Rajoni 10 Shtator 2025, 22:34 Nga VNA

Arrestohet kameramani që filmoi vajzat e Vjosa Osmanit në shkollë, presidentja e Kosovës: Përndjekje e rrezikshme dhe e kundërligjshme

Ndaje në Whatsapp
Arrestohet kameramani që filmoi vajzat e Vjosa Osmanit në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas arrestimit të një kameramani ditën e mërkurë, duke akuzuar disa përfaqësues të mediave për cenimin e sigurisë së fëmijëve të saj.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Osmani ka bërë të ditur se vajzat e saj kanë ndjekur për pesë vite shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, pavarësisht sfidave serioze të sigurisë dhe infrastrukturës që, sipas saj, janë të njohura për institucionet përgjegjëse.

Ajo ka ngritur shqetësimin se disa gazetarë kanë publikuar pamje të vajzave të saj, si dhe informacione të ndjeshme për vendndodhjen, klasat dhe rutinën e tyre të përditshme, duke i ekspozuar ato ndaj rreziqeve të mundshme si sulme, kërcënime apo rrëmbim.

Presidentja paralajmëroi se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm ligjor për të mbrojtur fëmijët e saj nga, siç e cilësoi ajo, “përndjekja e përsëritur” dhe veprimet që konsideron të rrezikshme dhe në kundërshtim me ligjin.

Reagimi i plotë:

REAGIM NDAJ PËRNDJEKJES SË VAZHDUESHME, TË KUNDËRLIGJSHME E TË RREZIKSHME QË MEDIA TË CAKTUARA I BËJNË VAJZAVE TË MIA TË MITURA

Për pesë vite me radhë, vajzat e mia kanë shkuar në shkollën publike "Ismail Qemali" në Prishtinë. Jam falënderuese përjetësisht ndaj mësueses së tyre të shkollës fillore, e cila, sikurse edhe për çdo nxënës tjetër, është siguruar që vajzat tona të mësojnë maksimalisht e të marrin hapat e parë e të sigurt drejt zhvillimit të tyre profesional. Falënderuese edhe ndaj pjesës tjetër të stafit të shkollës dhe udhëheqjes së shkollës për bashkëpunimin e tyre me prindërit.

Përgjatë këtyre pesë viteve, sikurse edhe nxënësit e tjerë në këtë shkollë, edhe vajzat e mia janë përballur me probleme me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokada totale të toaleteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë (me rreth 4 mijë nxënës në shkollë, rreth 40 nxënës në një klasë), konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës, e çka jo tjetër.

Por asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë. Asnjëherë nuk kanë shkruar për plot politikanë të tjerë, e në veçanti për gazetarët e shumtë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda e jashtë vendit.

E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëvë të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot.

Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë. Kjo praktikë ekziston kudo në botë.

Por çka dihet qartë është se një pjesë e rëndësishme e këtij rreziku shkaktohet pikërisht nga disa prej këtyre të ashtuquajtur gazetarë. Në cilin vend demokratik ekspozimi dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve bie brenda suazave të lirisë së shprehjes? Në asnjë.

Fëmijët e mitur, të kujtdo qofshin ata, nuk janë subjekt i interesit publik politik, por imazhet dhe incizimet e paautorizuara të tyre në rrethana private shkaktojnë rrezik për sulme, kanosje e kidnapime eventuale, duke i bërë publike rutinat dhe lokacionet e tyre – përkundër vlerësimit të policisë se një gjë e tillë është në kundërshtim me rregullat e sigurisë.

Prandaj, do të ndërmarr çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj. Këto incizime të paautorizuara, shpesh deri në nivel të përndjekjes, për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata.

Ndryshimi i lokacionit të shkollës është bërë për shkak të problemeve të shkaktuara nga niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe për shkak të ndryshimit të lokacionit ku jetojmë, ndërkohë që shkolla "Ismail Qemali" tashmë është shumë larg nga vendbanimi ynë.

Për fund, si Presidente nuk kam asnjë kompetencë të vetme në çështje që lidhen me sistemin arsimor, përveç se të jap sugjerime – gjë që e kam bërë vazhdimisht. Ato bien ekskluzivisht në kompetencë të nivelit lokal (komunës) dhe atij qendror (qeverisë). Kjo nuk do të thotë që nuk janë bërë përpjekje e përmirësime, mirëpo sfidat janë ende tepër të mëdha e të vazhdueshme.

 

Video

Pak ditë përpara aksidentit tragjik me 41 viktima në Spanjë, në rrjetet sociale u publikua një video nga një pasagjere, në të cilën evidentoheshin dridhje të pazakonta gjatë udhëtimit me tren, çka tregonte për probleme në infrastrukturën hekurudhore.

Momentet e para të rikthimit të energjisë elektrike mbrëmë në QSUT, pas minutave të errësirës që krijuan ankth dhe pasiguri në godinat ku funksionojnë shërbime jetike.

Lëre oqeanin Evis. Rregullo dritat në QSUT.

Ish kreu Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, tashmë zyrtarisht i pandehur, është paraqitur sot në SPAK i shoqëruar nga avokati. Roshit iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre,” pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tenderat gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës. https://www.vna.al/kronika/ish-kryebashkiaku-i-kavajes-elvis-roshi-paraqitet-ne-prokurorine-e-posac-i19092

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme