Politika 23 October 2025, 17:44 Nga VNA

PS përdori gjerësisht burimet publike në fushatë, vëren raporti i OSBE-ODIHR

Ndaje në Whatsapp
PS përdori gjerësisht burimet publike në fushatë, vëren

Konstatimet janë pjesë e raportit përfundimtar të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) për zgjedhjet e 11 majit, i publikuar të enjten.

Raporti vëren se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës duke krijuar një avantazh të padrejtë, ndërsa  ‘praktikat abuzive’ nuk u ndaluan nga kuadri ligjor dhe interpretimi i ngushtë i tij nga administrata zgjedhore.

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të pushtetit. U raportuan gjithashtu shumë raste presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve publikë,” thuhet në nisje të raportit, i cili vëren se vetë zgjedhjet u mbajtën në një situatë të polarizuar politike.

Misioni i ODIHR-it thotë se mori raportime të përhapura që tregonin presion ndaj punonjësve bashkiakë nga eprorët e tyre për të mbështetur ose marrë pjesë në fushatën e Partisë Socialiste.

“Shumë bashkëbisedues të misionit ODIHR shprehën shqetësim mbi ndikimin e rrjeteve klienteliste në mbarë vendin, duke pohuar se premtime për punësime të ardhshme në sektorin publik, favore administrative, përfitime sociale dhe leje ndërtimi apo të tjera janë përdorur si mjete presioni për të siguruar vota,” thuhet në raport.

Ankesa për frikësime të votuesve apo presione të ekspozimit të komuniteteve vulnerabël të shoqërisë ndaj presionit të autoriteteve publike shihen nga ODIHR si cënim të standardeve demokratike të zgjedhjeve dhe votës së lirë.

Vëzhguesit dalin në përfundimin se “u vërejtën raste presioni ndaj punonjësve publikë, frikësimi i mbështetësve të opozitës, dhe keqpërdorimi i rrjeteve klienteliste. U raportuan gjithashtu blerje votash dhe ndikim të elementëve kriminalë në disa zona”.

Një shqetësim për standardet zgjedhore vijon të mbetet financimi i fushatave zgjedhore, një rekomandim i pazbatuar i ODIHR nga raportet e mëparshme.

“Mungesa e rregullimit për huatë, fushatat online dhe shpenzimet e palëve të treta ul transparencën”- vëren ODIHR ndësa shton se “asnjë subjekt nuk publikoi databazë të donacioneve dhe mungesa e mekanizmave ligjorë pengoi ndëshkimin”.

Raporti po ashtu vë në dukje se aksesi i votuesve në një informacion të paanshëm ishte i kufizuar për shkak të përqendrimit të pronësisë mediatike, vetëcensurës mes gazetarëve dhe dominimit të lajmeve nga dy partitë më të mëdha.

“Mjedisi mediatik mbetet i kufizuar, me pronësi të përqendruar, mungesë pavarësie editoriale dhe ndikim politik. Shumica e mediave perceptohen si të afërta me partinë në pushtet. Shpifja mbetet e kriminalizuar dhe gazetarët përballen me padi,” raporton misioni vëzhgues në raport.

Raporti përshkruan situatën në të cilën ndodhet media në Shqipëri me kufizime në një raportim të pavarur, që vjen prej ndërhyrjes së pronarëve të mediave në autonominë redaksionale dhe mungesën e aksesit në ekzekutiv.

“Gazetarët raportojnë për një kufizim në rritje të aksesit ndaj përfaqësuesve të qeverisë, përfshirë Kryeministrin, me një ulje të numrit të konferencave për shtyp dhe raste kur gazetarëve u ndalohet pjesëmarrja në aktivitete publike, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”- thuhet në raport, ndërsa vërehet se “përmbajtja redaksionale e lajmeve shpesh zëvendësohet nga materiale të përgatitura nga institucionet shtetërore, gjë që komprometon integritetin editorial”.

Agjencia e Medias dhe Informacion pranë Kryeministrit përshkruhet si zyra që “qendërzon dhe filtron informacionin që shpërndahet mbi aktivitetet e qeverisë dhe institucioneve publike”.

Gjithashtu si shqetësim përmendet dhe përdorimi i rrjeteve sociale si një ‘diskurs përçarës” dhe “ dhe mungesa e mekanizmave të monitorimit të përmbajtjeve manipuluese.

Në fund të raportit OSBE-ODIHR ofron 25 rekomandime të reja për autoritetet publike shqiptare për një reformë të kuadrit ligjor për zgjedhjet.

Në një rekomandim të ripërsëritur kërkohet të merret në konsideratë depolitizimi i procedurës së emërimit të administratës zgjedhore.

Ndërsa për të shmangur paqartësitë në përdorimin e burimeve publike për qëllime elektorale ODIHR rekomandon se “duhet të ndalohet që nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e votimit”, ndryshe nga afati 3 mujor para zgjedhjeve që është aktualisht në kod.

Rekomandohet po ashtu ndalimi i përdorimit nga media në edicionet informative i përmbajtjeve të gatshme që vijnë nga partitë politike dhe qeveria./Reporter.al

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme