Politika 21 April 2026, 07:23 Nga VNA

Strategjia, deri në vitin 2030, rreth 20% e rrugëve me pagesë, qeveria nuk heq dorë nga PPP

Ndaje në Whatsapp
Strategjia, deri në vitin 2030, rreth 20% e rrugëve me pagesë,

Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030 rreth 20% e rrjetit rrugor të përfshihet në skema tarifimi elektronik, si pjesë e masave në strategjinë sektoriale të transportit dhe planit të veprimit deri në vitin 2030.

Dokumenti vendos në fokus ndër të tjera zgjerimin e Sistemeve Inteligjente të Transportit (SIT) në të gjithë rrjetin TEN-T, duke përfshirë menaxhimin në kohë reale të trafikut, monitorimin e aseteve dhe ofrimin e informacionit për udhëtarët. Një komponent i rëndësishëm i kësaj është edhe zhvillimi i biletimit digjital në transportin ndërqytetës dhe sistemeve të qëndrueshme të tarifimit elektronik (e-tolling).

Në këtë kuadër, strategjia parashikon përgatitjen e kuadrit ligjor dhe teknik për tarifimin digjital të rrugëve, në përputhje me standardet europiane si Direktiva Eurovignette dhe Shërbimi Europian Elektronik i Tarifimit Rrugor (EETS). Pilotimi i e-tolling do të nisë në segmentet me trafik më të lartë të rrjetit TEN-T, pas ngritjes së infrastrukturës përkatëse.

Qeveria parashikon që të krijohet një fond i veçantë që vjen nga pagesat dhe karikimet elektrike që do të shkojë për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Krijimi i një fondi të dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve, i financuar përmes tarifave të përdoruesve (pagesë rruge, tarifat e karikimit të mjeteve elektrike) në përputhje të plotë me parimet e direktivës Eurovignette dhe Rregulloren (BE) 2023/1804 mbi instalimin e infrastrukturës së lëndëve djegëse alternative” thuhet në strategji.

Aktualisht, disa segmente rrugore janë me pagesë, përfshirë Rrugën e Kombit, aksin Thumanë–Kashar dhe tunelin e Llogarasë, për të cilin pritet aplikimi i tarifës brenda sezonit veror.

Përveç tarifimit rrugor, strategjia parashikon edhe zbatimin e biletimit digjital në transportin ndërqytetas të udhëtarëve, duke synuar një integrim më të plotë të shërbimeve dhe rritjen e transparencës në arkëtime.

PPP dhe koncesionet mbeten në fokus

Në të njëjtën kohë, qeveria duket se do të vijojë t’i qëndrojë besnike qasjes së saj pro partneriteteve publike-private (PPP) dhe koncesioneve në sektorin e infrastrukturës edhe në vitet në vazhdim.

Strategjia i konsideron këto instrumente si mjete plotësuese për mobilizimin e investimeve private dhe përshpejtimin e zbatimit të projekteve, veçanërisht në ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore. Sipas dokumentit, modeli synon të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe të reduktojë vonesat, duke garantuar njëkohësisht përdorim më efikas të fondeve publike.

Një theks i veçantë vihet edhe te transporti ndërqytetas, ku parashikohet nxitja e PPP-ve për operimin, mirëmbajtjen dhe modernizimin e terminaleve.

Zhvillimet vijnë në kohën kur kanë “lindur” kompani të reja të lidhura me sektorin. Një prej tyre është Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKORR) ngarkuar me menaxhimin e rrugëve me pagesë, përfshirë operimin e portave automatike dhe administrimin e sistemeve të tarifimit elektronik.

Ndërkohë, më pas u krijua shoqëria “Mob AI” që fokusohet në operimin e transportit publik rrugor, përfshirë biletimin elektronik, menaxhimin e flotës dhe zhvillimin e sistemeve digjitale për monitorimin e shërbimeve./ Monitor

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme