Rajoni 19 Gusht 2025, 19:38 Nga VNA

Pas më shumë se tri javësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tentojnë sërish konstituimin e institucionit më 20 gusht, nga ora 11:00.

Ndaje në Whatsapp
Pas më shumë se tri javësh pauzë, deputetët e Kuvendit

Ky hap vjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se kandidati mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Megjithatë, shanset për sukses duket se janë të pakta. Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul sërish në emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa opozita e deritashme nuk tregon gatishmëri për kompromis. Njohës të çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se dështimi mund ta çojë vendin në një situatë të re institucionale.

Sërish Haxhiu

Në vazhdimin e seancës më 20 gusht, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës, konfirmon deputeti i partisë, Arbër Rexhaj, për Radion Evropa e Lirë.

“Nëse brenda tri herësh nuk zgjidhet zonja Haxhiu, sigurisht që ne do ta diskutojmë veprimin e ardhshëm brenda grupit parlamentar”, thotë ai.
Rexhaj kujton se kryeministri në detyrë dhe udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, ka premtuar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por shpreh shqetësim për kufizimin që ajo ka vendosur: një kandidat për kryetar Kuvendi mund të propozohet vetëm tri herë.

Sipas Rexhajt, ky vendim e zhvendos fuqinë e propozimit: nëse LVV-ja nuk arrin ta zgjedhë kryetarin brenda afatit 30-ditor, e drejta për propozim i kalon partisë tjetër.

Ai paralajmëron se kjo mund të “deformojë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet e fundit votuan LVV-në me 42.2% të votave”.
Cilat janë qëndrimet e partive opozitare në legjislaturën e kaluar?

Të pandryshuara. Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se nuk do të votojnë për Haxhiun.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra shpjegon se PDK-ja qëndron pranë qëndrimit të saj për të mos mbështetur asnjë nga emrat që kanë qenë pjesë e Qeverisë së kaluar, të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Janë mbi 40 deputetë [të LVV-së] që kanë mundësi t’i hapin rrugë zhbllokimit. Gjithashtu, AAK-ja i ka propozuar dy emra [Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi nga LVV-ja] dhe ato do t’i merrnin votat e deputetëve”, thotë Deliu-Kodra, duke shtuar se kompromisi pritet tani nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet gjithashtu kundër çdo kandidati të LVV-së për kryetar të Kuvendit. Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, thotë se deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në votim, siç i obligon vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por se vota e tyre do të jetë kundër kandidatit të LVV-së.

“Bashkëpunimi, në rastin tonë, duhet të nënkuptojë marrëveshje politike. Nëse nuk arrihet një koncensus i gjerë për një proces, për emrin e përveçëm, atëherë bashkëpunimi shtrihet në marrëveshje politike. Kjo i takon partisë së parë [LVV-së]”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Ngjashëm, as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta mbështesë Haxhiun.

Deputetja Time Kadrijaj shpjegon se pas tri propozimeve të Haxhiut, çdo votë nga AAK-ja do të varet nga kandidati tjetër që LVV-ja mund të propozojë.

“Nëse jepet ndonjë nga emrat që i kemi sugjeruar [Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi] ose nëse është dikush që vërtet e meriton votën, atëherë do ta votojmë. Përndryshe, do të jetë qëndrimi i njëjtë”, thotë Kadrijaj për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i obligon deputetët të marrin pjesë në votim, por thekson se secili prej tyre ka të drejtë të votojë sipas bindjeve të veta.

Sipas saj, nuk ka asnjë mundësi për marrëveshje politike ndërmjet AAK-së dhe LVV-së si kusht për votimin e kandidatëve të propozuar.

Çka nëse nuk respektohet afati prej 30 ditësh?

Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, tha më 18 gusht për Radion Evropa e Lirë se nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kryetarin dhe kryesinë brenda afatit të parashikuar, krijohet një situatë kushtetuese që kërkon qartësim institucional.

Ngjashëm, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nëse afati 30-ditor nuk përfillet, Gjykata Kushtetuese ka për obligim t’i sqarojë pasojat ligjore.
Ato, thotë ai, mund të përfshijnë marrjen e mandateve të deputetëve të tanishëm dhe zëvendësimin e tyre me kandidatët pasues në listat e partive parlamentare.

Ai nuk e përjashton as mundësinë që, si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh, Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë dhe të sqarojë mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja.
Bugqaku thotë se përgjegjësia kryesore fillimisht bie mbi partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, që duhet të tentojë të arrijë kompromis me partitë e tjera për të propozuar një kandidat për kryeparlamentar që merr së paku 61 vota.

Në rast se emri i Haxhiut nuk arrin të marrë shumicën e nevojshme dhe LVV-ja propozon një kandidat tjetër, përgjegjësia bie mbi të gjithë deputetët, thotë ai.

“Gjykata po kërkon një lloj përgjegjësie të dyfishtë dhe një lloj balancimi të dyfishtë të kosntituimit të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh, duke theksuar se është detyrim i të gjithë deputetëve që të votojnë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se shqetësimet e LVV-së se e drejta për propozim mund t’i kalojë një partie të dytë, janë të bazuara.

“Kjo e drejtë mund të ndryshojë vetëm në një situatë – nëse grupi më i madh parlamentar e keqpërdor të drejtën e propozimit për kryetar Kuvendi, si një mundësi për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit”, thotë Bugaqku, duke theksuar se edhe partitë e tjera duhet të jenë të kujdesshme, pasi refuzimi i kandidaturave pa arsye, i bën përgjegjëse për mosrespektimin e vendimit të Kushtetueses.

“Moszbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese është ekuivalent me moszbatimin e Kushtetutës”, pohon edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në një deklaratë të lëshuar më 19 gusht, Presidenca e Kosovës tha se konstituimi sa më i shpejtë i organit ligjvënës “është urgjencë shtetërore”./REL/

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme