Politika 17 Tetor 2025, 15:14 Nga VNA

Tjetërsimi i qindra votave në qarkun e Fierit kalon pa ndëshkime

Ndaje në Whatsapp
Tjetërsimi i qindra votave në qarkun e Fierit kalon pa ndëshkime

Manipulimi i votave preferenciale në qarkun e Fierit, i cili doli zbuluar pas një procesi rinumërimi në fillim të korrikut, rrezikon të mbetet i pandëshkuar. Gjetjet çuan në ndryshimin e një mandati deputeti brenda listës së Partisë Socialiste, por nuk u pasuan me hetime nga Prokuroria.

E pyetur nga BIRN nëse kishte hetime mbi çështjen, Prokuroria e Fierit dha një përgjigje evazive, duke konfirmuar se ende nuk ka një procedim të nisur.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier është në proces verifikimi dhe korrespondence me KQZ-në,” thuhet në përgjigjen zyrtare, pa specifikuar natyrën e verifikimeve apo nëse është regjistruar një procedim penal për manipulim të rezultatit.

KQZ nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN në lidhje me rastin dhe as nëse kishte referuar numëruesit në prokurori, siç është bërë në raste të ngjashme. Të pyetur për rastin, edhe deputetë të opozitës refuzuan të komentonin.

Për ekspertët që monitorojnë proceset zgjedhore, heshtja e institucioneve dhe partive politike nuk është rastësi, por dëshmi e pandëshkueshmërisë dhe marrëveshjeve politike që amnistojnë manipuluesit, pjesë e strukturave të tyre.

“Në një demokraci që kërkon t’i bashkohet Bashkimit Europian, është nevojë etike që institucionet të zbatojnë ligjin dhe të zbatojnë standarde të njëjta. Dhe rasti konkret do të duhet të ishte një model,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

Mbrojtja e numëruesve të partive

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste korri një fitore historike në qarkun e Fierit me 12 mandate nga 16 gjithsej. Por rezultati u mjegullua nga zbulimi i një skeme të tjetërsimit të votave mes kandidatëve të secilës parti gjatë procesit të rinumërimit.

Rasti më flagrant ishte ai i zëvendësministrit Ceno Klosi, i cili përfitoi 813 vota më shumë sesa kishte marrë realisht. Po ashtu, kandidatja demokrate Silvana Hasaj rezultoi me afro 700 vota plus. Ky tjetërsim solli ndryshimin e rezultatit brenda listës së PS, ku Maldrita Bardho fitoi mandatin në dëm të Zegjine Çaushit. Çaushi megjithatë mbeti deputete pasi Bardho zgjodhi të tërhiqej nga mandati.

Në atë kohë, drejtuesja politike e qarkut dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e cilësoi ndryshimin e rezultatit “produkt të gabimit njerëzor dhe të lodhjes”. Ajo këmbënguli se nuk pati “deformim të vullnetit”, pasi rezultati mes partive nuk ndryshoi. Ndërkohë Gazmend Bardhi që ishte drejtues politik i opozitës në qark akuzoi shumicën për votat dhe nuk komentoi mbi ndryshimin e votave të kandidatëve në listën e Partisë Demokratike.

Muaj më pas, asnjë prej numëruesve të përfshirë në këtë tjetërsim masiv të votës nuk është përballur me pasoja.

Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” e sheh këtë si një dëshmi të “marrëveshjes së heshtur mes palëve politike për të amnistuar numëruesit, të cilët zakonisht janë funksionarë të partive respektive”. Sipas tij, partitë nuk kanë vullnet të ndëshkojnë njerëzit e tyre dhe prandaj nuk bëjnë denoncime.

Xhemollari, i cili më herët e kishte cilësuar tjetërsimin në Fier jo si gabim njerëzor, por si “urdhër politik”, thekson se rasti nxjerr në pah edhe pasivitetin e drejtësisë që duhej të hetonte mbi bazën e fakteve të bëra publike.

“Ky rast nxjerr edhe njëherë në pah pasivitetin e organeve të drejtësisë, ku pandëshkueshmëria zgjedhore tashmë është normalitet,” tha ai. Sipas tij, zgjidhja e përhershme është depolitizimi i administratës zgjedhore.

Ndërkohë, Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike e lidh këtë pasivitet direkt me forcën e mazhorancës së re. Sipas tij, premtimi për të hetuar krimet zgjedhore nuk u mbajt, sapo u pa shumica e madhe që doli nga zgjedhjet.

Krasniqi argumenton se mazhoranca “është jashtëzakonisht e fuqishme dhe kontrollon pothuajse pjesën më të madhe të institucioneve,” duke bërë që institucionet e pavarura, përfshirë prokuroritë në qarqe si Fieri, “të bëjnë hapa pas”. Krasniqi theksoi gjithashtu se KQZ-ja nuk e ka ushtruar funksionin e vet.

“Për shkak se është përpjekur të ruajë deri diku konsensusin e përgjithshëm politik, duke hequr dorë nga nevoja e madhe që individët që shkelin ligjin të përballen me ligjin”, tha Krasniqi.

Mungesa e veprimit, sipas Krasniqit, lidhet edhe me faktin se përfituesit kryesorë nga tjetërsimi “janë figura me ndikim në mazhorancë”. Ai e sheh rastin e Fierit si një dështim të drejtësisë për të treguar një standard ndryshe dhe si përforcim të një modeli të dëmshëm që jo vetëm e toleron tjetërsimin e votës, por edhe e promovon atë.

“Fatkeqësisht, modeli që individi që e manipulon, kur manipulon për partinë fituese, promovohet më shumë, vazhdon të dominojë mbi parimin që individi që manipulon, ka kryer krim dhe duhet të përballet me drejtësinë,” tha Krasniqi./BIRN/

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme