Rajoni 15 Shtator 2025, 21:15 Nga VNA

Analiza e REL: Si u prit në Kosovë dëshmia e James Rubinit në mbrojtje të Thaçit në Hagë?

Ndaje në Whatsapp
Analiza e REL: Si u prit në Kosovë dëshmia e James Rubinit

Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, është parë si e rëndësishme dhe vendimtare në favor të mbrojtjes së ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, si dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, tha se ai nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët e UÇK-së.

“Ishte e qartë për mua se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte dijen, aftësitë apo autoritetin për të marrë vendime në asnjë mënyrë”, tha Rubin para gjykatës të hënën.

Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza që ata i kanë mohuar plotësisht. Rubin gjithashtu dëshmoi se nuk kishte asnjë informacion që e lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.

Cilat ishin reagimet?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha për dëshminë e Rubinit se në Hagë “po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”.

“Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”, shkroi Krasniqi në Facebook. Krasniqi, i cili tani udhëheq partinë të cilën për vite të tëra pas luftës së vitit 1998-‘99 e udhëhoqi Thaçi dhe pastaj Veseli – shtoi se “me Shtetet e Bashkuara krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!” Rubin është ish-ndihmës sekretar i shtetit për çështjet e informacionit publik dhe zëdhënës kryesor i Madeleine Albright kur ajo ishte sekretare e shtetit në administratën e Klintonit. Ai ishte me Albrightin në bisedimet e paqes në Francë në vitin 1999 dhe më vonë shërbeu si negociator i posaçëm në bisedimet për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Rubin e përshkroi Thaçin para gjykatës si një “figurë politike” pa pushtet të vërtetë.

Analisti politik, Agon Maliqi, shkroi në Facebook se dëshmia e Rubinit “është dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm historik që i përmbys shumë narracione propagandistike”.

“Ai e çmonton argumentin kryesor të prokurorisë, e të cilin e di çdo njeri në Kosovë me sens arsyeje, se UÇK ka pasur strukturë qendrore të konsoliduar apo dhe të aftë për të udhëzuar dhunë dhe krime në mënyrë sistematike”, theksoi Maliqi.

Sipas tij, dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan e “jep pasqyrën e një grupi të decentralizuar dhe kaotik që vepronte në rrethanat e përballjes me një shtet me plane shfarosëse që u materializuan në Bosnje – kontekst kyç të cilin prokuroria e anashkalon krejtësisht, thuajse UÇK doli maleve për të kontrolluar territor prej pikës së qejfit”.

Ai beson se dëshmia e tij e bazuar në raporte të inteligjencës gjithashtu “nuk mundohet ta mohojë ekzistencën e krimeve sporadike ndaj civilëve, por e konteston idenë se ajo ka qenë e organizuar dhe aludon – saktësisht do të thosha – se ajo ishte më shumë produkt i kaosit dhe mungesës së kontrollit, si dhe e tërheq vërejtjen se ka pasur edhe propagandë të Beogradit”.

“Është e qartë se krimet e dokumentuara nga prokuroria kanë qenë më shumë qërim lokal hesapesh apo sulme hakmarrëse, dhe se viktimat e tyre meritojnë drejtësi. Por, prokuroria e Speciales qartazi e ka humbur adresën e kësaj përgjegjësie duke u munduar ta ndërtojë një akuzë politike, duke prodhuar kështu padrejtësi të dyfishtë”, përfundoi Maliqi.

Për drejtorin e Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulëzim Peci, dëshmia e Rubinit si dëshmitar i mbrojtjes të ish-presidentit Thaçi, nuk ishte “vetëm një dëshmi e thjeshtë gjyqësore!”

“Kjo dëshmi është edhe një ligjëratë publike e dorës së parë për historinë moderne të Kosovës, lidershipin vizionar të shqiptarëve, luftën e UÇK-së dhe rrugëtimin e saj drejt pavarësisë!” shkroi Peci në Facebook.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në një postim në Facebook, tha se ndihet mirënjohëse dhe falënderuese për praninë dhe gatishmërinë e Rubinit për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Dëshmia e tij e qartë, e drejtë dhe e bazuar në të vërtetën, është një dëshmi tjetër e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, në veçanti gjatë luftës sonë çlirimtare dhe në mbrojtje të vlerave të UÇK-së”, tha ajo.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023. Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi në mesin e shtabit të përgjithshëm. Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe njerëzve që nuk donin të merrnin pjesë në luftime. Në mbrojtje të ish-eprorëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë edhe disa dëshmitarë të tjerë, përveç Rubinit, i cili do të kthehet në bankën e dëshmitarit edhe të martën. Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre është konfidenciale. Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë. Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Video

Lëvizja "Shqipëria Bëhet" ka dorëzuar sot në SPAK një padi për çmimin e naftës.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit, një lokal në zonën e Qafë Shtamës është përfshirë nga flakët, duke u djegur plotësisht së bashku me bujtinën përreth. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas pronarit të objektit, Bukurosh Balliu, dyshohet se shkak i ngjarjes kanë qenë luhatjet e tensionit elektrik, të ardhura si pasojë e erërave të forta. Këto luhatje mendohet se kanë krijuar shkëndija, të cilat më pas kanë çuar në përhapjen e flakëve.

Të paktën gjashtë persona u plagosën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë që goditi Japoninë veriore të hënën Sipas Japan Meteorological Agency, lëkundja ndodhi në Oqeanin Paqësor pranë prefekturës Iwate në ishullin Honshu. Agjencia raportoi një magnitudë prej 7.7 ballësh, ndërsa United States Geological Survey e vlerësoi atë në 7.4. Menjëherë pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami, me valë të mundshme deri në tre metra. Një valë deri në 80 centimetra u regjistrua në portin e Kujit, ndërsa valë më të vogla goditën zona të tjera të Japonisë veriore. Më vonë, alarmi për cunami u hoq.

U.S. Central Command ka publikuar pamje nga një operacion ushtarak në Detin Karaibe, ku forcat e Shtetet e Bashkuara goditën një anije të dyshuar për trafik droge. Sipas njoftimit, tre persona të dyshuar si pjesë e trafikut të drogës u vranë gjatë operacionit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme