Politika 13 Nëntor 2025, 17:54 Nga VNA

SHBA fut në listën e zezë familjen Hysa për pastrim parash të kartelit Sinaloa

Ndaje në Whatsapp
SHBA fut në listën e zezë familjen Hysa për pastrim parash

Thesari i Shteteve të Bashkuara të enjten vendosi sanksione ndaj anëtarëve të familjes shqiptare Hysa në Meksikë, duke e akuzuar atë se e ka përdorur perandorinë e kazinove dhe restoranteve si mbulesë për shpëlarjen e parave të kartelit meksikan, Sinaloa.

Thesari amerikan tha se “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa (HOCG) u godit sot pas një pune të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Meksikës".

“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar shpëlarjen e parave në sektorin e lojërave të fatit në Meksikë. Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: Do të mbaheni përgjegjës”, tha nënsekretari i Thesarit për Çështjet e Terrorizmit dhe Inteligjencën Financiare, John K. Hurley.

Në përgjithësi, në listën e zezë janë futur 27 individëve dhe entiteteve.

Familja Hysa në të kaluarën ka mohuar publikisht çdo lidhje me krimin e organizuar.

Kush është familja Hysa dhe për çfarë akuzohen?

Sipas Thesarit, familja Hysa, apo HOCG, përfshin anëtarët e familjes, Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa dhe Fabjon Hysa.

Kjo familje akuzohet se e ka përdorur ndikimin e vet përmes investimeve ose kontrollit mbi biznese të ndryshme me bazë në Meksikë - duke përfshirë lokale bastesh dhe restorante - për t’i shpëlarë paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve.

SHBA-ja beson se HOCG vepron me pëlqimin e kartelit Sinaloa, i cili mban kontroll kriminal mbi pjesën më të madhe të territorit ku grupi zhvillon aktivitetet e tij.

Luftari, i cili jeton mes Meksikës dhe Kanadasë, shihet shpesh në media si një nga anëtarët kryesorë të familjes Hysa, duke dhënë intervista publike mbi bizneset e familjes në Meksikë dhe Evropë.

Luftari, Fatosi, Arbeni dhe Fabjoni kanë punuar ngushtë me një person amerikan për pastrimin e parave, përfshirë transportimin e sasive të mëdha të parave të gatshme nga Meksika në Shtetet e Bashkuara, ku kompania e atij personi amerikan është përdorur për shpëlarjen e parave, sipas Thesarit amerikan.

Luftari dhe Arbeni kanë përdorur një entitet me bazë në Evropë për t’u pasuruar nga shpëlarja e parave të paligjshme që i përkisnin personave të dyshuar për trafik narkotikësh. Luftar gjithashtu zotëron ose drejton disa kompani që përdoren nga familja Hysa.

Arbeni zotëron ose drejton disa kompani që përdoren nga familja Hysa në Meksikë. Ai gjithashtu është përfshirë në kontrabandimin e sasive të mëdha të parave të gatshme në Shtetet e Bashkuara me synimin për t’i shpëlarë ato, si dhe në përdorimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe restoranteve luksoze në Meksikë për t’i shpëlarë paratë e drogës.

Ramizi ka qenë i përfshirë në përdorimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe restoranteve luksoze në Meksikë si mbulim për shpëlarjen e parave nga shitja e narkotikëve.

Fatosi, së bashku me Luftarin, Arbenin dhe Fabjonin, kanë qenë të përfshirë në kontrabandimin e sasive të mëdha të parave të gatshme në Shtetet e Bashkuara për t’i shpëlarë më vonë.

Fatosi dhe Fabjoni kanë qenë gjithashtu të përfshirë në përdorimin e një entiteti me bazë në Evropë për t’u pasuruar nga shpëlarja e parave të paligjshme që u përkisnin personave të dyshuar për trafik narkotikësh.

Me veprimin e sotëm, OFAC-i synon gjithashtu disa individë dhe entitete brenda rrjetit të familjes Hysa.

Kompania me bazë në Meksikë, Entretenimiento Palmero, S.A. de C.V., në pronësi të Arbenit, është qendrore në operacionet e HOCG-së.

Shtetasi meksikan Gilberto Lopez Lopez vepron si komisionar i saj. Ndërsa shtetasja shqiptare, por me bazë në Meksikë, Eselda Baku (ish Eselda Hysa), vajza e Ramizit, është anëtare e Bordit të Drejtorëve të saj.

Çfarë nënkuptojnë sanksionet ndaj tyre?

Çdo aset i familjes Hysa në SHBA, ose që varet nga sistemet financiare amerikane, është i bllokuar dhe nuk mund të përdoret pa aprovimin e OFAC-it, njoftoi Thesari amerikan.

Personat apo entitetet amerikane nuk mund të bëjnë biznes me ta (transferim parash, mallrash, shërbimesh) pa licencë.

Institucionet financiare, amerikane ose ndërkombëtare që përdorin sistemin amerikan, duhet të kenë kujdes të veçantë ose të mos bashkëpunojnë me këto entitete ose me entitete që janë më shumë se 50 për qind në pronësi të tyre./ REL 

 

 

Video

Palestinezët që kanë humbur shtëpitë e tyre nga sulmet izraelite po strehohen në tenda të improvizuara në Sheshin e Ushtarit të Panjohur në lagjen Al Rimal të qytetit të Gazës. Sheshi është kthyer në një strehë të përkohshme për dhjetëra familje që kanë mbetur pa shtëpi për shkak të bombardimeve izraelite dhe zhvendosjeve të detyruara.

Gjykata e Pogradecit ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e Kevi Muçollarit duke e lënë të lirë. Dhjetëra banorë të Çërravës ishin në mbështetje të tij.

Kur martohesh për letra…

Damian Gjiknuri apo Arbian Mazniku? Mbi kë bashkëkryetar komisioni paskan rënë shigjetat e Zeusit sot?

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme