Rajoni 5 Shtator 2025, 08:05 Nga VNA

A u cenua siguria e Kosovës nga çifti i dyshuar për spiunazh?

Ndaje në Whatsapp
A u cenua siguria e Kosovës nga çifti i dyshuar për spiunazh?

Rasti i arrestimit të dy personave në Kroaci mbi dyshimet për spiunazh për Serbinë, i bërë i njohur në fund të gushtit, vazhdon të jetë plot me të panjohura, ashtu sikurse veprimtaria të cilën ata akuzohen ta kenë kryer në Kosovë.

Një pilot kroat, i identifikuar si J.I., i cili u tha se ka shërbyer në misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, dyshohet se ka zbuluar tek e dashura e tij, A.M., serbe nga Mitrovica e Veriut, informacione të ndjeshme, të cilat, më pas, ajo thuhet se ia ka përcjellë partisë kryesore të serbëve në Kosovë. (Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka mohuar se e njeh të dyshuarën për spiunazh).

Media kroate, Slobodna Dalmacija raportoi se hetuesit, mbi bazën e një urdhri gjyqësor, kanë kontrolluar pajisjet e tyre mobile dhe komunikimet, ku kanë gjetur mesazhe komprometuese që i kanë shtyrë të dyshojnë për spiunazh ndërkombëtar.

Që të dyve u është caktuar masa e paraburgimit, por i gjithë hetimi mbetet i fshehtë, me qëllim që, siç kanë argumentuar autoritetet kroate, të mos dëmtohet procesi.

Në Kosovë, rasti ngriti një pyetje të rëndësishme: a u rrezikua siguria kombëtare e vendit?

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me ndikimin e mundshëm të këtij rasti në sigurinë e brendshme.

Për Jeta Loshajn, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ky rast i dyshuar, të cilin ajo e konsideron serioz, nuk ka paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë, pasi argumenton se nuk ka informacione se “janë komprometuar informacione kritike mbi Kosovën apo Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

“Por, në plan më të gjerë, siguria kombëtare e Kosovës është cenuar nga fakti që shërbimet serbe, në bashkëpunim me ato ruse, po vazhdojnë të tentojnë të depërtojnë në struktura të ndejshme, dhe të testojnë rezistencën e sistemeve të sigurisë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, vlerëson se rastet e spiunazhit nga shtete armiqësore janë të komplikuara, dhe mund ta rrezikojnë sigurinë kombëtare.

Rasti i fundit “është dëshmi që Kosova vazhdimisht përballet me luftë të ashpër, agresive, përmes inteligjencës armiqësore serbe, ruse e të tjera”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se rastet e spiunazhit mund të marrin disa vite kohë për t’u zgjidhur.

“Luftë e hapur spiunazhi me NATO-n”

Ramadani dhe Loshaj e shohin këtë rast të dyshuar si një përpjekje më të gjerë të Serbisë për të depërtuar në sistemet e sigurisë së Kosovës, i cili tregon edhe qasjen, sipas tyre, armiqësore të Beogradit ndaj NATO-s, ku Serbia nuk është anëtare, por bën pjesë në Programin e saj të Partneritetit për Paqe.

“Në aspektin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, ky është një prej rasteve që e dëshmon që shteti armiqësor, Serbia, jo vetëm që është jobashkëpunues dhe ka ambicie armiqësore ndaj shteteve të tjera, por tenton që në mënyrë armiqësore të përdorë asete ose instrumente të shteteve të NATO-s, dhe kjo është luftë e hapur spiunazhi, që Serbia e bën edhe me NATO-n, jo vetëm me Kosovën”, thotë Ramadani.

Një shqetësim që ngre Loshaj është se informacionet që mund të jenë mbledhur, si për bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n, ashtu edhe për vetë trupat e aleancës, mund të jenë transferuar edhe në Rusi – “që i bie se kjo situatë mund të lidhet edhe me rivalitetet gjeopolitke që i shohim tani”, thotë ajo.

Sipas saj, ky duhet të jetë alarm se sistemet e sigurisë nuk kufizohen vetëm në nivel bilateral, por kanë dimensione më të gjera.

“Është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Serbisë për të testuar rezistencën e NATO-s dhe për të identifikuar dobësi në arkitekturën e sigurisë euroatlantike”, thotë ajo.

Dy njohësit e sigurisë e shohin si sukses ndaljen e të dyshuarve, teksa Ramadani thotë se, përtej individëve, vlera e operacionit kroat mbetet te “shkatërrimi i operacioneve armiqësore”.

Megjithatë, Loshaj thotë se ky rast i dyshuar i spiunazhit nxori në pah se ka boshllëqe të sigurisë, “sikurse dobësia e koordinimit më të thellë mes NATO-s, Kroacisë dhe Kosovës, për të adresuar operacionet e Serbisë”.

Çfarë thanë autoritetet?

Autoritetet kroate, të cilat e zbuluan rastin, kanë dhënë pak detaje për të. Ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha më 2 shtator se reputacioni i ushtrisë kroate është dëmtuar, por jo edhe siguria kombëtare.

“Ai [piloti i arrestuar] nuk kishte atë nivel të lejes së sigurisë që t’i mundësonte të kishte të gjitha informacionet që i duheshin, të cilat mund të rrezikonin sigurinë dhe aftësinë e Forcave të Armatosura të Kroacisë”, deklaroi ai.

Kosova është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me Kroacinë, teksa Prokuroria Speciale i është drejtuar me shkresë autoriteteve të Zagrebit për të siguruar prova për shtetasen e Kosovës, A.M. Nga MPB-ja nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it nëse Kroacia ka kërkuar bashkëpunim.

Ramadani thotë se Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e A.M. në Kosovë, në mënyrë që ajo të përballet me drejtësinë, në vendin ku dyshohet se ka kryer veprimtarinë e spiunazhit.

Ndërkaq, pas zbulimit të rastit nga mediat kroate, Policia e Kosovës bastisishtëpinë e saj në Mitrovicë të Veriut, dhe aty gjeti “sprej, disa gëzhoja dhe fishekë”.

A.M. raportohet se në të kaluarën ka punuar në misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Mediat kroate kanë raportuar, duke u thirrur në burime, se ajopër tri vjet kishte grumbulluar dhe transferuar, përmes platformave të enkriptuara, të dhëna te Lista Serbe për lëvizjen e pjesëtarëve të KFOR-it dhe të serbëve në veri.

NATO-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “i merr me seriozitet” këto akuza, duke shtuar se e ka parësore sigurinë e personelit dhe të misionit të saj në Kosovë dhe “integritetin e informacionit të klasifikuar”.

Në KFOR, nga afër 4.800 pjesëtarë, 152 nga ta janë nga Kroacia./ REL

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme