Rajoni 12 September 2025, 18:10 Nga VNA

James Rubin do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e Hashim Thaçit

Ndaje në Whatsapp
James Rubin do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e Hashim

James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka shërbyer si ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, ka njoftuar se javën e ardhshme do të dëshmojë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nis paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve më 15 shtator.

“Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për Krime Lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për emisionin Christiane Amanpour Presents: The Ex Files with James Rubin.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti i Kosovës Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.

Rubin, që ka qenë një figurë e rëndësishme gjatë luftës në Kosovë, ka dhënë një intervistë për Radion Evropa e Lirë në vitin 2023, ku ka folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj UÇK-së. Ai deklaroi se në fillim, përpara se të njihte të gjithë informacionin, aktivitetet e grupeve shqiptare i kishin konsideruar si aktivitete terroriste. Megjithatë, me zhvillimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë pjesë qendrore e këtij procesi, dhe Hashim Thaçi, gjatë bisedimeve të Rambujesë, mori vendimin e guximshëm për të pranuar Marrëveshjen e Rambujesë, duke mundësuar kështu mbështetjen e NATO-s për shqiptarët e Kosovës. Rubin theksoi se ky vendim kishte lejuar që qytetarët e Kosovës të jetonin më të lirë dhe më të sigurt në një qytet modern evropian si Prishtina.

Sipas Rubin, UÇK-ja ka luajtur rol vendimtar në zbatimin e marrëveshjeve dhe çmilitarizimin pas përfundimit të luftës. Ai nuk kishte komentuar lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Më 15 shtator, ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Pas përfundimit të kësaj faze nga mbrojtja e Thaçit, rasti do të paraqitet edhe nga ekipi i Krasniqit. Më 16 korrik 2025, ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit njoftuan se nuk do të paraqesin ndonjë dëshmi mbrojtëse. Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se në mesin e dëshmitarëve që do të thërrasë do të ketë edhe figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. “Nuk mund të them emrat në publik sepse bëhet fjalë për persona me staturë të lartë, shumë të njohur, si sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori Dole etj.”, tha njëri nga avokatët e Thaçit gjatë një konference statusore më 19 gusht.

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë, të cilët do të japin dëshmi në seanca të hapura. Ndërkohë, mbrojtja e Krasniqit ka bërë të ditur se dy dëshmitarë do të japin dëshmi në gjykatë, ndërsa dy të tjerë do të japin dëshmi me shkrim, të cilat janë dorëzuar tashmë prokurorëve.

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara pritet që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel ka kërkuar gjithashtu që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti. Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Gjatë më shumë se dy vjetëve të fundit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thirrur 125 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale. ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përfunduar paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020, por u bë publike një muaj më vonë. Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi personale, si dhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme dhe torturimin e qindra viktimave. Aktakuza thekson se të katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe kishin qëllim të përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën, duke përdorur të gjitha mjetet, përfshirë frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e kundërshtarëve.

Video

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme