Politika 5 September 2025, 09:45 Nga VNA

Shumë zhurmë për asgjë: Rikthimi i sezonit televiziv me skemën e sherrit dhe “ekspertëve” që nuk thonë asgjë

Ndaje në Whatsapp
Shumë zhurmë për asgjë: Rikthimi i sezonit televiziv me

Mbrëmë nisi zyrtarisht sezoni i ri televiziv i emisioneve të rëndësishme televizive. Ajo që ra në sy ishte shfaqja e kryeministrit në emisionin Opinion, në një intervistë të regjistruar në të cilën ai foli për shumë tema, por pa dhënë asnjë detaj për qeverinë e re. Që në fakt është e vetmja gjë për të cilën mund të thoshte diçka të re, duke qenë se gjatë sezonit të verës ai ka dalë vazhdimisht për të shpjeguar punën e mazhorancës. Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat turistike, prishja e tendave dhe lirimi i hapësirave publike, dy nga aksionet më të rëndësishme të qeverisë gjatë muajve të fundit, ishin tema që u prekën, por që nuk sollën asgjë të re veç retorikës që Edi Rama ka përdorur gjatë gjithë kësaj kohe. Në studiot e tjera televizive u duk se vera ishte thjesht një stinë që kishte ndihmuar analistët të merrnin pak ngjyrë nga dielli. E njëjta bisedë, të njëjtët ekspertë joekspertë dhe paralajmërime për ngjarje që askush nuk ka një argument të saktë për të të shpjeguar se pse do të ndodhin. Fallxhore që parashikojnë arrestime të bujshme, emërime ministrash dhe analiza sipas oreksit të gjithsecilit. Studio të mbushura me politikanë arrivistë që shfrytëzojnë hapësirën për t’i rënë në sy shefit dhe analistë apo gazetarë që përpiqen të justifikojnë rrogën që marrin për të qenë të tillë. I vetmi lajm që bëri xhiron e rrjetit ishte deklarata e dashurisë së përjetshme që Ervin Salianji i bëri partneres së tij, Grida Duma. Një ngjarje që mori vëmendje a thua se në këtë vend shqetësimi i qytetarëve ka ngecur tek jeta private e dy njerëzve që tashmë përfaqësojnë vetëm mendimin e tyre dhe asgjë tjetër.

Asnjë analizë e ftohtë dhe e saktë për krizën në Shqipëri. Për atë që po ndodh me dosjet e krimit dhe politikës. Kurioziteti për emrat e ministrave duket më i fortë se vetë puna dhe aktiviteti i qeverisë apo fakti që PS është shndërruar në një skalion luftarak ku urdhrat e gjeneral Ramës nuk diskutohen. Asnjë analizë kirurgjikale për atë që po ndodh me opozitën, apatike dhe e fraksionuar më shumë se kurrë dhe në një luftë banale për të ndarë ca poste administrative në Kuvendin e ardhshëm. Debatet e së enjtes në mbrëmje u fokusuan tek cic-micet e politikës së ditës, pa pasur në fokus problemet e vërteta të shqiptarëve. Madje, as për sezonin turistik nuk pati një bisedë apo analizë të detajuar dhe të saktë. Studio plot e përplot me gazetarë dhe analistë që ndjekin dirigjentin (drejtuesin e emisionit), të pashqetësuar se ajo që po ndodh në studio nuk i hyn në xhep asnjë shqiptari.

Kjo panoramë e varfër dhe gati-gati dëshpëruese është sinjali i parë se sezoni i ardhshëm politik dhe mediatik do të jetë si ai që lamë pas. Me ulje-ngritjet e debatit banal të politikës së ditës, pa pasur asnjë thelb apo ndikim në përmirësimin e situatës për shqiptarët. Shfaqje ku ngrihet zëri, përplasen të ftuarit, por jo idetë, ku sherrat janë i vetmi produkt i një emisioni, janë tregues se tashmë televizioni dhe emisionet e mbrëmjes janë thjesht një shtojcë e asaj që politika u ofron shqiptarëve. Shumë zhurmë për asgjë. Shterpësia e ideve të rrahura, mungesa e argumentit dhe trajtimit të temave serioze po i humbin TV-së në Shqipëri statusin e institucionit që ngre probleme edhe pse nuk ka mundësi t’i zgjidhë. Rehatia e atyre që janë në studio është mesazhi i vetëm që dhanë emisionet e mbrëmjes së të enjtes. Duke i bërë shqiptarët më shumë skeptikë për atë që i pret në të ardhmen e afërt dhe duke braktisur median tradicionale në këmbim të rrjeteve sociale, që me gjithë kaosin dhe tregun pa rregulla, të paktën të japin mundësi të informohesh dhe të krijosh një opinion të pavarur nga ata që paguhen si opinionistë dhe sillen si vartës të njërës apo tjetrës parti.

Video

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme