Politika 5 March 2026, 13:54 Nga VNA

Vendimi politik i PS mban zvarrë votimin për imunitetin e Ballukut

Ndaje në Whatsapp

Vendimi politik i PS mban zvarrë votimin për imunitetin e Ballukut

Mazhoranca socialiste refuzoi të enjten kërkesën e opozitës për të përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit votimin për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që kërkon autorizimin për një masë arresti ndaj deputetes Belinda Balluku.

Procedura parlamentare për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku po shkon drejt limiteve kohore, ndërsa mazhoranca socialiste po zvarrit votimin në seancë plenare me pretendimin se nuk kanë ende një qëndrim politik.

Në seancën e së enjtes, opozita kërkoi përfshirjen në rend të ditës të votimit të raportit të anëtarëve të saj në Këshillin e Mandateve dhe akuzoi mazhorancën se po kërkon të dështojë procedurën parlamentare, duke shkelur limitet kohore 3-mujore që parashikohen për këtë procedurë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se “kërkesa ka natyrë urgjente ndërkohë që dhe një javë ka mbetur që të konsiderohet e rrëzuar”.

Por, kryetari i grupit socialist Taulant Balla tha se PS nuk kishte ende gati raportin e saj dhe as një vendim ‘kolegjial’ të grupit të deputetëve, ndërsa premtoi se votimi në seancë do të bëhej pa shkelur limitin kohor të 3 muajve. Ai pretendoi se pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Mandateve palët kanë 2 javë kohë për të hartuar raportin dhe anëtarët socialiste nuk e kanë gati ende raportin e tyre.

“Ky grup parlamentar është serioz, ku nuk merren vendimet nga një person, nga kryetari i grupit, po janë vendime kolegjiale,” tha Balla.

Duke iu referuar afateve kohore, Balla shtoi se votimi do të bëhet në seancën e 12 marsit për të dy raportet.

Anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dorëzuan të hënën raportin e tyre, duke rekomanduar votën pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për një masë arresti ndaj ish-zv.kryeministres Balluku.

Raporti bazohet në provat e sjella nga SPAK në Kuvend, jurispudencën kushtetuese, opinionet e Komisionit të Venecias si dhe frymën e luftës antikorrupsion.

Kërkesa e SPAK u depozitua në Kuvend më datë 16 dhjetor 2025, ndërsa vendimmarrja e Kuvendit u zvarrit fillimisht nga Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi duke mos thirrur mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama mori përsipër mbrojtjen politike e ligjore të Ballukut nga një masë sigurie ‘pezullim nga detyra’ dhënë nga Gjykata e Posaçme, e cila u la në fuqi nga Gjykata Kushtetuese.

Në fund të procesit ligjor në Kushtetuese, Rama vendosi të shkarkonte Ballukun nga detyrat ekzekutive, shkarkim që u bë faktik në seancën e së enjtes me votën e 85 deputetëve.

Në seancë u votuan dhe shkarkimet e dy ministrave të tjerë, Elisa Spiropalit dhe Pirro Vengut dhe emërimi i ministrave të rinj në qeveri; Albana Koçiu si zëvendëskryeministre, Besfort Lamallari Ministër i Brendshëm, Toni Gogu Ministër Drejtësie, Ferit Hoxha ministër i Jashtëm, Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes, Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë  dhe Eriona Ismaili ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin./BIRN/

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme