
Që prej Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të mbajtur më 11 shtator, kryeministri Edi Rama ka sinjalizuar ndryshime të thella në bashkinë e Tiranës. Në këtë takim, ai shpalli zyrtarisht edhe kandidaten e re për drejtimin e kryeqytetit: ministren Ogerta Manastirliu.
Lëvizja e parë konkrete nga Partia Socialiste erdhi dje, kur këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës u mblodhën në selinë rozë për të diskutuar mbi urdhrin e Ramës për shkarkimin e Erion Veliajt. Ata vendosën që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, e cila do të zhvillohet të martën, më 23 shtator, të paraqesin zyrtarisht kërkesën për shkarkimin e kryebashkiakut aktual dhe nisjen e procedurave për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Por ajo që bie më shumë në sy është heshtja e thellë e Erion Veliajt. Një figurë politike e njohur për praninë e tij të vazhdueshme në rrjetet sociale, madje edhe gjatë qëndrimit të tij në qeli, sot nuk ka thënë asnjë fjalë për zhvillimet që lidhen direkt me të dhe të ardhmen e tij politike.
Një vizitë e thjeshtë në faqen e tij në facebook tregon postime të fundit që variojnë nga kritikat ndaj prokurorit që heton çështjen e tij, tek mesazhet për qytetarët dhe nxënësit që kanë nisur vitin e ri shkollor e deri tek arritjet e bashkisë gjatë drejtimit të tij . Por asnjë reagim mbi lëvizjet politike që po i japin fund mandatit të tij, as për ta kundërshtuar, as për ta pranuar vendimin e Ramës dhe kërkesën e këshilltarëve bashkiakë.
Deri tani, në emër të Veliajt kanë folur vetëm avokatët e tij, të cilët kanë argumentuar në media pse shkarkimi i tij është i pabazuar ligjërisht. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar as prej tyre që më pas Veliaj ta ripostojë në rrjetet sociale, siç ka vepruar me reagimet e mëparshme.
Kjo situatë ngre disa pyetje, të përbëjë ky moment pikën e kthesës në marrëdhënien Rama–Veliaj? A do të zgjedhë kryebashkiaku të përballet publikisht me kryetarin e tij, apo do të heshtë, ashtu si shumë bashkëpunëtorë të mëparshëm të kryeministrit, duke pranuar me bindje vendimet që vijnë nga lart?
Veliaj, dikur e mbronte me fanatizëm marrëdhënien e tij me kryeministrin, aq sa shprehej që kundërshtarët politikë luten që kjo të ndodh, por kishte zero shanse të ndodh. Për kujtesë, po sjellim një deklaratë të tij:
“Njerëz që në fakt e kanë pasur në dorë pushtetin. Nuk e di sa kallo duhet të kenë në gjunjët e tyre që të luten dhe kjo një ditë unë dhe kryeministri nuk do shkojë mirë. Kjo ka zero shanse të ndodhë. Të gjithë atyre që luten që ne të kemi një konflikt të madh, dhe krejt papritur t’i lëmë ata që shqyen Tiranën të menaxhojnë vendin, dua t’u them këtë. Kush uron dhe kush mendon që në këtë përpjekje që ne kemi, ne do të kemi konflikte përçarje, dhe inate, probabiliteti është zero hiç”, shprehej kryebashkiaku.
Po tani, kur vetë Rama ka vendosur t’ia kalojë menxhimin e Tiranës Ogerta Manastirliut, pyetja që mbetet pezull është,çfarë mendon Veliaj? Qytetarët presin një përgjigje. Qoftë me një status në Facebook, ashtu siç ka bërë gjithmonë.