Politika 27 Gusht 2025, 12:20 Nga VNA

Shqipëria ka nevojë për pajisje për të shuar zjarret, kryeministri i përgjigjet me ceremoni e premtime

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria ka nevojë për pajisje për të shuar zjarret,

Në prag të nisjes së sezonit të ri politik, kryeministri Edi Rama zhvilloi një ceremoni Mirënjohje Publike për përkushtimin, sakrificat dhe trimërinë e të gjithë atyre që u përballën me zjarret që pushtuan vendin tonë gjatë dy muajve të fundit.

Si një mjeshtër në organizimin e këtyre ceremonive, Rama “shkëlqeu” edhe në gjetjen e fjalëve për të gjithë ata që u përballën me flakët. Kur në fakt më shumë se lavdërimet, kanë nevojë për pajisje për shuarjen e flakëve.

Por përtej fjalëve dhe fjalimeve, realiteti është më i dhimbshëm. Nëse vetë kryeministri do të angazhohej pak më shumë me qeverinë e tij për të shpenzuar në pajisje që ndihmojnë në shuarjen e zjarreve, me gjasë sot nuk do të kishim mijëra hektarë pyje të djegura.

Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) i BE-së edhe këtë vit tregojnë se Shqipëria vazhdon të kryesojë në rajon për sipërfaqet e djegura.

Viti 2025 shënon edhe rekordin më të zi për dëmet e shkaktuara nga zjarret në pesë vitet e fundit, pasi deri më tani janë djegur 55 154 hektarë sipërfaqe. Vitin e kaluar u dogjën 46 623 hektarë në vend, ndërsa vitet paraardhëse kanë shifra më të ulëta.

Pra, zjarret e përvitshme kanë treguar se pasojat sa vijnë e shtohen. Dhe qeveria, në vend që të ulej e të ndërtonte një strategji për t’i parandaluar, është mjaftuar vetëm me premtime fushatash dhe deklarata publike. Të cilat kryeministri nuk na i kurseu as sot, kur sërish premtoi se do të kemi flotën tonë të avionëve.

Premtim që sa më shumë përsëritet aq më bajat bëhet dhe i pabesueshëm. Edhe gjatë fushatës elektorale për 11 majin, kryeministri premtoi se Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrfikës të gatshëm për sezonin veror, por rezultoi i pambajtur.

“Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion, duke filluar nga kjo verë, janë bërë marrëveshjet, dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për ne, pa pritur që të vijnë nga një vend apo nga një vend tjetër”, tha kryeministri gjatë fushatës elektorale më 29 mars 2025.

Vera erdhi, zjarret nisën, por Shqipëria ende nuk ka asnjë avion zjarrfikës. Madje situata dramatike vazhdon akoma, kur në media shfaqen imazhe të forcave që shuajnë zjarret me degë pemësh. Ndërkohë, shumica e zjarrfikëseve janë donacione dhe kanë më shumë se 60 vite që janë prodhuar e që kanë probleme me mirëmbajtjen.

E vetmja gjë e mirë që ka Shqipëria në luftën me zjarret është bashkëpunimi që ka me Mekanizmin e BE-së për Mbrojtjen Civile, që mbështet vendin me avionë zjarrfikës që herë pas here na vijnë në ndihmë.

Prandaj, përtej ceremonive e fjalimeve butaforike të kryeministrit, Shqipëria ka nevojë për masa konkrete për t’u përballur me zjarret. Dhe e gjitha nis te menaxhimi i duhur i buxhetit për emergjencat civile. Dhe meqë ra fjala, 6.7 miliardë lekë për dy satelitë në hapësirë nuk po na ndihmojnë në parandalimin e zjarreve. Ndoshta do të mjaftojnë vetëm 6 mijë lekë për lopata, që heronjtë që kryeministri i ka ftuar në ceremoni ta kenë më të lehtë në shuarjen e flakëve.

Video

Moti i keq ka goditur orët e fundit brigjet e Cala Gonone, në Sardenjë, duke shkaktuar dëme dhe shqetësime të mëdha për banorët. Sipas raportimeve të para, lartësia e dallgëve ka arritur në disa metra, duke bërë që uji i detit të vërshojë deri në brendësi të zonave të banuara.

Një tjetër trup u gjet këtë pasdite nga ekipet e shpëtimit në rrënojat e trenave që u përplasën në jug të Spanjës, duke e çuar numrin e viktimave në 42. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci nuk është ende përfundimtar, gati 48 orë pas aksidentit tragjik. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë mes rrënojave dhe ekziston mundësia që të gjenden viktima të tjera, ndërsa shumë pikëpyetje mbeten ende pa përgjigje lidhur me shkaqet që çuan në këtë katastrofë hekurudhore. Sipas mediave, hetimet janë përqendruar në dyshimet për një defekt në infrastrukturën hekurudhore, konkretisht në një lidhje të dëmtuar të linjës, e cila mund të ketë luajtur rol kyç në aksident.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka nënshkruar një dokument zyrtar që parashikon anëtarësimin e vendit në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes". Sipas autoriteteve bjelloruse, ky hap synon të forcojë rolin e vendit në nisma ndërkombëtare që lidhen me dialogun, stabilitetin dhe bashkëpunimin për paqe.

50 kamiona për 3 bataliona...

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme