Politika 30 September 2025, 14:50 Nga VNA

Qeveria kërkon zgjedhje në Tiranë, pavarësisht ankimit të Veliajt

Ndaje në Whatsapp
Qeveria kërkon zgjedhje në Tiranë, pavarësisht ankimit

Këshilli i Ministrave vuri në lëvizje të martën Presidentin e Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën. Në një faksimile të publikuar në media bëhet me dije se i kërkohet Presidentit të shpallë datën e zgjedhjeve për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik.

“Në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë… Këshilli i Ministrave është vënë në dijeni për krijimin e vakancave për kryetar në disa bashki të vendit, përkatësisht në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik, e si rrjedhim kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në këto bashki, brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor,” thuhet në letrën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Kërkesa e qeverisë për datë zgjedhjesh vjen një ditë pasi kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës, Erion Veliaj, ankimoi nga qelia në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij. Bazuar në nenin 115 të Kushtetutës, ankimi i Veliajt pezullon vendimin e qeverisë për shkarkim deri në një vendim të Gjykatës.

Bashkitë e Matit, Tepelenës dhe Beratit kanë mbetur pa kryetarë që prej pranverës, për shkak të kandidimit të tyre në listën e deputetëve të Partisë Socialiste. Shpallja e zgjedhjeve në këto bashki zvarritet prej muash, pavarësisht se ligji parashikon si afat maksimal 45 ditë pas njoftimit të ndërprerjes së mandatit.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha dha dorëheqjen më 10 shtator, ndërsa kryebashkiaku i Cërrikut, Andis Hasalla e la vendin vakant për t’u bërë ministër.

Shkresa e qeverisë ia lë në dorë Presidentit Bajram Begaj vendimmarrjen për shpalljen e zgjedhjeve, qoftë në të gjashta bashkitë, qoftë në disa prej tyre. Megjithatë, ndërsa për zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera nuk duket të ketë pengesa, ato për Tiranën – më të rëndësishmet – do të duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni, ku bashkia e drejtuar prej tij dhe biznesmenë që fitonin tendera në bashki ushqenin me para një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse të drejtuara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Pas arrestimit, Veliaj u mbrojt fillimisht nga Rama dhe Partia Socialiste, por 7 muaj më pas, me iniciativë të Ramës, u nis procedura e shkarkimit të tij në Këshillin Bashkiak. Veliaj i ka kundërshtuar akuzat dhe po ashtu ka kundërshtuar vendimin për shkarkim si antikushtetues./BIRN/

 

Video

Lamine Yamal ndez atmosferën te Barcelona para El Clasicos! Talenti spanjoll dhuroi spektakël në stërvitjen e fundit, duke kaluar me lehtësi disa bashkëlojtarë me driblimet e tij dhe duke e përmbyllur aksionin me një gol fantastik. Paraqitja e tij u prit me duartrokitje dhe ovacione nga lojtarët e Barcelonës, të cilët shpresojnë që Yamal të bëjë diferencën edhe në përballjen e madhe ndaj rivalit të përjetshëm. Barcelona-Real Madrid luhet nesër, të dielën, në orën 21:00, në “Spotify Camp Nou”, në një sfidë ku pritet spektakël dhe emocione të mëdha.

Dash Sula, zbulon se Edi Rama është kundër punësimeve nepotike. Si provë, na sjell një mesazh nga vetë Rama, pasi një zyrtar i lartë i PS-së i kishte kërkuar të bënte drejtor të birin. Nga sa kuptohet, Sula po priste të merrte vesh ç’mendonte kryeministri. Se po të ishte për meritokracinë, përse duhej pyetur Rama? © Top Channel

Shqipëri, 2026. Fëmijë që dalin nga burgu. Credits: myzyrajisa

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme