Rajoni 26 October 2025, 18:17 Nga VNA

Albin Kurti nuk siguron votat për krijimin e qeverisë, DW: Kosova po shkon në një krizë të re institucionale

Ndaje në Whatsapp
Albin Kurti nuk siguron votat për krijimin e qeverisë, DW: Kosova po

Albin Kurti, i cili për më shumë se katër vitet e shkuara qeverisi në Kosovë, nuk arriti të sigurojë shumicë parlamentare për krijimin e qeverisë, ndonëse ishte partia e parë fituese me 42%.

Kuvendi i Kosovës, i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, nuk arriti të zgjedhë qeverinë e re të Kosovës me mandatar Albin Kurtin. Kryeministri që qeverisi në Kosovë për më shumë se katër vjet, mori vetëm 56 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Kurtit i duheshin të paktën 61 vota, si minimumi i nevojshëm. 52 deputetë të partive të deritashme opozitare votuan kundër, ndërsa 4 abstenuan.


Kryeparlamentari i Parlamentit të Kosovës, Dimal Basha, pas dështimit që Kurti ta marrë shumicën e nevojshme për ta bërë qeverinë e re, tha se “tash përgjegjësia kalon te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani”, e cila, siç ka deklaruar më herët, do t’i thërrasë të gjitha partitë politike, nëse ndonjëra nga to siguron shumicë parlamentare.

 

Reagimet e partive opozitare


Përfaqësues të partive politike të deritashme opozitare thanë se që nga përfundimi i zgjedhjeve të nëntë shkurtit, e kanë ditur se Albin Kurti nuk i ka shifrat e nevojshme për formimin e qeverisë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha pas seancës se “sot është vërtetuar që Albin Kurti po e mban vendin peng”.

“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolimin, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”, përsëriti Krasniqi. Sipas tij, “secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën”.

Në këtë linjë u shpreh edhe shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila tha se votimi në seancën e së dielës e dëshmoi që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e nevojshme për të formuar një qeveri të re, edhe pse këtë gjë e kishte thënë vazhdimisht.

“Kur partitë nuk arrinin të pajtoheshin për postin e Kryetarit të Kuvendit, përfaqësues të LVV-së thonin se ata nuk i kishin numrat për këtë post, por i kishin votat e nevojshme për qeveri të re. U vërtetua ajo që e kemi ditur që nga fillimi: që LVV-ja, edhe pse fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk i ka numrat për të formuar qeverinë e re”, tha Bajrami. Sipas saj, “ajo që ndodhi sot është që ne po shkojmë drejt procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Mungesë e dialogut politik


Organizatat e shoqërisë civile që vazhdimisht monitorojnë zgjedhjet dhe punën e Kuvendit, KDI, në një deklaratë për media, thanë se janë të “zhgënjyera nga dështimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të formuar qeverinë e re.”

“Ky rezultat është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së dialogut politik dhe e dështimit për të arritur marrëveshje që do të mundësonin funksionimin normal të institucioneve të vendit”, thuhet në reagimin e KDI-së. Sipas KDI-së, si pasojë e “bllokadës dhe polarizimit të thellë politik, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte zgjidhja më e mirë.”

“Në këto rrethana, zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfaqësojnë opsionin më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për t’i dhënë fund kësaj krize dhe për t’i rikthyer qytetarëve mundësinë për të përcaktuar drejtimin politik të vendit”, thuhet në reagimin e KDI-së, e cila vë në pah se megjithatë, “as zgjedhjet nuk garantojnë se do të formohen institucionet e reja, nëse nuk ka vullnet për konsensus politik dhe kompromis.”

Zgjedhje të reja të jashtëzakonshme?


Sidoqoftë, pas dështimit të Albin Kurtit që të formojë qeverinë e re, Kosova po shkon në një krizë të re institucionale, me gjasë drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Në fillim të kësaj jave, gjatë një vizite në Londër, vetë Albin Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë e re dhe vlerësoi se “zgjidhje alternative është edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare.”

Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës përcakton që, nëse përbërja e propozuar e qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidentja e Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për të krijuar qeverinë brenda dhjetë ditësh. Presidentja këtë e tha edhe në një intervistë për DW.
“Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë, si presidente e vendit, do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, tha Presidentja Osmani.
I mandatuari i dytë për kryeministër, kushdo që të jetë, sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e qeverisë. E nëse as herën e dytë i mandatuari nuk arrin të sigurojë shumicë parlamentare, atëherë presidentja e Kosovës është e obliguar të shpallë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Video

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme