Politika 27 Shtator 2025, 09:40 Nga VNA

Shit-blerjet në kampet kundërshtare si fenomen politik i tranzicionit

Ndaje në Whatsapp
Shit-blerjet në kampet kundërshtare si fenomen politik i tranzicionit

Në mandatin e katërt qeverisës, pasi nxori nga bashkëqeverisja aleatin e tij të majtë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama ka nisur të piketojë personazhe nga kampi opozitar për t’i afruar pranë vetes.

Në mbledhjen e parë të qeverisë së re ai emëroi zëvendësministre të Brendshme Silva Cakën, ish-deputete e Partisë së Lirisë dhe një zë opozitar, sidomos aktive në protestat ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranë, Erjon Veliaj, që u shkarkua nga detyra në të njëjtën mbledhje.

Më herët gjatë verës Rama tërhoqi vëmendjen me emërimin e Genc Deromemës, një drejtues i degës lokale të Partisë Demokratike, si drejtor kadastre në Vlorë duke u justifikuar se I kishin mbaruar burimet njerëzore në kampin scocialist.

Ai po ashtu afroi në radhët e partisë së tij dhe e futi në listën e kandidatëve për deputetë Endrit Brahimllarin, po ashtu një ish figurë qendrore në Partinë e Lirisë, që drejtohet nga Ilir Meta, një ish socialist dhe aleat i Ramës, që gjendet sot në burg me akuzat e korrupsionit.

Emërimi i Cakës ngjalli reagim nga radhët e partisë së saj, por dhe në publik ku kapërcimet politike të tilla perceptohen si tradhëti politike por dhe si taktikë e pushtetit për të dëmtuar opozitën.

Por lëvizje të tilla bëjnë më shumë zhurmë se sa kanë një impakt direkt tek opozita thotë Dashamir Shehi, ish deputet veteran në parlamentin shqiptar dhe kryetar i Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, që nuk arriti të përfaqësohej në Kuvend në zgjedhjet e fundit.

“Qëllimi është dashakeq , të krijojë perceptimin që njerëzit e atyre po vijnë me ne, se nuk është se këta personazhe janë disa profesionistë të mëdhenj që shteti ka nevojë”, tha Shehi për BIRN.

“Praktikisht Rama bën zhurmë, diversion në publik dhe mban me këtë lloj tymnaje ca kohë median”, shtoi ai.

Nga ana tjetër Shehi sugjeron se këto lëvizje të disa eksponentëve nga opozita për një vend punë në kampin qeveritar nuk e dëmton në vetvete opozitën, edhe për shkak të peshës së vogël që personazhet kanë.

“Nuk është kjo që i prish punë opozitës, marrëveshje mes disa nëpunësve të vegjël me shefin e madh në pushtet, asaj i prish punë marrëveshjet politike që bëhen mes dy palëve që kanë interesa të tjera brenda, siç është ajo për Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën në 2008-n”, argumenton Shehi.

Për Zef Preçin, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike, këto veprime lidhen dhe me humbjen apo zbehjen e një dallimi ideologjik mes kampeve politike, ose mes PD-së dhe PS-së që kanë qëndruar në pushtet prej 35 vitesh dhe kjo e ka ndryshuar perceptimin qytetar ndaj politikës për keq.

“Kjo situatë favorizon klientelizmin partiak, patronazhimin politik, përdorimin e mjeteve dhe burimeve shtetërore për të siguruar rizgjedhjen, etj.. Ndoshta edhe propaganda e sofistikuar, sidomos gjatë dekadës se fundit e ka nxitur këtë sjellje të qytetareve, duke çuar edhe në situata absurde ku zgjedhjet ‘fitohen’ edhe pa patur fare program, apo kur thelbi i fushatës bëhet rrënimi i reputacionit të kundërshtarit pa thënë se çfarë ju ofron qytetarëve”, tha Preçi për BIRN.

Mungesa e një perceptimi të qartë për dallimet mes grupimeve politike, sipas Preçit, ka çuar dhe në lloj lehtësie në kalimet e personazheve të politikës nga njëri krah në tjetrin deri në nivele më të larta politike, si në radhët e deputetëve të Kuvendit, duke tjetërsuar kështu dhe vullnetin e votuesve.

Kultura e shit-blerjes në politikën shqiptare

Dashamir Shehi nuk e sheh si një fenomen të ri sjelljen e Ramës me miklimin e individëve nga kampi opozitar,  por si vijëmësi e një fenomeni të hershëm në politikën shqiptare që tregon në vetvete dhe mungesën e moralit politik apo identitetit ideologjik të partive në spektrin shqiptar.

Ai sjell si shembull kalimin e një partie të majtë që lindi nga PS-a, Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, nga koalicioni me Ramën në koalicion me Berishën dhe anasjelltas.

“Mos të ankohet sot opozita që po i merr ca nëpunës të vegjël, pasi Berisha i ka marrë PS-së praktikisht një kryeministër, Ilir Metën apo një figurë qendrore të partisë, Kastriot Islamin, etj..”, thotë Shehi.

Sipas tij, “kjo është një histori permanente shqiptare, një tipar i turpshëm i politikës që na ofron kronika e të paktën 20 viteve të fundit”.

Ngjashëm mendon dhe Zef Preçi, sipas të cilit Edi Rama ka luajtur një rol kyç në krijimin e këtij fenomeni, kur me ardhjen në krye të partisë socialiste solli me vete edhe filozofinë “përtej të majtës dhe të djathtës”.

Por, ai shton se, “fenomeni shitblerjes së individëve me ‘background’ politik është legjitimuar nga Kuvendi kur PD vendosi të dorëzojë mandatet dhe të bojkotojë zgjedhjet vendore, fenomen që tashmë ka fituar ‘qytetarinë’ nën ambicjen e z.Rama për t’i përdorur këta individë si demonstrim të mbështetjes së gjerë popullore që gëzon, ndonëse koha kur lideri merrte me shume vota se partia është lënë pas prej dekadash”.

Sipas Preçit kur kjo ndodh me mandatin e deputetit duhet të ketë pasoja kushtetuese.

“Mendoj se në një demokraci funksioanale, duke respektuar të drejtën legjitime të individit për të ndryshuar kahjen politike përmes marrjes së posteve në pushtetin e radhës, zgjedhësit duhet të jenë gjithashtu të lirë të gëzojnë të drejtën e tyre për të kërkuar llogari ndaj përfaqësuesve të tillë, duke përfshirë edhe të drejtën për revokuar mandatet e përfaqësimit”- argumenton ai./BIRN/

 

Video

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

? Jasir Asani po shkëlqen në Iran! Sulmuesi i Kombëtares shqiptare gjeti sërish rrugën e rrjetës me Esteghlal, duke shënuar në ndeshjen e tretë radhazi. ⚽ Gol nga pika e bardhë dhe festë në stilin e tij: shqiponja ? dhe “Siuuu” si Cristiano Ronaldo!

Përmbytje në Vaun e Dejës, 15 banesa nën ujë pas reshjeve të dendura Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin këtë të diel kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Një nga më të prekurat është Bashkia Vau i Dejës, ku për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve janë regjistruar përmbytje në disa lagje.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme