
Debatet për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë nxjerrë në pah jo vetëm mosmarrëveshjet procedurale mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe tensionet politike që lidhen me rolin dhe kompetencat e Komisionit të Posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, një strukturë që prej muajsh konsiderohet nga faktorë politikë brenda vendit dhe aktorë ndërkombëtarë si një përpjekje për të futur duart në çështjet e drejtësisë dhe në kompetencat e SPAK.
Sipas burimeve të VNA, në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Partia Demokratike ka kërkuar ndarjen e Komisionit për Europën dhe Politikën e Jashtme në dy struktura të veçanta: një komision për integrimin europian dhe një tjetër për politikën e jashtme.
PD ka dhënë dakordësi për disa nga ndryshimet që lidhen me procesin e integrimit europian. Opozita është dakord që ligjet e integrimit të miratohen me përparësi dhe gjithashtu kërkon që të hiqet kufizimi i numrit të ligjeve që mund të trajtohen me procedurë prioritare kur bëhet fjalë për legjislacionin e integrimit.
Megjithatë, disa nga pikat më të debatueshme mbeten ende pa konsensus.
PD kundërshton reduktimin e kohës së fjalës nga 10 minuta në 5 minuta, ndërsa çështja vijon të negociohet mes palëve. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se po diskutohet edhe një formulë kompromisi.
Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me raportimin e institucioneve. Sipas formulimit aktual, Komisioni Xhafaj do të mbajë ndjekjen e rezolutave, por jo raportimet direkte të institucioneve. PD kërkon që titullarët e institucioneve të raportojnë në seancë plenare.
Përplasja më e fortë është regjistruar mes Ulsi Manja dhe Taulant Balla për nenet 102 dhe 103 të paketës.
Neni 102 parashikonte heqjen e kompetencës së komisioneve të përhershme për vlerësimin post-legjislativ. Balla ka deklaruar se është tërhequr nga ky nen.
“Jam tërhequr unë nga 102. Ta kam thënë 100 herë që jam tërhequr nga 102. Do të bësh teatër tani”, mësohet t’i ketë thënë ai Manjës gjatë debatit.
Por Manja ka kërkuar që të tërhiqet edhe neni 103.
“Duhet të tërhiqesh edhe nga 103”, ka insistuar ai.
“Nuk tërhiqem nga 103”, është përgjigjur Balla.
Thelbi i debatit lidhet me faktin se neni 103 i jep Komisionit Xhafaj kompetenca mbi procesin post-legjislativ dhe ndjekjen e rezolutave. Sipas argumentit të Manjës, nëse bie neni 102 dhe komisioneve të përhershme u mbetet kontrolli post-legjislativ, atëherë bie edhe logjika e nenit 103 që ia kalon këto kompetenca strukturës së posaçme.
Pra, përplasja nuk ka të bëjë vetëm me teknikën parlamentare, por me kontrollin institucional dhe balancën e pushteteve brenda Kuvendit, në një moment kur roli i Komisionit Xhafaj shihet nga kritikët si një zgjerim i ndikimit politik mbi çështje që prekin reformën në drejtësi dhe arkitekturën e ngritur rreth SPAK-ut.
Sipas burimeve të VNA, seanca për miratimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit është caktuar më 21 maj.






















