Politika 13 Shkurt 2026, 12:01 Nga VNA

Rama targeton sërish gjyqësorin për pagesat kalimtare të shkarkuarve nga vetingu

Ndaje në Whatsapp
Rama targeton sërish gjyqësorin për pagesat kalimtare të

Menjëherë sapo doli nga një takim me krerë të institucioneve të sistemit të drejtësisë të enjten, kryeministri Edi Rama targetoi sërish sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Me një status në rrjetin “X”, kryeministri akuzoi Gjykatën Administrative se po trajtonte të shkarkuarit nga vetingu, të cilët ai i quajti “llum”, si viktima dhe se u kishte njohur trajtim financiar prej 12 milionë eurosh në 92 vendime.

“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!”, shkroi kryeministri, pa sqaruar se për çfarë vendimesh flitej. “Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!”, shtoi ai.

Në postimin e tij, Rama iu referua një serie padish të fituara nga ish-magjistratë, prokurorë dhe gjyqtarë kundër Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ISSH, dhe vendeve të mëparshme të punës, për të përfituar dy paga mujore dhe një trajtim me 40% të pagës për 10 muaj pas shkarkimit nga detyra, të njohura si pagesa kalimtare për ndërprerjen e detyrës.

Ndryshe nga sa pretendoi kryeministri, maksimalisht pagesat për 92 paditë llogaritet të kapin një vlerë prej 2.5 milionë eurosh.

Sipas vendimeve të arsyetuara të Gjykatës Administrative, gjyqtarët e shkarkuar nga vetingu i janë drejtuar me padi gjykatës, duke shfrytëzuar legjislacionin në fuqi për pensionet suplementare.

Në këtë përballje, ISSH bashkë me degët e saj rajonale, Prokuroria e Përgjithshme si dhe gjykatat e thirrura si të paditura, kanë pretenduar se magjistratët e shkarkuar nga vetingu nuk duhej të përfitonin pagesë kalimtare për shkak të shkarkimit nga detyra.

Sipas qëndrimeve të tyre, termi “ndërprerje e funksionit” që mundëson përfitimin e pagesës kalimtare dhe “mbarimi i statusit të magjistratit” si rrjedhojë e vendimit të shkarkimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk ishin të njëjta.

“Në ndërthurje të shkaqeve të procesit të rivlerësimit me frymën e ligjit për pensionet suplementare, që ka për qëllim të garantojë status dhe dinjitet të funksionarëve që i kanë shërbyer shtetit, mund të thuhet se ka përjashtuar subjektet e rivlerësimit që nuk e kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit”, thuhet në pretendimet e palës së paditur në një nga vendimet që BIRN ka.

Në vendimet e arsyetuara, të publikuara në faqen e Gjykatës Administrative, theksohet se legjislacioni – përfshirë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ligjin e vetingut 84/2016, ligjin për statusin e magjistratëve 96/2016 dhe legjislacionin për pensionet (Ligji nr. 8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, i ndryshuar) – nuk e ndalon përfitimin e pagesës kalimtare.

“Një nga rastet e përfundimit të statusit të magjistratit, të parashikuar në shkronjën (ç), është shkarkimi për shkak të përgjegjësisë disiplinore. Pavarësisht se janë përdorur terma të ndryshëm (ndërprerje të funksionit dhe mbarim i statusit të magjistratit), sipas interpretimit teleologjik të normave juridike, qëllimi i legjislatorit ka qenë që në rast ndërprerjeje të funksionit, përfshi edhe rastin kur shkarkohet nga funksioni për përgjegjësi disiplinore, magjistrati gëzon të drejtën për të përfituar dy paga mujore të funksionit që ka ushtruar”, thuhet në arsyetimin e vendimit për një nga ish-magjistratët që ka përfituar.

Një tjetër gjyqtar i Gjykatës Administrative arsyeton se “nëse ligjvënësi do të kishte patur si qëllim që të kufizonte përfitimin dhe mënyrën e përllogaritjes së pagesës kalimtare me kontributin e derdhur”, do ta kishte parashikuar atë në legjislacion.

Në të gjitha vendimet, gjykata arsyeton se të vetmet raste përjashtimore ishin personat që jepnin dorëheqjen pas kalimit të afatit tremujor nga hyrja në fuqi e ligjit 84/2016 të vetingut.

Gjyqtarët që kanë dhënë vendime në favor të ish-magjistratëve kanë arsyetuar po ashtu se kjo pagesë kalimtare bazohej në kontributet e këtyre të shkarkuarve.

Sipas tyre, magjistratët kishin derdhur gjatë detyrës së tyre kontribute suplementare pranë Sigurimeve Shoqërore.

Në një vendim, gjykata argumenton se paditësja ka paguar kontribute për sigurime suplementare, 4% të pagës për mbi 15 vjet. Sipas gjykatës, mohimi i kësaj të drejte do të përbënte cenim të së drejtës së pronës, pasi këto pagesa burojnë nga kontributi i derdhur ndër vite dhe jo nga mënyra se si u ndërpre marrëdhënia e punës.

Kryeministri nuk sqaroi se për çfarë dëmshpërblimi bëhej fjalë, ndërkohë që foli për kostot e këtyre vendimarrjeve për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. BIRN llogariti se edhe nëse ish-magjistratët do të paguheshin me referencë pagën maksimale bruto, atë të Presidentit të Republikës, pagesa për 92 raste shkon rreth 2.5 milionë euro, larg nga 12 milionë eurot që pretendoi Rama. Kryeministria nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi./Reporter.al

Lexo gjithashtu

Video

Një person i armatosur me thikë ka tentuar të sulmojë një polic pranë Arc de Triomphe në Paris. Sipas kryetares së bashkisë së Parisit, policia ka reaguar menjëherë duke qëlluar me armë zjarri ndaj personit për të neutralizuar rrezikun. Ende nuk ka informacion të detajuar për gjendjen e të dyshuarit apo nëse ka persona të tjerë të lënduar. Zona është rrethuar nga forcat e sigurisë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Një tenor i ri rus ka kënduar arien e famshme “Nessun dorma” nga opera Turandot e Giacomo Puccini në sheshin përpara Duomo di Firenze, por performanca e tij përfundoi me gjobë. Nuk është hera e parë që këngëtari kapet duke performuar pa leje në sheshe historike ku ndalohen shfaqjet spontane. Këtë herë, ndërsa ai mori duartrokitje nga kalimtarët, patrulla e policisë bashkiake – që e gjobiti dhe i sekuestroi pajisjet e amplifikimit – u përball me fishkëllima nga publiku i improvizuar. Jo vetëm kaq: kur autoritetet i morën rreth 100 eurot që kishte fituar nga performanca, kalimtarët reaguan menjëherë duke ia kthyer shumën aty për aty. E gjithë skena u filmua rastësisht nga influenceri Diego Fusina, i cili ndodhej aty dhe e publikoi videon në rrjetet sociale. Siç pritej, pamjet u bënë virale brenda pak orësh.

Një përleshje e dhunshme shpërtheu gjatë një fluturimi të "Jet2" nga Turqia drejt Mançesterit, duke detyruar pilotin të kryejë një ulje emergjente në Bruksel. Konflikti nisi pas një mosmarrëveshjeje për një telefon mes pasagjerëve britanikë dhe u përshkallëzua shpejt në përleshje fizike në korridor të avionit. Dëshmitarët raportuan kaos në bord, përfshirë dhe gjak në sedilje e dhëmbë në dysheme. Sipas pasagjerëve, një nga personat e arrestuar kishte konsumuar shumë alkool dhe dyshohet se kishte bërë komente raciste para përplasjes. Pas uljes emergjente, policia arrestoi dy persona në bord, ndërsa fluturimi vijoi më pas drejt destinacionit të tij final. Piloti vlerësoi se incidenti ishte ndër më të dhunshmit që kishte përjetuar në 30 vite karrierë. Kompania ajrore e përshkroi sjelljen si “të papranueshme” dhe njoftoi se të përfshirët do të ndaloheshin përjetë nga fluturimet e saj.

Operatorët e TV sot, në shenjë proteste, ulën kamerat dhe nuk xhiruan eksponentët e PD që u paraqitën në gjykatë ku shqyrtohen masat e sigurisë për protestuesit e ndaluar. Reagimi vjen pasi gjatë të martës, një operator rrezikoi jetën duke marrë flakë gjatë hedhjes së molotovëve, teksa ishte duke xhiruar mbi makinën e News 24.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme