Politika 19 March 2026, 17:26 Nga VNA

Rama i qau hallin se jeton me qira, por Mirlinda Karçanaj zotëron katër apartamente dhe një ullishte

Ndaje në Whatsapp

Rama i qau hallin se jeton me qira, por Mirlinda Karçanaj zotëron

Kryeministri Edi Rama pretendoi se Mirlinda Karçanaj jeton në një shtëpi me qira. Verifikimet e Faktoje tregojnë se ish-drejtoresha e AKSH-it zotëron katër apartamente dhe një ullishte 1,500 m², përkatësisht dy në bashkëpronësi dhe dy në pronësi të plotë.

Dhjetorin e shkuar, Prokuroria e Posaçme goditi një grup të dyshuar kriminal në krye të AKSHI-t, mes të cilëve edhe drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, aktualisht në arrest shtëpie, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. 

Në një “esencë hetimi” prej 206 faqesh, SPAK përshkruan një rrjet të mirëorganizuar brenda agjencisë, i cili dyshohet se ka përvetësuar qindra milionë euro nga tenderat publikë, përmes shantazhit, pengmarrjes dhe përfshirjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe policorë.

Kjo konsiderohet një nga dosjet më të rënda të SPAK, pasi AKSHI është një ndër institucionet më sensitive në vend, që menaxhon pothuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes e-Albania dhe shërben si ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve për qindra shërbime. 

Megjithatë, kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje ish-bashkëpunëtores së tij të ngushtë, duke deklaruar se Mirlinda Karçanaj gëzon “respekt të padiskutueshëm”. Ai madje i qau hallin Karçanajt, e akuzuar për shpërdorimin e miliona eurove, duke theksuar se ajo jeton në një shtëpi me qira.

“Linda Karcanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit…,” deklaroi Rama fundvitin e kaluar. 

Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta në media dhe rrjetet sociale, duke hapur një debat të gjerë publik. Nuk munguan as reagimet ironike, ku disa faqe të njohura në rrjete sociale sugjeronin me sarkazëm hapjen e një “GoFundMe” për Mirlinda Karçanajn.

Por përtej zhurmës, faktet kërkojnë verifikim. Ndaj Faktoje iu drejtua Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPI-së, për të parë çfarë deklaron vetë Karçanaj për pasurinë e saj të paluajtshme. 

Sa prona zotëron Karçanaj? 

Analiza e deklaratave të saj pasurore mbi 21 vite tregon një panoramë shumë më të pasur se ajo që e paraqet kryeministri. Në 2007, kur ishte drejtoreshë e Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë e Tiranës, Karçanaj deklaronte 25% të një apartamenti 3+1, 94 m² në Tiranë. 

Në 2013 (kohë kur merr edhe detyrën e re si drejtoreshë e AKSHI-t) , e njëjta pronë shihet e saj me 50% bashkëpronësi. Në 2016, ky apartament rivlerësohet në mbi 13 milionë lekë apo 135 mijë euro. 

Në të njëjtin vit, Karçanaj deklaron edhe blerjen e një apartamenti tjetër 136 m² në Tiranë për 65 mijë euro, ku 50% i përket bashkëshortit, Artan Babaramo. 

Po në 2016, çifti blen edhe një apartament 60 m² në Qerret për 17,340 euro. Të dyja blerjet, sipas deklaratave, janë financuar nga kursimet ndër vite dhe pagat.

Një vit më vonë, apartamenti i Tiranës i blerë 65 mijë euro rivlerësohet në rreth 24,5 milionë lekë apo 240 mijë euro. 

Në 2022, Karçanaj bëhet pronare e vetme e apartamentit 3+1 në Tiranë me vlerë 135 mijë euro, trashëgimi nga prindërit, dhe shton pasuri të tjera: një apartament 73.5 m² dhe një ullishte 1,500 m², po përmes trashëgimisë, pa specifikuar vendndodhjen dhe vlerën.

Rama i qau hallin se jeton me qira, por Mirlinda Karçanaj zotëron

Pra, ndryshe nga sa deklaroi kryeministri, Karçanaj zotëron katër apartamente, 2 në bashkëpronësi me bashkëshortin dhe 2 të tjera në pronësi të plotë si dhe një ullishte 1500 m², pa përfshirë këtu kursimet e deklaruara në euro dhe lek ndër vite.

Përfundim 

Verifikimi i deklaratave të pasurisë së Mirlinda Karçanajt tregon qartë se ajo zotëron katër apartamente dhe një ullishte 1,500 m², përkatësisht dy në bashkëpronësi me bashkëshortin dhe dy në pronësi të plotë./Faktoje.al/

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme