Politika 10 Nëntor 2025, 20:48 Nga VNA

Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë në 2026

Ndaje në Whatsapp

Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë

Në një video të ditëve të fundit në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tha se buxheti i shëndetësisë dhe i mirëqenies sociale për vitin e ardhshëm tejkalonte vlerën 1 miliard euro.

“Mu duk e udhës të ndaj me ju projektbuxhetin 2026 me mbi 1 miliardë eurot e tij për shëndetësinë dhe mirëqënien sociale”, deklaroi kryeministri. 

Mirëpo, financimi për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale nuk e tejkalon këtë vlerë. Madje nuk është as 1 miliardë euro.

Sipas projektbuxhetit zyrtar, totali i buxhetit për shëndetësinë dhe përkujdesjen sociale në 2026 është 82,5 miliardë lekë, që konvertohet në rreth 853 milionë euro. Nga përllogaritjet rezultojnë rreth 147 milionë euro më pak se ajo që deklaron kryeministri. 

“E gjithë kjo që ndodh është një propagandë ‘extra’ për veshët e qytetarëve”, shpjegon drejtori i Institutit për Studime Ekonomike, Zef Preçi.  

“Pastaj përse duhet përmendur sikur po jep kursimet e jetës kur buxheti është kontribut fiskal i përbashkët, i të gjithë qytetarëve të vendit”, shton më tej ai.

Edhe nëse shohim strukturën e buxhetit të shëndetësisë, vihet re një pabarazi e theksuar. Shërbimet e kujdesit dytësor (spitalet) marrin pothuajse gjysmën e totalit, 49.2%, ndërsa planifikimi, menaxhimi dhe administrimi kap vetëm 0,6%. Kujdesi parësor, që do të duhej të ishte baza e çdo sistemi shëndetësor funksional, merr vetëm 8,7%. Ndërkohë, përkujdesja sociale, që shpesh përmendet si shembull i mbështetjes, kap 33,6% të totalit.

Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë

Shkurtim fondesh ndër vite

Megjithëse shëndetësia shpallet prioritet, në pesë vitet e fundit, fondet ndonëse të kufizuara janë ulur më tej përmes akteve normative. Nga viti 2021 deri në 2025, buxheti fillestar rritet, por aktet normative që vijnë më pas shpesh reduktojnë shumat reale që shkojnë në shëndetësi. 

“Në shëndetësi fondet janë pakësuar jo aq për shkak të vështirësive buxhetore apo përparësive të tjera zhvillimore, por kryesisht për shkak të kontrollit me dorë të hekurt të prokurimeve. Tenderat anullohen nëse paratë nuk shkojnë ‘aty ku duhet”, argumenton eksperti për ekonominë Zef Preçi. 

Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë

Rasti më tipik është viti 2023, ku u planifikuan 78 miliardë lekë, por në fakt u dhanë vetëm 74,4 miliardë. Një diferencë që përkthehet në më pak spitale, më pak shërbime dhe më pak mundësi për pacientët. 

Edhe këtë vit, vërehet se në tre akte normative, buxheti për shëndetësinë është reduktuar gradualisht nga 80,7 miliardë lekë në 80,2 miliardë.

Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë

Reduktimin më të ndjeshëm e kanë pasur fondet për kujdesin parësor, që janë thelbësore për parandalimin dhe shërbimet bazë. Referuar aktit të fundit normativ, fianancimi është ulur ndjeshëm me gati 1.4 miliardë lekë. Edhe shërbimet e shëndetit publik kanë pësuar ulje me rreth 259 milionë lekë, ndërsa përkujdesja sociale ka mbetur pothuajse e pandryshuar. 

Krahasuar me planin fillestar është rritur vetëm financimi për spitalet me 1.2 miliardë lekë. Pjesa tjetër e sektorit është prekur nga shkurtimet.

Përfundim

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama përmend shifrën 1 miliard euro teksa i referohet financimit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. 

Edhe në mars të këtij viti, gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ai në rubrikën “Sy m’ Sy” ndau të njëjtën shifër për vitin aktual, duke deklaruar: “Shëndetësi dhe mbështetje sociale sot janë 1 miliardë euro, sot.”

Megjithatë, verifikimi i të dhënave buxhetore tregon se fondet reale për sektorin edhe këtë vit janë më të ulëta se 1 miliard euro.

Nëse do të merrnim për të mirëqenë këtë deklaratë të përsëritur, i bie që kemi të paktën dy vite që po qëndrojmë në vend numëro, me “1 miliardëshin” që s’ndryshon asnjëherë.

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se financimi i shëndetësisë në projektbuxhetin e 2026 tejkalonte vlerën 1 miliard euro, e kategorizojmë të pavërtetë./Faktoje.al/ 

 

Video

Ndeshja mes Flamurtari FC dhe KF Elbasani është mbyllur mes tensioneve dhe incidenteve në stadium. Gjatë takimit nuk munguan përplasjet në distancë mes tifozerive, ndërsa në përfundim të ndeshjes pati edhe konfrontime në hollin e stadiumit, fillimisht mes lojtarëve dhe më pas edhe mes një pjese të tifozëve të të dy skuadrave. Në këtë ndeshje ishin të angazhuara forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe sigurinë. Policia ndërhyri për të qetësuar situatën brenda stadiumit dhe më pas largoi tifozët edhe në zonën jashtë tij. Sa i përket rezultatit sportiv, ndeshja përfundoi me fitoren 2–1 të KF Elbasani

Një protestë kundër Shteteve të Bashkuara u zhvillua në Iran, ku një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte veprimi i disa fëmijëve që dogjën fanella të futbollistit të njohur Lionel Messi. Zemërimi u nxit nga ngjarjet e 5 marsit, kur lojtarët e klubit Inter Miami CF u ftuan në Shtëpia e Bardhë si fitues të MLS Cup. Lionel Messi dhe shokët e tij të skuadrës duartrokitën presidentin amerikan Donald Trump teksa ai po fliste për një operacion ushtarak në Lindjen e Mesme. Ky moment shkaktoi reagime të forta dhe një valë kritikash nga tifozë dhe përdorues të rrjeteve sociale.

Ju flet Tirana… po japim lajmet e antikorrupsionit në QSUT.

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme