Politika 18 February 2026, 09:10 Nga VNA

Presidenti ‘fshihet’ pas procedurës për shpalljen e zgjedhjeve në Rrogozhinë

Ndaje në Whatsapp
Presidenti ‘fshihet’ pas procedurës për shpalljen e

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 9 shkurt lënien në fuqi të vendimit të dënimit me 1 vit burg të kryetarit socialist të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Dispozitat ligjore parashikojnë që, me dënim gjykate të formës së prerë, Memolla nuk mund të ushtrojë më detyrën e kryebashkiakut, ndërsa Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës, pa një procedurë transparente për vendimin, ka njoftuar se për ushtrimin e funksioneve të kryetarit është ngarkuar zëvendëskryetari, Andi Proshka.

Zgjedhjet e reja të pjesshme në këtë bashki duhet të mbahen brenda një afati kohor 45-ditor sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjeve të tjera, afate që, me sa duket, do të shkelen, ndërsa Presidenti i Republikës, si institucioni përgjegjës për shpalljen e tyre, fshihet pas procedurave për marrjen e një njoftimi zyrtar për dënimin e Memollës.

Kompetenca kushtetuese që i njeh Presidentit të drejtën për të shpallur datën e zgjedhjeve për organet vendore është e kufizuar në kohë nga neni 10 i Kodit Zgjedhor, i cili specifikon se: “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit” dhe nxjerrjen e dekretit “jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”.

Por, pavarësisht se dënimi me formë të prerë i Memollës nga gjykata është një fakt botërisht i ditur, Presidenti i Republikës nuk e njeh atë si ‘njoftim’ dhe pret një njoftim zyrtar nga Këshilli i Ministrave për t’u njohur me faktin që Memolla nuk është më kryetar bashkie.

“Presidenti është hallka e fundit e procedurës”, i tha BIRN-it të martën Arta Sakja, këshilltare për mediat e Presidentit Bajram Begaj.

“Ky është fakt botërisht i njohur, por procedura nuk lidhet me këtë. Procedura lidhet me njoftimin, i cili nga ana e tij vjen si rezultat i një procedure tjetër pararendëse”, shtoi ajo.

Qëndrimi i Presidencës është i njëjtë me raste të mëparshme kur kryetarë të dorëhequr të bashkive nuk janë zëvendësuar për muaj me radhë, në shkelje të afateve ligjore, deri kur Kryeministria ka vendosur të dërgojë një shkresë formale tek Presidenti për të ‘njoftuar’ për vakancat.

Sakja thekson se procedura ka referencën në Kodin Zgjedhor dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore, por ekspertë të pushtetit vendor dhe të proceseve zgjedhore e shohin sjelljen e Presidentit si tentativë për t’u shmangur përgjegjësisë institucionale.

“Presidenti i Republikës ka detyrim kushtetues të shpallë zgjedhjet në Rrogozhinë pas vendimit të GJKKO-së dhe çdo vonesë apo pritje është shmangie nga përgjegjësia publike e këtij institucioni për t’i dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin drejtuesin e qytetit të tyre”, tha për BIRN Rigels Xhemollari, drejtor i “Qëndresa Qytetare”, një organizatë që monitoron proceset zgjedhore në vend.

Sipas tij, edhe ligji për dekriminalizimin, edhe vendimi i gjykatës që ka marrë formë të prerë dhe dënimi që ka nisur të ekzekutohet janë fakte që duhet të vënë në lëvizje institucionin e Presidentit.

“Nuk ka pse të presë nga Kryeministri që të ketë një njoftim, sepse zyra e Presidentit është zyrë publike”.

Edhe për ekspertin e pushtetit vendor Agron Haxhimali, drejtor i Institutit të Bashkive, pritja e Presidentit për një njoftim nga Kryeministri nuk ka bazë ligjore. “Tani vakanca në këtë rast është si drita e diellit”, i tha ai BIRN-it.

Sipas Haxhimalit, edhe nëse Presidenti beson se procedura ligjore e detyron atë të presë një letër nga Kryeministri, ai përsëri ka autoritetin për të mbajtur një qëndrim për rastet kur Kryeministri nuk i zbaton afatet ligjore.

“Për shembull, ai mund të bëjë një deklaratë publike mbi faktin botërisht të ditur dhe të ftojë institucionet të zbatojnë procedurat për rastin”, sugjeroi ai, duke shtuar se Presidenti ka përgjegjësi të kontrollojë situatën dhe të kërkojë zbatimin e afateve ligjore për çështje të tilla.

Nga ana tjetër, për Haxhimalin, zhvillimi i zgjedhjeve të pjesshme një vit para zgjedhjeve të reja të përgjithshme vendore nuk do të ndryshonte ndonjë gjë për qytetarët, edhe pse Kodi Zgjedhor, sipas tij, parashikon që zgjedhje të pjesshme nuk bëhen vetëm në afatin 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme.

Edhe për Xhemollarin, zhvillimi i zgjedhjeve vetëm për një vit janë kosto të reja për qytetarët dhe buxhetin e shtetit.

Gjithsesi, ai thotë se “zgjedhjet e pjesshme në Rrogozhinë do të jenë matës publik më shumë i veprimeve të qeverisë në raport me drejtësinë dhe opsion për një model të bashkimit të opozitës, siç u tentua në Bashkinë Tiranë”./Reporter.al

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme