Rajoni 19 Gusht 2025, 16:19 Nga VNA

Avokati tregon emrat e dëshmitarëve që do mbrojnë Thaçin, në mesin e tyre edhe dëshmia e Albright

Ndaje në Whatsapp
Avokati tregon emrat e dëshmitarëve që do mbrojnë

Në konferencën përgatitore për mbrojtjen e rastit “Thaçi dhe të tjerët”, avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper, njoftoi se një listë e gjerë dëshmitarësh do të përdoret në procesin e mbrojtjes në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Duke marrë parasysh që në këtë fazë të procesit, dëshmitë mund të pranohen edhe në formë të shkruar, Prosper bëri të ditur se ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, diplomati Richard Holbrooke dhe senatori Bob Dole, janë ndër figurat ndërkombëtare që do të dëshmojnë.

Ai theksoi rëndësinë e informacionit që do të paraqitet:

“Kemi pasur komunikim të vazhdueshëm, kanë thënë se po e trajtojnë kërkesën. Janë shumë të informuar, mirë të informuara, sa i takon procesverbaleve, disa sqarime, dhe çështjes së këtyre dëshmitarëve. Pra, sikurse mund ta vëreni kemi një listë të gjerë të dëshmitarëve. Nuk mund t’i them këta emra në publik, por megjithatë bëhet fjalë për persona me ministatur të madhe, domethënë persona që janë shumë të njohur, si për shembull sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori Doll…Informacioni që ne kemi është shfajësues dhe për këtë arsye është e rëndësishme për ta vendosur në kontekst. Është informacion shfajësues dhe kemi të bëjmë me informacion që lidhet drejtpërsëdrejti me lëndën e Prokurorisë.”

Gjatë konferencës, avokati Luka Mishetiq, përfaqësues i ekipit mbrojtës të Thaçit, njoftoi se synojnë të përmbyllin paraqitjen e dëshmitarëve deri në fund të muajit nëntor:

“Ne propozojmë këtë që deri në fund të nëntorit do të përfundojmë të gjitha dëshmitë. Pastaj, të na u jepet pak kohë më mbrapa njësoj, si dhe Prokurorisë mbase ka ndonjë mocion që se kemi dorëzuar ende dhe duhet trajtuar, mund të kemi mocione të provave jogojore, sidomos për dokumente që nuk do të pranohen përmes dëshmitarëve dhe ta mbyllim dhe ne paraqitjen e provave njësoj si prokuroria.”

Mbrojtja e Jakup Krasniqit, e përfaqësuar nga avokati Aiden Ellis, deklaroi se për paraqitjen e provave u nevojitet një javë, pa llogaritur kohën për kundërpyetje:

“Sa i takon afatit për provat tona, po flas pa marrë parasysh kundërpyetjet, por për dy dëshmitarët e rregullës 154 që do të kemi ne, mendoj që neve na duhet një javë, jo më shumë.”

Ai shtoi se përfundimi i paraqitjes së provave nga mbrojtja e Krasniqit do të varet nga përfundimi i paraqitjes së provave nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

Data e fillimit të paraqitjes së provave nga mbrojtja u konfirmua gjatë konferencës për ecurinë e procesit, me kryetarin e trupit gjykues, Charles Smith III, që njoftoi se kjo fazë pritet të nisë më 15 shtator 2025.

Ndërkaq, mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka hequr dorë nga e drejta për të paraqitur prova në këtë rast.

Gjithashtu, më 18 gusht 2025, Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosën kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.

Ndonëse Prokuroria kërkoi që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, kërkesa u miratua për 11 të tjerë. Vizitat u ndaluan për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të Thaçit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për Thaçin”, thuhet në vendim. Vendimi u mor më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot./Kosovapress

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme