
Nismat ligjore të mazhorancës për të ndryshuar ligjet e Reformës në Drejtësi kundërshtohen nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, si tentativa antikushtetuese që cënojnë standardet e shtetit të së drejtës.
Në një reagim publik të martën, Shoqata deklaron se nismat të cilat janë dërguar për konsultim nga Kuvendi rrezikojnë që të mos e përmirësojnë kuadrin ligjor, por të zhbëjnë arritjet e deritanishme të reformës në drejtësi.
Konkretisht, shoqata kundërshton një “dispozitë kalimtare” të draftit që parashikon emërimin në detyrë të kryetarëve të komanduar të gjykatave apo prokurorive për një periudhë tranzitore nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe deri më 31 dhjetor 2028.
Për Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve, caktimi i kryetarëve të gjykatave nga Kuvendi është një tentativë për uzurpim të kompetencave të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe cenim i parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
“Një dispozitë e tillë, së pari, tenton të uzurpojë pushtetin që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave,” thuhet në reagimin publik.
Shoqata vë në dukje se Kushtetuta i ka dhënë atributet KLGJ-së për emërimin, ngritjen në detyrë dhe transferimet e gjyqtarëve të të gjitha niveleve.
“Së dyti, në mënyrë të çuditshme, kjo dispozitë shtrihet vetëm ndaj gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme,” thuhet më tej në reagimin e shoqatës.
Dhe së fundmi, gjyqtarët i kujtojnë Kuvendit se nisma ligjore nuk merr në konsideratë faktin që KLGJ ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe që i paraprin hapjes së garës për postet e kryetarëve në këto gjykata.
“Shoqata fton Kuvendin që të mos përpiqet të cenojë standardet e shtetit të së drejtës, duke dëmtuar arritjet e realizuara përmes ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, pushtet i cili është në përfundim të procesit të reformimit si dhe që të mbajë në konsideratë jurisprudencën udhërrëfyese të Gjykatës Kushtetuese”- përfundon deklarata e gjyqtarëve.
Në dhjetor PS, riktheu tentativën për ndryshime në ligjet e Reformës në Drejtësi e miratuar në vitin 2016 me dy nisma të firmosura nga deputeti Olsi Komici që prekin ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Ai i prezantoi nismat në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe në Komisionin e Ligjeve, ku me iniciativë të kryetarit të komisionit Ulsi Manja u kërkua ndërprerja e shqyrtimit të tyre deri në marrjen e një qëndrimi nga Komisioni Europian dhe organet e sistemit të drejtësisë.
Përveç dispozitës së kundërshtuar nga shoqata e gjyqtarëve nismat parashikojnë dhe forcim të kritereve të verifikimit të pasurisë dhe integritetit të figurës së kandidatëve për dy këshillat drejtues që vijnë nga avokatia dhe akademia.
Propozimet po ashtu plotësojnë një kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm për një rol më aktiv në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të prokurorive dhe shtimin e kritereve për vetingun e kandidatëve në këto detyra.
Për magjistratët që kërkojnë të zgjidhen në krye të zyrave të prokurorive apo gjykatave përveç vetingut të pasurisë dhe integritetit profesional shtohet dhe “masa disiplinore në fuqi” si kriter përjashtues nga gara.
Në relacionin shoqërues të projektligjeve theksohet se formulimet kanë ardhur si pasojë e një procesi të gjatë konsultativ mes grupit të punës të ngritur në Komisionin e Ligjeve që në vitin 2022 dhe reflektojnë komentet e ekspertëve të misioneve ndërkombëtare që asistojnë zbatimin e reformës në drejtësi si Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe OPDAT.
Dispozitat e reja synojnë po ashtu t’i japin zgjidhje shqetësimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për mungesën e interesit të magjistratëve për të aplikuar për inspektorë./BIRN/






















