Prishtina ka zyrtarizuar emërimin e Orges Shehit në postin e trajnerit të ekipit të parë, duke i besuar teknikut shqiptar drejtimin e skuadrës për sezonin e ri.
Klubi kryeqytetas e bëri publik lajmin përmes një videoje në rrjetet sociale, ku konfirmoi ardhjen e 48-vjeçarit në stolin bardhekaltër. Shehi merr vendin e Alban Dragushës, i cili u largua nga klubi pas përfundimit të sezonit me marrëveshje të përbashkët.
Trajneri shqiptar vjen te Prishtina pas eksperiencës së fundit me Tiranën, ndërsa më herët ka punuar edhe në futbollin kosovar, duke drejtuar Ballkanin nga fundi i vitit 2024 deri në nëntor të vitit 2025.
Gjatë karrierës së tij, Shehi ka qenë në krye të disa prej skuadrave më të njohura shqiptare, si Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe Tirana, duke krijuar një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin e rajonit.
Me afrimin e Shehit, Prishtina synon të rrisë ambiciet për sezonin e ardhshëm dhe të rikthehet në luftën për trofetë në futbollin kosovar, duke besuar se përvoja dhe filozofia e trajnerit shqiptar do të sjellin rezultate pozitive për skuadrën.






















