Politika 26 Dhjetor 2025, 09:42 Nga VNA

Si u zhduk koleksioni i shtrenjtë i verërave të Ergys Agasit

Ndaje në Whatsapp
Si u zhduk koleksioni i shtrenjtë i verërave të Ergys Agasit

Mes kodrave të gjelbëruara të Mulletit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Tiranës, “Equos Resort” reklamon shërbime luksi, mes të cilave një klub hipizmi, xhiro me kuaj apo sporte ujore për stinët e nxehta të vitit.

Por koleksioni më i vlefshëm fshihej në një qilar brenda resortit.

Pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit për akuzat e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive në një vilë 2-katëshe brenda resortit, e identifikuar si pronë e Agasit.

Por koleksioni i verërave u zhduk në mënyrë të paprecedentë, pasi ishte bllokuar nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.

Një burim në dijeni të kontrollit i tha BIRN se një pjesë e koleksionit të verërave në pronësi të Agasit daton gati një shekull më parë, me tapa të dyllosura në vitet 1922, 1923 dhe 1940, të gjitha të pajisura me certifikatë origjine. Koleksioni kishte si origjinë Francën dhe Italinë dhe ishte futur kontrabandë në Shqipëri.

Sipas SPAK, koleksioni u zbulua gjatë kontrolleve për ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit, e lëshuar nga Gjykata e Posaçme më 15 dhjetor. Hetuesit e BKH-së vlerësuan gjithsesi se koleksioni i verës nuk bënte pjesë në kompetencën lëndore të Strukturës së Posaçme dhe njoftuan Drejtorinë e Hetimit Doganor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që të kryente procedurat përkatëse për mallrat e futura kontrabandë.

“Kemi ndjekur praktikën e rasteve të ngjashme, pasi kur konstatohet një vepër penale e dyshuar që nuk është kompetencë e Strukturës së Posaçme, njoftohen institucionet kompetente për kryerjen e veprimeve të mëtejshme,” tha një burim i SPAK në kushtet e anonimatit.

Drejtoria e Hetimit Doganor ka kryer inventarin dhe ka arritur në përfundimin se koleksioni i verërave të Agasit kishte një vlerë prej rreth 1 milion eurosh, ndërkohë që shmangia e detyrimeve doganore kapte vlerën e rreth 300 mijë eurove. Nga vlerësimi sipas çmimeve të referencës dhe atyre të tregut, është konkluduar se ka pasur shishe vere që e kalonin vlerën e 30 mijë eurove, ndërsa më e lira është vlerësuar rreth 350 euro.

Pasi ka kryer inventarin, drejtoria e Hetimit Doganor nuk e ka transportuar koleksionin në magazinat doganore me pretendimin se nuk kishin hapësirë për produkte ushqimore. Në pritje të gjetjes së hapësirës, ata kanë mbajtur një procesverbal për bllokimin e mallit, i cili është nënshkruar nga djalit të xhaxhait të Agasit, Eno Agasi, dhe janë larguar.

Kur janë rikthyer të nesërmen për të rimarrë verën, punonjësit e Hetimit Doganor e kanë gjetur qilarin bosh. Doganat e referuan çështjen në Prokurorinë e Tiranës, kur 900 shishet e verës ishin zhdukur pa asnjë gjurmë.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Hetimit Doganor, Dorian Doka i shmangu komentet për përgjegjësitë, duke thënë se çështja është në hetim.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale ndaj Eno Agasit, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën e “arrestit me burg” në mungesë. Ai po hetohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, zhdukja e verës ka qenë e mirëorganizuar, pasi nga hetimet ka rezultuar që autorët të jenë kujdesur të zhdukin edhe gjurmët. Autorët kanë zhdukur gjithashtu të gjitha kamerat e sigurisë që gjendeshin në “Equos Resort” si dhe ato që e lidhnin resortin me autostradën Tiranë-Elbasan.

Koleksioni prej 1 milion eurosh i verërave të Ergys Agasit konsiderohet prej hetuesve një investim.

“Nuk është zotëruar për konsum, por ka qenë një koleksion i krijuar për investim, pasi i rritet vlera. Po ashtu, mund të jetë përdorur në vend të shkëmbimeve valutore,” tha një burim në afërsi të hetimit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, në vijim të hetimeve dhe provave të reja që do të gjenden, do të vlerësohet nëse çështja do të përmbyllet aty, apo do të kalohet për kompetencë pranë Prokurorisë së Posaçme./ Reporter.al

Video

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur dy persona vjedhin një bankomat (ATM) nga brenda një dyqani në Teksas. Në video shihet se njëri prej tyre lidh bankomatin me një litar, ndërsa tjetri qëndron jashtë dyqanit dhe e lidh litarin me një automjet. Kur automjeti niset me shpejtësi, bankomati shkulet nga vendi, duke shkaktuar dëme të mëdha në ambientet e dyqanit. Policia e White Settlement ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes. Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur pak minuta më parë në aksin Levan–Tepelenë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Cakranit. Në aksident janë përfshirë dy automjete, një Mercedes dhe një Peugeot. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt spitalit drejtuesi i mjetit Peugeot, shtetasi O. M., rreth 19 vjeç. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër ka pësuar dëmtime të lehta dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, si dhe një mjet zjarrfikës, për normalizimin e trafikut dhe pastrimin e rrugës. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Vetëm një ditë ka zgjatur paraburgimi për presidentin e klubit të futbollit të Fenerbahçes në Turqi, Sadettin Saran. Ai u lirua nga gjykata, pak pasi përfundoi dëshminë, në kuadër të hetimit për gjurmët e kokainës të gjetura në flokët e tij, si dhe për çështjen e përgjithshme të drogës në të cilën dyshohet se është i përfshirë. Udhëheqësi administrativ i klubit “Kanarinat e Verdha”, siç quhet me nofkën skuadra nga Stambolli, ka siguruar lirimin nga paraburgimi me kushte kufizuese, pasi do të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore, sipas vendimit të gjykatës kompetente. Kështu, në mesditën e së enjtes, më 25 dhjetor, ai u kthye në zyrat e klubit me kolegët e tij, për të gjetur dhjetëra tifozë të Fenerbahçes të mbledhur atje për ta mirëpritur dhe mbështetur. Pamjet u bënë virale teksa Saran u përlot, i prekur nga mbështetja e tifozëve pas përvojës së keqe që kaloi me arrestimin e tij, në momentin që po hynte në zyrë.

Prefektja e Shkodrës, Holta Duda, uroi besimtarët e krishterë për Krishtlindje, por vëmendjen e mori një moment i papritur. Gjatë deklaratës, ajo u ngatërrua dhe kërkoi ta niste nga e para, duke menduar se ishte thjesht regjistrim. Befasia erdhi kur gazetarët i thanë se gjithçka po transmetohej live.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme