Politika 17 December 2025, 14:46 Nga VNA

Rishikimi i Reformës në Drejtësi, mazhoranca kërkon opinionin e Komisionit Europian dhe organeve të drejtësisë për ndryshimet ligjore

Ndaje në Whatsapp

Rishikimi i Reformës në Drejtësi, mazhoranca kërkon

Kryetari i komisionit Ulsi Manja tha se pas prezantimit të nismave në komision do të kërkohet mendimi i Komisionit Europian dhe i vetë organeve të drejtësisë para se të vijojë shqyrtimi i tyre në komisionet parlamentare.

Olsi Komici, deputet nismëtar i dy projektligjeve që prekin ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i  prezantoi nismat e tij fillimisht në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe më pas në Komisionin e Ligjeve.

Komici i cilësoi ndryshimet si një ndërhyrje e domosdoshme për forcimin dhe funksionalitetin e  Reformës në Drejtësi dhe në përputhje me përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian.

Sipas tij dispozitat e reja parashikojnë standarde më të larta dhe afate të reja për verifikimin e kandidatëve për dy këshillat që vijnë nga radhët e shoqërisë civile, avokatisë dhe akademisë, rritje të transparencës në lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë, atributet e rolit të Prokurorit të Përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të prokurorive, transparenca e vendimeve të këshillave, etj..

Deputeti socialist iu referua rekomandimeve të ardhura më herët nga Komisioni Europian për dy draftet në lidhje me disa formulime ligjore, të cilat ishin reflektuar në përmbajtjen përfundimtare të draftit të prezantuar para deputetëve.

Sipas tij rekomandimet lidheshin kryesisht me formulimet mbi kritetet e përzgjedhjes së kandidatëve duke kërkuar që termat që lidheshin me integritetin moral e profesional të zëvendësoheshin me kritere të qarta.

“Ne kemi vendosur kritere si; të mos ketë masë disiplinore në fuqi, të ketë kaluar me sukses vetingun, apo të mos ketë dhënë dorëheqjen nëse ka qenë subjekt i vetingut”- tha ai duke shtuar se “rekomandimi tjetër ka të bëjë me formulimin sjellje të rënda etike dhe morale, kërkohet të hiqet nga teksti i projektligjit, si formulim i përgjithshëm dhe i paqartë dhe që lë hapësira për interpretime subjektive, i cili do të pasqyrohet në vazhdimësi në nenet përkatëse”.

Komici po ashtu tha se ndryshimet mund të përfshijnë dhe një propozim që ka ardhur nga Unioni i Gjyqtarëve për shtyrjen e moshës së pensionit për gjyqtarët në prag të pensionit me qëllim angazhimin e tyre për zgjidhjen e dosjeve stok.

Kryetari i komisionit për Nismat Qytetare, Fatmir Xhafa, e cilësoi prezantimin e nismave si nisje të procesit për rishikimin e Reformës në Drejtësi dhe ngriti pikëpyetje se sa i zgjidhin këto dispozita problematikat me të cilat përballet drejtësia.

“A e zgjidh transparenca e publikimit të vendimeve? A rrit cilësinë, apo a e zgjidh problemin e besueshmërisë dhe llogaridhënies?’- tha ai duke kërkuar nga deputetët që ndryshimet të shihen duke pasur parasysh këto elementë që lidheshin me problemet e konstatuara gjatë këtyre viteve që këto ligje janë zbatuar.

Prekja e ligjeve të Reformës në Drejtësi ka nisur si projekt që në vitin 2022 kur Komisioni i Ligjeve ngriti një grup pune mes deputetëve të PS dhe PD, por draftet e përgatitura prej këtij grupi pune në konsultime të mbyllura mes drejtuesve të drejtësisë u rrëzuan në shumicën e tyre nga ekspertiza e misioneve EU-Just dhe OPDAT./BIRN/

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme