Politika 14 Maj 2026, 22:37 Nga VNA

Pyetje të lexuara, përgjigje të mësuara dhe lot me regji: Spektakli televiziv i Gridës për të larë figurën e Mirlinda Karçanajt

Ndaje në Whatsapp
Pyetje të lexuara, përgjigje të mësuara dhe lot me regji:

U shfaq papritur në “prime time” një nga emrat më të përfolur të muajve të fundit: ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Përballë akuzave të rënda të ngritura nga SPAK për manipulim tenderash, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, publiku priste një intervistë me pyetje reale, përballje me faktet dhe llogaridhënie për milionat publike që dyshohet se janë shpërdoruar.

Por ajo që u transmetua në ekran ngjante më shumë me një operacion pastrimi imazhi sesa me gazetari. Një studio e ngritur si strehë emocionale për një të akuzuar nga drejtësia, me pyetje të lexuara, përgjigje të lexuara, lot të dozur me kujdes dhe një regji televizive që dukej sikur kishte marrë përsipër të fshinte nga kujtesa publike dosjen e SPAK-ut.

Në vend të pyetjeve për lidhjet me Ergys Agasi, për tenderat e dyshuar të manipuluar, për vilën në Qerret, apartamentet, takimet, favorizimet apo akuzat për skemën e ndarjes së parave publike, publiku pa një serial qarravitjesh televizive ku Karçanaj përsëriste se ishte futur “në thertoren e gjësë së gjallë”, se “AKSHI kishte bërë revolucion” dhe se jetonte me qira pranë punës nga përkushtimi institucional.

Madje, në përpjekje për të relativizuar stilin e jetesës dhe pasuritë që kanë ngritur kaq shumë pikëpyetje publike, ajo hodhi mes rreshtash justifikimin se “shtëpinë me qira në plazh e kishin marrë si gjithë shqiptarët”. Sikur shqiptarët të kalonin pushimet masivisht në vila me qira buzë detit dhe jo duke numëruar shpenzimet për disa ditë pushimi. Në fakt, ajo ishte ndoshta e vetmja fjali që dukej se i kishte dalë jashtë skenarit të kuruar me aq kujdes, sepse pikërisht aty u kuptua sa artificiale ishte e gjithë intervista dhe sa larg realitetit tingëllonte përpjekja për t’u paraqitur si “njësoj si gjithë të tjerët”.

Më skandalozja nuk ishte vetëm mënyra si u shmangën akuzat, por fakti që një person nën hetim për vepra kaq të rënda u trajtua si viktimë e mediave dhe jo si zyrtare që duhet t’u përgjigjet qytetarëve për dyshimet mbi përdorimin e parasë publike. Sulmet ndaj gazetarëve ishin pjesë e pandarë e kësaj performance, sikur problemi të mos ishin akuzat e SPAK-ut, por ata që i raportojnë ato.

Ndërkohë, dosja e SPAK flet për akuza konkrete: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Pastrim parash”. Hetimet dyshojnë për manipulim dhe favorizim të paligjshëm në rreth 12 tendera publikë të zhvilluar nga AKSHI, ku sipas prokurorisë Karçanaj dyshohet të ketë vepruar në bashkëpunim me biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Por në ekran, asgjë nga këto nuk ekzistonte. Vetëm lot, servilizëm ndaj prokurorëve, sulme ndaj gazetarëve dhe një aktrim i kuruar deri në detaj, ku intervista dukej më shumë si një fshesë televizive për të pastruar baltën e akuzave sesa si një përballje me të vërtetën.

Video

Baki Hoxha, shqiptari që po udhëton me flotilën për në Gaza ka dhënë një mesazh në facebook. "Ndalimi i genocidit ka mbetur detyrë e qytetarëve të thjeshtë sepse qeveritë mbyllin sytë ose, më keq, janë bashkëfajtore".

Meqë nuk i themi dot gjë Ramës merremi me Berishën…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme