Rajoni 2 Nëntor 2025, 10:42 Nga VNA

Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash antiqeveritare

Ndaje në Whatsapp

Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash antiqeveritare

Zgjedhje të parakohshme, kjo është kërkesa e mijëra protestuesve antiqeveritarë që demonstrojnë në rrugët e Serbisë. Pushteti lë hapësirë për zgjedhje para afatit, por refuzon t’i shpallë ato.

Kjo është pamja politike e Serbisë, një vit pas fillimit të protestave më masive në historinë e saj të re.

Historiani Dragan Popoviq e përshkruan atmosferën si “referendum”.

Në njërën anë është pushteti, i mishëruar në liderin populist Aleksandar Vuçiq, ndërsa përballë tij janë forcat antiqeveritare, të udhëhequra nga lëvizja protestuese studentore.

Tensionet janë shtuar, dhe pushteti, siç thekson Popoviq, i është përgjigjur protestave me represion ndaj protesutesve.

“Pamja e Serbisë sot është pamja e një shoqërie të shkatërruar, e institucioneve të shkatërruara dhe e një sistemi politik të rrënuar”, vlerëson ai për Radion Evropa e Lirë (REL).

Serinë si “shoqëri të polarizuar” e përshkruan edhe Parlamenti Evropian.

Në një rezolutë të PE-së, udhëheqja shtetërore e Serbisë konsiderohet përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike.

Qytetarët, të udhëhequr nga studentët, nuk heqin dorë nga protestat.

“Veprimi politik nuk është më çështje e elitës politike, por e të gjithë njerëzve. Kam përshtypjen se protestat janë bërë popullore, se njerëzit duan të identifikohen me lëvizjen”, thekson për Radion Evropa e Lirë, studentja Isidora Majkiq nga Fakulteti i Matematikës në Beograd.

“Goditje e rëndë për regjimin”

Pas një viti protestash, skena politike mbetet e paqartë.

Përveç datës së zgjedhjeve, nuk dihet as kush do të marrë pjesë në to, e as rezultati nuk është i parashikueshëm – ndryshe nga disa cikle të mëparshme zgjedhore.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Partia Progresive Serbe (SNS) dhe aleatët e tij kanë udhëhequr me shtetin për 13 vjet.

Ndërsa Vuçiq dhe SNS-ja kanë forcuar pushtetin, Serbia, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, ka rënë në renditjet që matin situatën e të drejtave të njeriut, të lirive dhe nivelin e korrupsionit.

Pikërisht akuzat për korrupsion sistematik janë në qendër të protestave, të cilat shpërthyen pas rrëzimit të një strehe prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe një u plagos rëndë.

“Kjo ka qenë një goditje për regjimin nga e cila vështirë se mund të rikuperohet – vetëm mbetet të shihet sa do të zgjasë rënia”, thotë Popoviq.

Vuçiqin ai e përshkruan si “një lider autoritar që mbyt proceset demokratike”.

Organizata ndërkombëtare Freedom House jep vlerësime disi më të buta, por e rendit Serbinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Sipas indeksit të kësaj organizate, Serbia në vitin 2025 ka shënuar rënie më të madhe nga të gjitha vendet evropiane, sa i përket lirive.

Nga Presidenca, Qeveria e Serbisë dhe SNS-ja nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe akuzat për represion e rrënim të demokracisë.

“Kërkesat e protestave përmbushen me pikatore”

Këto nuk janë protestat e para që kanë tronditur regjimin e Vuçiqit.

Por, janë më të mëdhatë dhe më jetëgjatat deri më tani.

“Nuk do të thosha që rrëzimi i çatisë ishte pika që e mbushi kupën, por ne u përfshimë në momentin kur ndjemë se ishim të aftë të vepronim drejtpërdrejt”, thotë studentja Anja Despotoviq, që studion në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Beograd.

Valët e bllokadave studentore nisën në Fakultetin e Arteve Dramatike, ku studentët dhe profesorët u sulmuan teksa po nderonin viktimat e tragjedisë së Novi Sadit.

Protesta u përhap si një ortek në pothuajse të gjitha universitetet publike në Serbi.

Nga fakultetet e bllokuara, studentët dolën në rrugë, ku u bashkuan me qytetarë të pakënaqur.

Ata paraqitën kërkesa për publikimin e dokumenteve që do të ndriçonin shkaqet e aksidentit dhe mundësinë që ngjarja të kishte të bënte me korrupsion.

Rikonstruksioni i stacionit hekurudhor ishte pjesë e një projekti kyç shtetëror – hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në kufirin me Hungarinë, ku kompanitë kineze kishin rolin kryesor.

Studentët refuzuan t’i drejtoheshin presidentit serb Vuçiq, duke i thënë se “nuk është kompetent”.

“Ne u përpoqëm të mos biem në narrativat e politikanëve të tjerë, sepse ne nuk jemi politikanë”, thekson Anja Despotoviq.

Vuçiç, megjithatë, u përgjigj.

Në fillim të vitit ai pretendoi se kërkesat ishin plotësuar, duke i ftuar studentët të ktheheshin në mësim.

Studentët i përgjigjën se kërkesat e tyre nuk ishin përmbushur.

“I kanë përmbushur me pikatore, aq sa u ka leverdisur dhe sa nuk i rrezikonte. Ishte një shfaqje për publikun”, thotë Anja Despotoviq..

“Ne si lëvizje në një moment u pjekëm politikisht për të thënë nuk do t’i përmbushin kërkesat. Sepse nuk mund t’i përmbushin dhe të qëndrojnë në pushtet njëkohësisht,” shton Isidora Majkiq.

Që nga maji, përveç kërkesës për përgjegjësi penale për aksidentin që nxiti protestat, demonstruesit kërkojnë edhe përgjegjësi politike: dorëheqje dhe shpallje zgjedhjesh.

“Vuçiq, largohu” është bërë një nga parullat më të zakonshme në rrugë.

Ndërkohë, Vuçiq i quan demonstruesit “bllokues”, duke theksuar se “rruga nuk do ta qeverisë Serbinë”.

Në rrugë janë shfaqur mbledhje spontane qytetarësh, pa simbole partiake, që bëjnë thirrje për protesta në komunitetet lokale.

Vetëm nga shkurti deri në fund të shtatorit 2025, në Serbi janë mbajtur më shumë se 10.700 tubime në mbi 630 vendbanime./REL/

 

Video

Muzeu i Madh Egjiptian Një ditë më parë është inaguruar Muzeu më i madh i Egjiptit. Kjo ndërtesë është një portë hyrëse drejt 7.000 viteve të qytetërim. I vendosur nën hijen e Piramidave të Mëdha, GEM përfaqëson një nga projektet kulturore më ambicioze në botë — një kryevepër e arkitekturës moderne që nderon trashëgiminë e përjetshme të Egjiptit të lashtë. Nuk është vetëm muzeu arkeologjik më i madh që është ndërtuar ndonjëherë, por edhe një urë midis së kaluarës së lavdishme të Egjiptit dhe të ardhmes së tij të ndritshme. Brenda tij ndodhen mbi 100.000 artefakte, përfshirë thesaret e plota të mbretit Tutankhamon, të cilat tregojnë historinë e qytetërimit më të madh të njerëzimit në një mënyrë që bota nuk e ka parë kurrë më parë. Muzeu i Madh Egjiptian është më shumë se histori — është krenari, inovacion dhe identitet që bashkohen nën të njëjtin çati.

Ndodh dhe kjo... Aurelian Ghisa, presidenti 61-vjeçar i skuadrës së kategorisë së 3 në Rumani, Sanatatea Cluj u aktivizua në minutat e fundi të ndeshjes së Kupës së Rumanisë kundër Universitatea Craiova. Por megjithëse hyri për “ta ndryshuar ndeshjen me këmbët e veta”, ekipi i tij humbi thellë me rezultatin 4-1.

Kur krahasimin për PS e bën me shpejtësinë e një makine dikush që nuk ka patentë për drejtim automjeti…

Në stadiumin e qytetit Prilep, gjatë ndeshjes së Ligës së Dytë mes KF Pobeda dhe KF Shkëndija Haraçinë 77, u shënuan një sërë incidentesh të rëndë me karakter racor dhe nacionalist të cilat kanë tronditur ambientin sportiv dhe komunitetin. Tifozët vendas, sipas raportimeve, brohoritën fraza të papranueshme për lojtarët shqiptarë të skuadrës mysafire, përfshirë shprehje si “dhomë gazi për shqiptarët” dhe fyerje me përmbajtje raciste si “majmunë”. Përveç fyerjeve, raportohet edhe për përpjekje për të hyrë në dhomat e zhveshjes së skuadrës së Shkëndijës pas përfundimit të ndeshjes, çka përforcon faktin se situata kaloi përtej rivalitetit të zakonshëm sportiv. Pas ndeshjes KF Shkëndija 77 ka dalë me reagim zyrtar, duke dënuar ashpër sjelljet e tifozëve të Pobedës. I plotë te linku ?? https://www.vna.al/sport/skandal-ne-futbollin-maqedonas-huliganet-ne-prilep-thirrje-raciste-ndaj-sh-i16413

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme