Rajoni 7 November 2025, 15:14 Nga VNA

Beogradi nën 'presion': Rusia kërkon shpjegime për deklaratat mbi shitjen e municioneve në Ukrainë

Ndaje në Whatsapp
Beogradi nën 'presion': Rusia kërkon shpjegime për

Rusisë i ka kërkuar të premten Beogradit sqarime në lidhje me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e shitjes së municionit Bashkimit Evropian, pas shqetësimeve në Moskë se ai mund të përfundojnë në Ukrainë.

Në një intervistë rishtazi për revistën gjermane Cicero, Vuçiq u citua të ketë thënë se Serbia ishte e gatshme t’u shiste municion partnerëve evropianë, edhe nëse armët do të përfundonin në Ukrainë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha në konferencën e rregullt për media se Serbia e ka siguruar disa herë Rusinë se municioni i saj nuk do të përfundojë në duart e Ukrainës.

“Prandaj komentet e Vuçiqit kërkojnë një shpjegim zyrtar nga Beogradi”, tha Zakharova të premten në Moskë.

“Blerësit le të bëjnë me mallin çfarë të duan”, kishte thënë Vuçiq në intervistën për Cicero më 30 tetor.

Të premten, sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq, tha se Serbia nuk furnizon me armatim dhe pajisje ushtarake palët që janë në luftë askund në botë.

Duke iu përgjigjur Moskës, ajo theksoi se Beogradi respekton rreptësishtë rregullat dhe normat ndërkombëtare dhe ato të Kombeve të Bashkuara.

Ajo shtoi se Ministria e Punëve të Jashtme është e habitur nga komentet e Zakharovës lidhur me këtë çështje.

“Dëshirojmë të theksojmë se Serbia është shtet sovran dhe i pavarur, i cili vendimet i merr vetëm në përputhje me interesat e veta kombëtare. Nga përfaqësuesit e vendeve mike presim respektimin e këtij fakti”, deklaroi Jovanoviq.

Ajo kujtoi gjithashtu se Serbia është i vetmi vend në Evropë jashtë Komunitetit të Shteteve të Pavarura – një organizatë që përfshin disa shtete ish-sovjetike – që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Vlen të kujtohet se vendi ynë nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në procesin e anëtarësimit në BE që nga dhjetori 2021, edhe pse ka mundur ta bëjë këtë. Është mjaft domethënëse, dhe sigurisht jo rastësi, që kjo datë përkon me fillimin e luftës në Ukrainë”, përfundoi Jovanoviq, duke shtuar se Serbia do të vazhdojë ta udhëheqë politikën e saj sipas interesave të veta.

Gazeta Ukrainska Pravda, pas intervistës së Vuçiqit për Cicero, raportoi se depot e municionit në Serbi janë të mbushura, veçanërisht me granata mortajash.

“Serbia është e gatshme t’u ofrojë miqve në Evropë gjithçka që ka dhe kjo është një kontribut i jashtëzakonshëm për sigurinë evropiane”, tha Vuçiq sipas Ciceros.

Ai shtoi se Serbia është plotësisht e përgatitur të bashkëpunojë me BE-në në çështjet ushtarake dhe se pret përgjigjet nga vendet evropiane për propozimin e saj.

Pas këtyre deklarimeve reagoi edhe Dmitri Peskov, zëdhënësi i presidentit të Rusisë Vladimir Putin, i cili tha se Rusia e kupton “presionin e jashtëzakonshëm” që po ushtrohet ndaj Serbisë dhe çështjen e eksportit të armëve serbe e përshkroi si “çështje aspak të thjeshtë”.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR) kishte deklaruar në qershor se kompanitë serbe kanë rritur furnizimet indirekte të armëve për Ukrainën përmes vendeve të BE-së, si Çekia dhe Bullgaria.

Në të njëjtën kohë, Beogradi njoftoi se kishte pezulluar eksportin e municionit, armatimit dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në Serbi, pas kritikave nga Moska dhe gjatë konfliktit izraelito-iranian.

Vuçiq deklaroi më 23 qershor se municioni, deri në njoftimin e radhës, do t’u shpërndahej vetëm njësive ushtarake brenda vendit dhe konfirmoi gjithashtu se Serbia i kishte shitur municion Izraelit pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë dhe Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, të dërguara më 6 nëntor, nëse që nga 23 qershori e deri më sot janë eksportuar armë ose pajisje ushtarake nga Serbia.

Beogradi ka mohuar vazhdimisht se Serbia eksporton drejtpërdrejt armatim në Ukrainë ose Rusi, dhe ka deklaruar se nuk mund të ndikojë nëse armët serbe, pasi shiten në vende të treta, përfundojnë në frontin ukrainas.

Nuk dihet saktësisht se sa eksporton Serbia, pasi raportet e Ministrisë së Tregtisë nuk janë publikuar prej vitesh. Raporti i fundit i tillë, sipas kërkimit të portaleve zyrtare, është publikuar për vitin 2022.

Në atë dokument thuhet se gjatë periudhës 2005–2022, vlera totale e licencave të realizuara për eksport të mallrave me përdorim të dyfishtë ka qenë 77.97 milionë dollarë.(REL)

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme