Politika 31 Mars 2026, 08:15 Nga VNA

Sot nuk pranon ta ulë, por qeveria arkëtoi 250 mln euro në 2025-n nga taksa e qarkullimit mbi naftën

Ndaje në Whatsapp
Sot nuk pranon ta ulë, por qeveria arkëtoi 250 mln euro në 2025-n

Buxheti i shtetit ka arkëtuar 24.2 miliardë lekë, apo rreth 250 milionë euro në vitin 2025 nga taksa e qarkullimit mbi karburantet, sipas të dhënave të publikuara nga financat. Këtë taksë e paguan çdo përdorues makine sa herë që ble karburant, në shumën fikse prej 27 lekë për litër (pa TVSH).

Ky është niveli më i lartë i arkëtuar ndonjëherë, me një rritje prej 13.6% më krahasim me 2024-n, ndërsa është gati 30% më i lartë se në 2019-n. Të ardhurat nga kjo taksë janë rritur vazhdimisht, si rrjedhojë e shtimit të konsumit të karburanteve në vend, që vitin e kaluar arriti në rekordin e 740 mijë tonëve, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Doganave.

Taksa e qarkullimit mbi karburantin u vendos në Shqipëri në vitin 2012. Fillimisht ishte vetëm 7 lekë për litër, por u rrit gradualisht në vitet pasuese deri në vitin 2015, kur arriti nivelin prej 27 lekësh për litër, që mbetet i pandryshuar edhe sot.

Taksa mblidhet për çdo litër benzine apo nafte të shitur dhe konsiderohet një tarifë për përdorimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor. Realisht ka munguar transparenca se për çfarë është përdorur konkretisht, ndërkohë që mirëmbajtja e rrugëve lë shumë për të dëshiruar, sidomos nyja qendrore midis Tiranës dhe Durrësit.

Kjo taksë, është nja nga arsyet kryesore, që çmimet e karburanteve janë të paktën 30% më të larta sesa në vendet e rajonit, ndërkohë që Shqipëria renditet dhe e 13-ta më e shtrenjta në botë, sipas Global Petrol Price, (deri në 23 mars), me naftën që kushton njësoj sa në Gjermani, Suedi, Holandë, shtetet që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta sesa ne.

Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve.

Një qytetari shqiptar do ti duheshin aktualisht 7.2% e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit pesha është të paktën dy herë më e lartë. Holanda ka naftën më të shtrenjtë në Europë në vlerë absolute, por një qytetari aty i duhen vetëm 1.1% e të ardhurave ditore për të blerë një litër, ose 7 herë më pak sesa Shqipëria.

Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekë për litër. Akciza është fikse, 39.4 lekë për litër dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Mbi këto llogaritet TVSH-ja, që është 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni që TVSH nuk e ngarkon mbi taksat e tjera.

Mali i Zi ngarkon mbi çmimin e naftës vetëm akcizën, që së fundmi është përgjysmuar në 0.22 euro për litër, si një mjet për të lehtësuar rritjen e çmimeve. TVSH në Mal të Zi është 21%.

Maqedonia e Veriut ngarkon mbi naftën vetëm akcizë prej 0.42 lekë për litër. Së fundmi, qeveria e Maqedonisë së Veriut uli TVSh-në për naftën dhe benzinës nga 18% në 10% si një masë e përkohshme për të amortizuar rritjen e çmimit në bursa.

Kosova ka akcizë prej 0.37 euro për litër dhe TVSH prej 18%.

Në total, aktualisht, një shqiptar paguan në një litër naftë 1.16 euro taksa, (53% të çmimit final); një qytetar maqedonas 0.58 euro për litër (36% të çmimit final); një malazez 0.55 euro (35% të çmimit final); një shtetas i Kosovës 0.67 euro, ose 38.5% të çmimit final.

Aktualisht nafta tregtohet me 218 lekë për litër. Qeveria tentoi të kontrollonte çmimet përmes Bordit të Transparencës, por ulja zgjati vetëm një ditë, pas presionit të importuesve se do të ndërprisnin furnizimin me naftë në vend. Masa e vetme e ndërmarrë është ulja e akcizës me 20%, nëse nafta kalon mbi 220 lekë, që do të përkthehej me rënie të çmimit me rreth 8 lekë për litër.

Me fillimin e krizës, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve i ka paraqitur qeverisë një propozim për reformimin e taksës së qarkullimit, që sipas tyre do të çonte menjëherë në uljen e çmimit të karburanteve. Në një propozim të detajuar, aktorët e tregut sugjerojnë që taksa aktuale prej rreth 32.4 lekë për litër të hiqet nga karburanti dhe të zëvendësohet me një tarifë vjetore të drejtpërdrejtë mbi automjetet, e diferencuar sipas kategorive dhe ndikimit në infrastrukturë.

Ata argumentojnë se sistemi aktual krijon pabarazi fiskale, pasi taksa paguhet njësoj për çdo litër karburanti, pavarësisht nga lloji i mjetit apo dëmi që ai shkakton në rrugë. Një model i ri do të zhvendoste barrën drejt mjeteve më të rënda dhe ndotëse, duke e bërë sistemin më të drejtë dhe më të krahasueshëm me praktikat në vendet e Bashkimit Europian.

Megjithatë, qeveria është shprehur kundër heqjes së taksës së qarkullimit nga nafta dhe kalimit të barrës direkt te përdoruesit e automjeteve.

Ndërkohë, Shqipëria vlerësohet se humb të paktën 1 milionë euro në ditë, si rrjedhojë e furnizimit, që automjetet me targa shqiptare dhe ato të huaja që duan të hyjnë në vend, bëjnë në vendet kufitare.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve llogarit rreth 300 -500 / tonë në ditë naftë merren nga klientët shqiptarë afër zonave kufitare. Krahas tyre, një tjetër konsum i humbur prej 120-300 ton në ditë llogaritet nga shtetasit të huaj, që potencialisht do të blinin në Shqipëri, por furnizohen në hyrje e dale në kufi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Doganat, konsumi vjetor në Shqipëri i karburanteve është rreth 740 mijë ton në vit, ose rreth 2000 ton në ditë (që me çmimin aktual prej 214 lekë për litër përkthehet në një konsum prej 5.2 milionë euro në ditë).

Nëse çmimet do të ishin në nivele të ngjashme me rajonin, konsumi do të përqendrohej në vend dhe do të rritej me 25-30%, duke arritur afër 1 milion ton në vit. Kjo rritje e konsumit, pa dyshim do të kompensonte gati 70-80% uljen e barrës fiskale mbi naftën dhe do të lehtësonte qytetarët dhe ekonominë jo vetëm nga barra direkte, por dhe nga efekti zinxhir që jep shtrenjtimi i karburanteve në çmimet e produkteve të tjera./Monitor

Video

Gazetarja amerikane Shelly Kittleson është rrëmbyer përkohësisht në Bagdad dhe më pas është liruar falë ndërhyrjes së forcave të sigurisë irakiane. Sipas raportimeve, Kittleson, e cila bashkëpunon me disa media ndërkombëtare dhe me gazetën italiane “Il Foglio”, u sulmua në një rrugë të kryeqytetit irakian. Pamjet e një kamere sigurie tregojnë momentin kur dy persona i afrohen dhe e tërheqin me forcë drejt një makine të ndaluar pranë trotuarit, duke e futur brenda saj. Autoritetet irakiane reaguan menjëherë dhe arritën të ndalojnë një nga rrëmbyesit, ndërsa tre të tjerë janë ende në kërkim. Falë operacionit, gazetarja u lirua dhe aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Kosova pati një mundësi të shkëlqyer për të shënuar në minutën e ‘29, por goditja e Asllanit përfundoi në traversë.

Momenti kur e kupton që duhet të qeshësh dhe kur të krahasojnë me halen.

Sot rival, por gjithmonë miq. Një lokal në Sheshi Zahir Pajaziti ka vendosur një gjest shumë të bukur për tifozët turq. Kafe dhe çaj falas për të gjithë ata që vijnë për ndeshjen. Një mesazh i thjeshtë, por me shumë domethënie. “Ju keni qenë pranë nesh në vitin 1999, sot është radha jonë të tregojmë mirënjohje”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme