Politika 19 Shtator 2025, 13:26 Nga VNA

PD zyrtarizon kërkesën për shkarkimin e Niko Peleshit: Ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit

Ndaje në Whatsapp
PD zyrtarizon kërkesën për shkarkimin e Niko Peleshit: Ka shkelur

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot në Kuvend një kërkesë zyrtare drejtuar Këshillit për Legjislacionin, duke kërkuar shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, vetëm një javë pas zgjedhjes së tij në këtë post.

Në dokumentin e firmosur nga 28 deputetë të opozitës, PD akuzon Peleshin për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, si dhe për sjellje të njëanshme në drejtimin e seancave parlamentare, në favor të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.

Sipas Partisë Demokratike, në seancat plenare të datës 16 dhe 18 shtator 2025, Peleshi ka shkelur rregullat procedurale dhe ka mohuar vazhdimisht të drejtat e deputetëve të opozitës, përfshirë të drejtën e fjalës dhe pjesëmarrjen në debat.

PD pretendon gjithashtu se seanca e 16 shtatorit është thirrur në shkelje të afateve minimale të parashikuara nga Rregullorja, ndërsa projektvendimet janë miratuar me një procedurë të përshpejtuar, në mënyrë antikushtetuese, pa u dhënë mundësi deputetëve të opozitës të shprehen apo të kundërshtojnë ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit.

Shkresa e plotë:

KUVENDI

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

 

Nr.______Prot.                                                                                         Tiranë, më ____/____/2025

 

Lënda:           Kërkesë për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi

Drejtuar:        Këshillit për Legjislacionin

 

Të nderuar anëtarë të Këshillit për Legjislacionin,

Ne deputetët nënshkrues, në mbështetje të nenit 114, pika 4 e Rregullores së Kuvendit, paraqesim kërkesën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi, për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, në rrethanat e poshtëshënuara.

Niko Peleshi është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në seancën plenare të datës 12 Shtator 2025. Që nga dita e zgjedhjes dhe deri në këtë moment, ka thirrur dhe drejtuar 2 seanca plenare (datë 16 Shtator dhe 18 Shtator), në të cilat ka kryer veprime aktive në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe ka mohuar të drejtat e deputetëve të opozitës, duke treguar hapur njëanshmëri politike në drejtimin e organit më të rëndësishëm kushtetutes – Kuvendit të Shqipërisë.

Konkretisht:

 

Lidhur me shkeljet e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit në seancën e datës 16.09.2025

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, me urdhërin nr. 1, datë 15.09.2025, ka njoftuar mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 16.09.2025, ora 10:00, me rend dite: “1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datës 12.09.2025. 2. Njoftime. 3. Projektvendimi “Për zgjedhjen e zëvëndëskryetarëve të Kuvendit”. 4. Projektvendimi “Për zgjedhjen e sekretariateve të Byrosë të Kuvendit”. 5. Projektvendimi “Për përbërjen e Byrosë së Kuvendit”.”. Po ashtu, në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, me urdhërin nr. 2, datë 15.09.2025, ka njoftuar mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 16.09.2025, ora 17:00, me rend dite: “1. Projektvendimi “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.”.

Në datën 16.09.2025, ora 10:00, është mbledhur seanca plenare e Kuvendit, gjatë të cilës kryetari i Kuvendit, ndër të tjera, ka relatuar se është paraqitur një kërkesë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për ndryshimin e rendit të ditës, duke përfshirë edhe shqyrtimin e projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Po ashtu, kryetari i Kuvendit ka relatuar edhe një kërkesë të paraqitur nga 30 (tridhjetë) deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, lidhur me këto dy kërkesa, i ka parashtruar paraprakisht Kryetarit të Kuvendit se thirrja e mbledhjes së Kuvendit dhe njoftimi i saj pa kaluar as 24 orë nga zhvillimi i seancës plenare është në kundërshtim me nenin 78, pika 2, të Kushtetutës, ashtu si edhe nenin 27/1, pika 3, të Rregullores së Kuvendit. Kjo e fundit parashikon se thirrja e mbledhjes së Kuvendit dhe njoftimi i rendit të ditës bëhet publik si rregullt 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancën plenare. Në këtë kuptim, duke qenë një mbledhje e thirrur në kundërshtim me Rregulloren, ajo nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Po ashtu, lidhur me shqyrtimin e projektvendimit me procedurë të përshpejtuar, opozita ka sjellë në vëmendje se sipas nenit 83, pika 2, të Kushtetutës, ashtu edhe nenit 28, pika 4, të Rregullores, shqyrtimi nuk mund të fillojë pa kaluar një javë nga data e paraqitjes së kërkesës në seancë plenare. Megjithatë, kryetari i Kuvendit ka vijuar me hedhjen e dy kërkesave në votim dhe me shumicë votash është vendosur miratimi i tyre.

Pas miratimit të dy kërkesave, kryetari i Kuvendit ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, dhe mbledhjen e Kuvendit sërish në ora 12:30 për vijimin e shqyrtimit dhe miratimit të projektvendimit. Gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, 5 (pesë) anëtarët, deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kanë parashtruar se këto ndryshime, përveçse bëhen në mënyrë të njëanshme, duke shkelur për herë të dytë traditën e miratimit me konsensus ndërpartiak, shkelin në mënyrë flagrante dispozitat e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, të cilat rregullojnë mënyrën e thirrjes dhe njoftimit të mbledhjes së Kuvendit, ashtu edhe shqyrtimin e projektvendimeve me procedurë të përshpejtuar, jo më herët se 1 javë nga depozitimi (shih nenet 78, pika 2; 83, pika 2, të Kushtetutës; nenet 27/1, pika 3; 28, pika 4; 117 të Rregullores së Kuvendit).

Pas rifillimit të seancës plenare, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë parashtruar sërish qëndrimin e tyre sa i përket shkeljeve të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit ka njoftuar se për projektvendimin për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit nuk do të ketë diskutime, çka sërish është kontestuar nga deputetët e opozitës si shkelje e nenit 75, pika 2, e Kushtetutës, e lexuar së bashku me nenet 46, pika 1, 48, pika 1, dhe 117 të Rregullores së Kuvendit, pasi i mohohet e drejta e fjalës deputetëve që dëshirojnë të diskutojnë rreth ndryshimeve të propozuara. Edhe ky qëndrim është injoruar nga kryetari i Kuvendit, i cili ka vijuar me votimin dhe miratimin e projektvendimit për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.

Për të gjitha sa më lart, me veprimet dhe mosveprimet e tij, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, në seancën e datës 16.09.2025, ka kryer shkeljet e mëposhtme:

 

Thirrja e mbledhjes së Kuvendit, në seancat e datës 16 Shtator 2025, në kundërshtim me pikën 3, të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, duke sjell pasojën e parashikuar nga pika 2, e nenit 78 të Kushtetutës – mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas Rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë.

Thirrja e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në kundështim me nenin 83, pika 3 të Kushtetutës, pikën 4 të nenit 28 dhe nenin 117 të Rregullores së Kuvendit.

Përfshirja për votim dhe miratimi i akteve në Kuvend, në kundërshtim me procedurën kushtetuese të miratimit, duke shkelur nenin nenin 83, pika 3 të Kushtetutës së Shqipërisë, pikën 4 të nenit 28 dhe nenin 117 të Rregullores së Kuvendit.

Heqja e të drejtës së deputetëve të opozitës për të diskutuar mbi përmbajen e projektaktit, në kundërshtim me nenin 73 e vijues dhe nenin 117 të Rregullores së Kuvendit.

Lidhur me shkeljet e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit në seancën e datës 18.09.2025

Në mbështetje të nenit 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, më datë 18.09.2025, ora 10:00, ishte thirrur seanca plenare, me rend dite projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”. Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, deputetët e opozitës ishin prezent në sallë, për të ushtruar detyrën e tyre kushtetuese dhe për të diskutuar mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.

Sipas nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Kryetari i Kuvendit i dha fjalën Kryeministrit, i cili pas disa minutave diskutim, mori rolin e Kryetarit të Kuvendit, ndërpreu fjalën e tij dhe ia kaloi fjalën “Ministres virtuale Diella”, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren.

Ky veprim prej karagjozi dhe që cënoi rëndësinë kushtetuese të seancës plenare të datës 18.09.2025 u kundërshtua nga deputetët e opozitës, përmes një veprimi që nuk shkel etikën parlamentare dhe që është formë reagimi që përdoret në të gjitha Parlamentet e vendeve demokratike (rasti më i fundit në Parlamentin Europian, ku eurodeputetët pas refuzimit të kërkesës për një minutë heshtje përplasën duart mbi tavolinat e tyre të punës si formë demokratike reagimi). Fakti që Kryeministrin e kanë lëshuar nervat, është i lodhur dhe ndjehet i padenjë për të përballuar debatin parlamentar, nuk mund të nënkuptojë kurrë që ai mund t’i caktojë linjën e sjelljes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, apo mund të vijë në seancë plenare dhe të sillet siç dëshiron në kundërshtim me Kushtetutën.

Salla e seancës plenare nuk mund të shndërrohet nga një Kryeministër karagjoz në një “teatër kukullash” dhe reagimi i opozitës ishte për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kërcënimi i Kryeministrit që në nisje të fjalës së tij se deputetët e opozitës duhet të bëjnë apo sillen ashtu siç ai dëshiron, ose ndryshe Kryeministri nuk do të lejojë debatin parlamentar, është i papranueshëm dhe cënon rëndë rendin kushtetutes të një Republike Parlamentare.

Menjëherë pasi diskutimi i Kryeministrit ishte ndërprerë, jo nga ndërhyrjet e opozitës, por nga një video tallëse e një mesazhi virtual, Kryetari i Kuvendit, edhe pse fjala i ishte kaluar më parë Kryeministrit që duhet të vijonte me paraqitjen e programit politik, i kaloi fjalën Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili pasi kërcënoi deputetët e opozitës me heqjen e të drejtës për të diskutuar, në përputhje me nenin 49, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, kërkoi 5 minuta ndërprerje të seancës. Kërkesa ishte për çështje të procedurës, në zbatim të nenit 49, pika 1, ku thuhet se: “Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të procedurës ……., kërkesat për ndërprerjen ose shtyrjen e seancës plenare ose të diskutimeve…”.

Pas fjalës për procedurë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, sipas pikës 3 të nenit 49, ku thuhet shprehimisht: “3. Në këto raste, përveç propozuesit që diskuton jo më shumë se 3 minuta, kanë të drejtë të diskutojnë një folës pro dhe një folës kundër jo më shumë se 2 minuta secili dhe merret vendim me votim të hapur nga Kuvendi me ngritjen e dorës.”, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi kërkoi të diskutonte si folës kundër 2 minuta lidhur me propozimin e bërë. Në kundërshtim me pikën 3, të nenit 49 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit nuk ia dha fjalën dhe ndërpreu seancën pa respektuar kërkesat e kësaj dispozite, dhe në mbyllje të saj u shpreh publikisht se do e jepte fjalën për procedurë menjëherë me rinisjen e seancës. Kërkesa për procedurë ishte regjistruar në sistemin elektronik të Kuvendit të Shqipërisë.

Në rinisjen e seancës, me një skenar asgjësues për Kuvendin dhe të parapërgatitur për të mos lejuar debat parlamentar, në kundërshtim me pikat 1 dhe 3 të nenit 49 të Rregullores, në vend që t’i jepte fjalën menjëherë Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, ashtu siç Rregullorja e detyron, Kryetari i Kuvendit ia kaloi përsëri fjalën Kryeministrit Edi Rama. Për të kundërshtuar këtë mohim të të drejtës së fjalës sipas Rregullores të deputetëve të opozitës, ende pa e marrë fjalën Kryeministri, një pjesë e tyre u ngritën në këmbë, për të kërkuar respektimin e Rregullores dhe të drejtën e fjalës për procedurë, që sipas nenit 49, pika 1 e Rregullores jepet menjëherë.

Në vend që t’i jepte opozitës të drejtën e fjalës për procedurë, Kryetari i Kuvendit ia rikaloi fjalën për procedurë Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, një veprim që bie ndesh me nenin 49 të Rregullores, sepse i njëjti person nuk mund të marrë dy herë rresht fjalën për procedurë. Në shkelje flagrante të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, propozoi që Kryeministri të mos bënte paraqitjen në Kuvend të programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, deputetëve t’u hiqej e drejta e fjalës, e drejta për të bërë pyetje dhe të mos zhvillohej debat për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, duke urdhëruar kalimin direkt në votim.

Kryetari i Kuvendit, në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe pikat 3 dhe 4, të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, ku specifikohet se: “3. Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin. 4. Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas nenit 58 të kësaj Rregulloreje”, hapi procesin e votimit dhe hodhi në votim projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.

Për të gjitha sa më lart, me veprimet dhe mosveprimet e tij, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, në seancën e datës 18.09.2025, ka kryer shkeljet e mëposhtme:

Në kundërshtim me nenin 49 të Rregullores së Kuvendit, i ka mohur Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, dy herë të drejtën e fjalës për procedurë, e cila sipas Rregullores jepet menjëherë sapo kërkohet. Ndërkohë që këtë të drejtë ia ka njohur Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS dy herë rresht, duke shfaqur njëanshmëri të theksuar në drejtimin e seancës.

Në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, nuk ka mundësuar paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga Kryeministri përpara procesit të votimit;

Në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, i ka mohur të drejtën deputetëve për të bërë pyetje përpara procesit të votimit;

Në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, nuk ka lejuar debat parlamentar, ku çdo deputet mund të diskutojë për 10 minuta, përpara procesit të votimit;

Në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, ka mohuar të drejtën e kryetarëve të grupeve parlamentare për të diskutuar në përfundim të debatit parlamentar;

Në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, ka mohuar të drejtën e deputetëve për të votuar vetëm pasi kanë ushtruar të drejtën për debat.

Me ndërgjegje ka lejuar që votim në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren, duke e bërë atë të pavlefshëm.

 

Në konkluzion: Kushtetuta e Shqipërisë ka parashikuar se Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve (shih nenin 75 të Kushtetutës). Ndërsa, Rregullorja e Shqipërisë ka parashikuar se kërkesa për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit i paraqitet Këshillit të Legjislacionit, i cili paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Kërkesa duhet të bëhet me shkrim dhe në mënyrë të motivuar për shkaqet e parashikuara në Kushtetutë, nga jo më pak se 28 deputetë (shih nenin 114).

Kryetari i Kuvendit, me veprimet dhe mosveprimet e tij, në këtë periudhë të shkurtër të drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, ka dëshmuar mungesë të plotë të angazhimit për të ushtruar funksionin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi, si dhe duke u sjell si një vartës i Kryeministrit, i cili mori defacto edhe drejtimin e seancës së datës 18.09.2025, herë duke urdhëruar kush do fliste, herë duke urdhëruar kush deputet do të fliste për procedurë dhe herë duke urdhëuar Kryetarin e Kuvendit për procedurën që duhet të ndiqte.

Kështu, kryetari i Kuvendit, Z. Niko Peleshi, ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke përdhosur parlamentarizmin dhe minuar funksionimin demokratik të Kuvendit. Në këto kushte, Këshilli për Legjislacionin duhet të fillojë menjëherë procedurën për shkarkimin e saj nga detyra.

Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 75, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 114, pika 4 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të Kryetarit të Kuvendit, Z. Niko Peleshi.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

DEPUTETËT:

 

 

Video

Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë po shembet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një salle luksoze ballosh, një projekt me vlerë 250 milionë dollarë i prezantuar nga Presidenti Donald Trump. Megjithëse u premtua se struktura historike nuk do të prekej, punimet kanë nisur me shkatërrimin e pjesës lindore që daton nga viti 1902. Projekti përfshin një sallë prej 25,000 metrash katrorë me dizajn të frymëzuar nga resorti Mar-a-Lago, me llambadarë kristali, kolona të praruara dhe zbukurime ari. Salla do të përdoret për darka shtetërore dhe ngjarje zyrtare, me një kapacitet prej 1,000 personash dhe dritare antiplumb. Ajo pritet të financohet kryesisht nga donatorë privatë, përfshirë kompani të mëdha teknologjike dhe të mbrojtjes. Në një moment simbolik, Donald Trump hapi perdet e arta për të zbuluar vendin e ndërtimit dhe shpalli nisjen zyrtare të shembjes. Ai deklaroi se kjo do të jetë “salla e vallëzimit më e bukur ndonjëherë” dhe përmendi plane për një hark përballë Varrezave të Arlingtonit, nëse mbeten fonde. Dëshira për një sallë të tillë daton që nga viti 2010, kur ai shprehu pakënaqësinë për ambientet ekzistuese të darkave shtetërore në kohën e Presidentit Obama.

Dy shtetas kinezë janë kapur gjatë tentativës për të futur në Shqipëri 62 kilogramë kanabis, të ndarë në dy valixhe. Lënda narkotike ishte nisur nga Tajlanda, me tranzit në Emiratet e Bashkuara, dhe më pas drejtuar Shqipërisë. https://www.vna.al/kronika/tentuan-te-fusnin-61-kg-kanabis-ne-shqiperi-arrestohen-dy-kineze-ne-rina-i15927

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka nisur zyrtarisht dënimin me pesë vjet burg për konspiracion në financimin e paligjshëm të fushatës presidenciale të vitit 2007, duke u bërë ish-udhëheqësi i parë francez që shkon pas hekurave në epokën moderne. 70-vjeçari, u paraqit këtë mëngjes në burgun “La Santé” në jug të Parisit, ku do të qëndrojë në një qeli 9 metra katrorë, e pajisur me tualet, dush, tavolinë pune dhe televizor. Ai do të mbahet në seksionin e izolimit për arsye sigurie, pasi burgu strehon edhe persona të dënuar për trafik droge dhe terrorizëm.

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme