Politika 22 Janar 2026, 16:19 Nga VNA

SPAK regjistron procedim penal për gjyqtaren Irena Gjoka

Ndaje në Whatsapp
SPAK regjistron procedim penal për gjyqtaren Irena Gjoka

Prokuroria e Posaçme, SPAK regjistroi një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Kallëzimi ishte depozituar në SPAK nga Adriana Kalaja.

Sipas SPAK, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGj-së, që është organi kompetent që duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ administroi të mërkurën vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për rezultatet e verifikimit të thelluar të deklarimeve të kryera në formularin e vetëdeklarimit për pastërinë e figurës nga ana e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.

Burime zyrtare të KLGJ-së i bënë me dije BIRN se aktet e mbërritura nga Prokuroria e Përgjithshme, do t’i vendosen në dispozicion Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, që do të hartojë raportin. Ky raport do t’i kalohet më pas seancës plenare publike. KLGJ nuk bëri me dije ndonjë afat të përafërt se kur do të përfundojë kjo procedurë.

Edhe pse Prokuroria e Përgjithshme e mbajti të fshehtë rezultatin e verifikimit, një burim pranë saj i tha BIRN në kushtet e anonimatit se vendimi i gjykatës greke ndaj Gjokës ishte autentik.

Tashmë, KLGj do të duhet të shqyrtojë nëse gjetjet e prokurorisë përbëjnë kusht ndalimi për ushtrimin e funksionit publik, bazuar në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi. KLGJ e cila shqyrton ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.

Akuzat publike sugjeronin se ajo ishte dëbuar nga Greqia për përdorim të dokumenteve të falsifikuara ose shkelje të rregullave të qëndrimit, një fakt që pretendohet se nuk është pasqyruar në formularin e dekriminalizimit nga gjyqtarja.

Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit ish-komisionerja Publike Irena Nino u tërhoq nga ankimi duke bërë që vendimi i konfirmimit në detyrë të mbetej në fuqi./Reporter.al 

Video

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se nga nesër do të zhvillohet për dy ditë në Emiratet e Bashkuara Arabe një takim trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së. Delegacioni ukrainas fillimisht do të takohet me përfaqësuesit amerikanë, ndërsa ekipi i SHBA-së do të udhëtojë drejt Moskës. Zelensky theksoi se paqja kërkon gatishmëri për kompromise nga të gjitha palët, veçanërisht nga Rusia. Ai e vlerësoi si shumë pozitiv takimin me presidentin amerikan Donald Trump dhe nënvizoi rolin kyç të SHBA-së në procesin e paqes, duke shtuar se Europa ka ndikim, por i nevojitet më shumë kohë. Sipas tij, dokumentet për përfundimin e luftës janë pothuajse gati dhe Ukraina po vepron me ndershmëri e vendosmëri. Zelensky theksoi rëndësinë e një Ukraine të pavarur dhe të fortë për Europën dhe e mbylli fjalimin me thirrjen “Slava Ukraini”.

Monika Kryemadhi është paraqitur në ambientet e GJKKO në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje.

Edi Rama i skërmitet opozitës ndërsa pritet të bashkojnë votat për Bordin e Paqes…

PS dhe PD bashkë për planin e Donald Trump….

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme