Politika 23 Shtator 2025, 13:49 Nga VNA

Qeveria shpërblen me 5.1 milionë euro televizionet e mëdha për lirimin e frekuencave

Ndaje në Whatsapp
Qeveria shpërblen me 5.1 milionë euro televizionet e mëdha

Procesi i vonuar i lirimit të frekuencave 700 MHz nga operatorët televizivë do t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë të paktën 5.1 milionë euro të tjera – para të cilat parashikohen të ndahen mes gjashtë kompanive mediatike të rrjeteve numerike, sipas një projektligji që qeveria ka dorëzuar së fundmi për konsultim publik.

Frekuencat 700 MHz, të quajtura edhe Digital Divident Dy (DD2), janë valë radio që deri tani përdoren nga televizionet për transmetim. Qeveria synon t’i lirojë ato dhe t’i kalojë për rrjetet e reja celulare 5G.

Projektligji “Për lirimin e frekuencave të Digital Dividentit Dy (DD2)”parashikon që kompensimi financiar prej 5.1 milionë eurosh të ndahet mes operatorëve të rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA, ku përfshihen operatori publik RTSH, TV Klan, Top Channel, Digitalb, ADTN dhe Media Vizion.

“Masa e kompensimit financiar do të jetë 50% e totalit në fillim të procesit të lirimit të brezit 700 MHz dhe pjesa e mbetur 50% e totalit, në përfundim të procesit të lirimit të brezit 700 MHz,” thuhet në projektligj.

Procesi i lirimit të frekuencave 700 MHz, të njohura si Digital Divident Dy (DD2), është një detyrim ndërkombëtar për Shqipërinë, e cila është përballur me vonesa përtej afatit të vendosur nga Bashkimi Europian në qershor 2022.

Në Shqipëri, situata u komplikua nga një vendim i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në vitin 2017, kur operatorët televizivë u licencuan për të përdorur brezin 700 MHz për 10 deri në 15 vite, ndonëse dihej që pas vitit 2022 ky brez frekuencash nuk do të ishte më i disponueshëm për këtë shërbim.

E pyetur nga BIRN për shpërndarjen e vlerës së kompensimit mes operatorëve numerikë, Autoriteti i Mediave Audiovizive tha përmes një përgjigje me shkrim se do të ndiqej e njëjta praktikë si në rastin e dividentit digjital 1, të cilën ajo e konsideroi të suksesshme. Në vitin 2017, qeveria shpërndau rreth 5 milionë euro të tjera për mediat private për kalimin e tyre nga transmetimi analog në atë numerik.  AMA theksoi gjithashtu se të dhënat për shpërndarjen e kompensimit do të bëhen publike pas miratimit të ligjit.

“Plani Kombëtar i Frekuencave, i miratuar në dhjetor 2024, parashikon që lirimi të përfundojë deri në fund të vitit 2025 dhe procesi kërkon përcaktimin e një skeme kompensimi për operatorët të cilët duhet të zhvendosen nën brezin 700 MHz, pasi do të ketë ndryshime në rrjetin kombetar, transmetues, ndryshime zonash mbulimi etj, që përkthehen në investime per operatorët kombëtarë,” tha AMA.

“Duke marrë parasysh situatën e krijuar dhe rëndësinë që kjo çështje ka në nivel politik, teknik, rregullator dhe diplomatik, është i nevojshëm miratimi i projektligjit për fillimin e procesit të Migrimit të Frekuencave dhe lirimit të brezit 700 MHz, për të siguruar respektimin e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë,” shtoi ajo.

Gazetari dhe pedagogu Elvin Luku i tha BIRN se keqmenaxhimi në ndarjen fillestare të frekuencave dhe vonesa në lirimin e tyre ka sjellë kosto të dyfishta për vendin. Luku shpjegon se operatorët televizivë po kompensohen me 5.1 milionë euro për lirimin e frekuencave, të cilat nuk duhej t’i kishin marrë në përdorim në vitin 2017, ndërkohë që mospërdorimi i tyre për rrjetin 5G ka sjellë gjithashtu kosto.

“Është humbja prej 5.1 milionë euro që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga një keqmenaxhim i procesit të dhënies së licencave në vitin 2017 që licencoi operatorët për përdorimin e brezit 700 MHz 10 apo 15 vite, kur dihej se në vitin 2022 këto operatorë që investuan nuk do të mund ta përdornin më këtë rrjet,” theksoi Luku.

Sipas tij, problematikat nuk janë vetëm financiare, por kanë krijuar edhe pabarazi mes qytetarëve duke lënë jashtë mbulimit me shërbim më të mirë një pjesë të vendit.

“Dy rrjetet kanë sjellë një mungesë shërbimesh cilësore për qytetarët shqiptarë dhe bizneset në tërësi në raport me vendet e tjera të rajonit. Mos harrojmë se edhe licencat e dhëna në vitin 2024 krijojnë një ndarje digjitale mes qytetarëve, pasi përmes këtyre licencave, sipas AKEP, në rastin më të mirë mbulohet vetëm 55% e territorit dhe me përdorimin edhe të spektrit DD2 ky mbulim synohet të rritet në 88%”, thotë Luku.

Në relacionin që shoqëron projektligjin, vonesat justifikohen me kompleksitetin e procesit, që përfshin elementë teknikë, ligjorë dhe kërkon koordinim ndërkufitar me shumë vende. Relacioni vë në dukje edhe faktin se operatorët televizivë të licencuar kanë investuar për ndërtimin e rrjeteve të transmetimit numerik mbi bazën e licencave të lëshuara nga AMA, duke bërë që procesi të ketë edhe një kosto financiare.

Qeveria argumenton në relacion se paratë që do t’u paguajë kompanive mediatike do të rikthehen në buxhet përmes të ardhurave që do gjenerohen nga dhënia në përdorim e frekuencave për rrjetet 5G. Sipas relacionit zyrtar, projekt-akti “ka si qëllim të sigurojë vazhdimësinë e marrjes nga publiku të të gjitha programeve televizive, që transmetohen nëpërmjet rrjeteve tokësore, pas lirimit të brezit 700 MHz, përmes kompensimit të pjesshëm të kostove neto shtesë/direkte që shkakton procesi i lirimit të brezit 700 MHz”./BIRN/

 

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme