi financiare.
Sipas dosjes, këtë plan Naim Murseli e kishte ndarë me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe ky i fundit kishte refuzuar ta kryente vrasjen, por më pas kishte gjetur personin e tretë, Granit Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naim Murselin.
Gjithmonë sipas dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli, bashkë me Granit Plavën, kishin blerë një armë të tipit “Zastava”, me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë prej 280 eurosh.
Në të njëjtën ditë, dosja shpjegon se në intervalin kohor 20:11–20:18, në vendin ku paraprakisht ishte dakorduar plani mes Naim Murselit dhe Granit Plavës – i inskenuar për t’u dukur si grabitje e armatosur – është kryer vrasja.
Sipas dosjes, Naim Murseli e kishte sinjalizuar fillimisht Granit Plavën me dritat e veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shmangej plumbit pasi u shkrep nga Plava. Më pas, Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Për këto veprime, Prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të vrasjes së rëndë.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë, në ditën kritike, në intervalin kohor 20:11–20:18, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake me Naim Murselin, ka kryer vrasjen në formë të maskuar, duke shtënë në drejtim të viktimës, e cila si pasojë ka ndërruar jetë. Për këtë veprim, ai do të kompensohej me një shumë prej 30,000 eurosh.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe e kishte qëlluar me armë, ndërkohë që krahun e viktimës ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma e përdorur në këtë rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes në banesën e tij.
Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.
I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, familjar i Naim Murselit. Dosja tregon se ai kishte refuzuar të kryente vrasjen, por më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe ia kishte prezantuar Naim Murselit.
Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”.
I pandehuri i katërt në këtë rast ishte Tom Dodaj, i cili ngarkohej për “furnizim me armë” të tre të akuzuarve të parë, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen.






















