Politika 7 April 2026, 21:20 Nga VNA

Shqipëria pa përparim në Bruksel, vijojnë diskutimet për raportin IBAR

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria pa përparim në Bruksel, vijojnë diskutimet

Nuk ka ende përparim për Shqipërinë në procesin e integrimit europian. Kështu ka përfunduar mbledhja e zhvilluar këtë të martë në Bruksel në Grupin e Punës për Zgjerimin (COELA) të Këshillit Europian, ku u shqyrtua ecuria e vendit.

Sipas burimeve të lapsi.al, përfaqësuesit e shteteve anëtare nuk kanë arritur një konsensus dhe kanë kërkuar më shumë diskutime, duke lënë të hapur procesin për raunde të tjera negociatash. Në fokus ka qenë sërish raporti IBAR, instrument kyç që vlerëson nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet ndërmjetëse për të avancuar në negociata, veçanërisht në Grupkapitullin 1 – “Themeloret”.

IBAR konsiderohet një filtër kritik në procesin e anëtarësimit, pasi pa kalimin e tij nuk mund të ketë mbyllje kapitujsh dhe procesi mbetet i bllokuar. Ky grupkapitull lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës, funksionimin e drejtësisë dhe institucionet demokratike.

Burimet bëjnë me dije se disa shtete anëtare kanë ngritur sërish rezerva për reformat në Shqipëri. Më herët, në diskutimet e zhvilluara më 1 prill, një grup prej nëntë vendesh kishte shprehur shqetësime për çështje të ndryshme, që nga klima e biznesit dhe të drejtat e pronësisë, te pakicat kombëtare dhe lufta kundër korrupsionit.

Për shkak të këtyre rezervave, Komisioni Europian ka paraqitur një draft të rishikuar të pozicionit të përbashkët, duke reflektuar pjesërisht komentet e vendeve anëtare. Ndryshimet përfshijnë fusha si funksionimi i institucioneve demokratike, administrata publike, konfiskimi i pasurive, liria e shprehjes dhe sundimi i ligjit.

Megjithëse Komisioni Europian ka mbajtur një qëndrim teknikisht pozitiv, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë përparim të mjaftueshëm për të avancuar në këtë fazë, ky vlerësim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të bindur të gjitha shtetet anëtare.

Sipas lapsi.al, grupi COELA pritet të mblidhet sërish më 9 prill, ku do të diskutohet një draft i ri nga Komisioni Europian.

Ndërkohë, në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se nuk ka bllokim të negociatave dhe se procesi po vijon sipas planit, duke i cilësuar shqetësimet si pjesë të diskutimeve normale mes vendeve anëtare.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme