Rajoni 29 Prill 2026, 13:02 Nga VNA

Kur do të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë dhe cilat janë dy datat e mundshme

Ndaje në Whatsapp

Kur do të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tani ka pak më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të tretat radhazi brenda rreth një vitit e gjysmë.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Por, kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Cilat janë data e mundshme për ditën e zgjedhjeve?

Janë vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor, sipas Melos Kolshit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Për shkak se presidenti nuk u zgjodh brenda afatit prej 34 ditësh që Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur në një aktgjykim në mars, Kuvendi u shpërnda automatikisht më 28 prill, shpjegon Kolshi për Radion Evropa e Lirë (REL).

Përndarja e Kuvendit, sipas tij, nënkupton nisjen e menjëhershme të procesit drejt zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.

“Në këtë mënyrë, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, krijohet një rend i detyrueshëm veprimesh: së pari, shpërndarja automatike e Kuvendit si pasojë kushtetuese; së dyti, aktivizimi i kompetencës së ushtrueses së detyrës së presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve; dhe së treti, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thotë Kolshi për REL-in.

Si caktohet data e zgjedhjeve?

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duhet tani t’i ftojë partitë politike në takim për të biseduar për datën e parapëlqyer për mbajtën e zgjedhjeve.

Këtë herë, ato do ta kenë më të lehtë të zgjedhin, sepse kanë vetëm dy opsione: 31 majin, ose 7 qershorin.

Pas një takimi të tillë dhe pajtueshmërisë për datën e zgjedhjeve, Haxhiu duhet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë.

“Ky vendim duhet të merret brenda një afati prej 10 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa data e zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje me kufijtë kohorë të përcaktuar me ligj, përkatësisht zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë nga dita e shpërndarjes”, tregon Kolshi.

Pse vetëm dy data të mundshme?

Gjithë këto zhvillime kanë bërë që të mos ketë shumë opsione.

Përveç afatit kohor prej 30 deri në 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, ekziston edhe një praktikë zgjedhore në vend që lë kaq pak hapësirë: mbajtja e zgjedhjeve në një ditë fundjave.

“Gjithashtu, ligji kërkon që zgjedhjet të mbahen në një ditë të diel, duke respektuar praktikën dhe standardet zgjedhore; në këtë rast konkret, duke pasur parasysh se data e shpërndarjes së Kuvendit është 28 prill, datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 31 maj dhe 7 qershor”, shpjegon Kolshi.

Sipas Kolshit, ky zhvillim përfaqëson një shembull tipik të mënyrës se si Gjykata Kushtetuese, përmes interpretimit të saj, ka saktësuar dhe operacionalizuar normat kushtetuese, duke krijuar një mekanizëm të qartë dhe automatik për zgjidhjen e krizave institucionale.

“Njëkohësisht e ka kufizuar hapësirën për ndërhyrje diskrecionale nga ana e ushtrueses së presidentit në këtë rast, e po ashtu ka kufizuar mundësitë për ndonjë abuzim eventual me të drejtat e afatet nga ndonjë subjekt”, përfundon ai./REL/

Video

Batuta e Mbretit Charles ndaj Trump: Mos të ishim ne ju do flisnit frëngjisht

Detaje tronditëse lajmesh kanë dalë në dritë mbi dënimet ekstreme të dhëna në Korenë e Veriut, duke përfshirë të burgosur të rrahur për vdekje me çekiç, një grua shtatzënë të ekzekutuar dhe një menaxher ferme të qëlluar pasi zemëroi Kim Jong Un. Në disa nga rastet më tronditëse, të burgosurit u vranë në 'ekzekutime të fshehta brenda' duke përdorur armë të forta, ndërsa të arratisurit thanë se ishin dëshmitarë të të shtënave me armë të tilla ndaj të miturve pavarësisht pretendimeve zyrtare se dënime të tilla janë të ndaluara.

Kreu i SPAK, Klodian Braho pret në një takim Ministren e Drejtësisë së Austrisë

Osmani: Rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, hapen nga populli Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot pasi Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Osmani ka thënë se “rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme