Rajoni 26 January 2026, 20:01 Nga VNA

Shefi i NATO-s: Serbia duhet të gjejë përgjegjësit për sulmet në Banjskë dhe ndaj KFOR-it

Ndaje në Whatsapp

Shefi i NATO-s: Serbia duhet të gjejë përgjegjësit për

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përsëriti se aleanca pret përgjegjësi nga autoritetet në Beograd për ngjarjet në Kosovë, përfshirë sulmin në Banjskë dhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në pranverën e vitit 2023.

 “Kam një marrëdhënie personale me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, natyrisht, presim nga ai që të përcaktojë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë, dhe kjo për dy çështje. Për të dyja ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë”, tha Rutte.

Këto deklarata Rutte i bëri gjatë adresimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku po ashtu konfirmoi mbështetjen për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Rutte po ashtu theksoi se NATO-ja është e përkushtuar ndaj situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se aleanca ushtarake perëndimore nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të rritura viteve të fundit dhe incidenti më i rëndë u regjistrua shtatorin e vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë tre sulmues serb.

Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

Këtij incidenti të armatosur i paraprinë protesta në veri të Kosovës të mbajtura në maj të po atij viti. Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në Zveçan.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Për ngjarjet në Zveçan, janë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona, dhe disa janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë. NATO-ja ka kërkuar që përgjegjësit për të dyja rastet të përballen me drejtësinë.

Për Grenlandën dhe raportet me Trumpin

Gjatë diskutimit në AFET, temë ishte edhe marrëveshja që Rutte arriti javën e kaluar me presidentin amerikan, Donald Trump, me të cilën, siç u njoftua, i është mundësuar presidentit amerikan të heqë dorë nga kërcënimi për vendosjen e tarifave shtesë ndaj disa vendeve evropiane dhe për marrjen nën kontroll të Grenlandës.

Para ligjvënësve evropianë, Rutte prezantoi dy drejtime veprimi kur është fjala për sigurinë e Grenlandës dhe Arktikut: përpjekjet kolektive të NATO-s për forcimin e mbrojtjes ushtarake dhe ekonomike kundër ndikimit rus dhe kinez në Arktik si dhe bisedimet dypalëshe midis Danimarkës, Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh se presidenti amerikan ka të drejtë për çështjen e Arktikut. Ai tha se bëhet fjalë për mbrojtje kolektive, pasi, sipas tij, rrugët detare po hapen.

“Kina dhe Rusia po bëhen gjithnjë e më aktive. Duhet t’i përballemi këtij problemi”, tha Rutte.

Ai konfirmoi përkushtimin e plotë të presidentit amerikan ndaj NATO-s dhe i dërgoi një mesazh aleatëve evropianë se “vetëm mund të ëndërrojnë” se mund të mbrohen vetë pa Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar, Trump tha se ka arritur me Rutten pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën. Para kësaj, gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik në Davos, udhëheqësi amerikan tha se donte bisedime të menjëhershme për ta blerë Grenlandën.

Ai e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për marrjen e këtij ishulli. Trump ka argumentuar se Grenlanda i duhet për sigurinë kombëtare./REL

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme